business

Termat e Referencës (ToR): Konsulencë për Projekt-Dizajnin e Qendrave me Bazë në Komunitet (QBK)

  • star Publikuar: 08-10-2025
  • star Skadon: 23-10-2025
Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë

Termat e Referencës (ToR)

Titulli i angazhimit: Konsulencë për Projekt-Dizajnin e Qendrave me Bazë në Komunitet (QBK) për Edukimin e Hershëm në Kosovë
Vendndodhja: Kosovë
Kohëzgjatja e angazhimit: 14 dite pune [Tetor 2025 – 20 Dhjetor 2025]
Mbikqyrja: Menaxheri i Projektit në QSHHZH në bashkëpunim me UNICEF në Kosovë

  1. Konteksti

UNICEF, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit (MASHTI) dhe komunat, po mbështet zgjerimin e qasjes në edukimin e hershëm (EFH) për fëmijët 3–4 vjeç në zonat rurale të Kosovës, ku ende ka qasje të kufizuar në këto shërbime për fëmijët. Një nga modelet alternative për të përshpejtuar rritjen e qasjes në EFH cilësore duke ndihmuar zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve janë Qendrat me Bazë në Komunitet, të modeluara nga UNICEF në Kosovë që nga viti 2010. Këto Qendra synojnë ofrimin e mundësive për familjet dhe fëmijet në situate të cënueshme, me program të shkurtër (2.5 orë) të ofruar cdo ditë pa pagesë, dhe janë të vendosura brenda objective ekzistuese të shkollave fillore. Në këto qendra, hapësira të lira përshtaten dhe pajisen si hapësira miqësore për fëmijë, duke ofruar një mjedis gjithëpërfshirës dhe të sigurt që mbështet zhvillimin dhe edukimin përmes lojës.

Për të siguruar konsistencë, cilësi dhe përputhshmëri me standardet kombëtare, është e nevojshme të zhvillohet një projekt-dizajn model, i cili do të përdoret si udhëzues bazë për të gjitha hapjet e ardhshme të QBK-ve, me adaptime sipas nevojave të secilës hapësirë. Ky projekt-dizajn duhet të harmonizohet me:

  • standardet e aplikueshme për infrastrukturën e institucioneve parashkollore në Kosovë;
  • kurrikulën e re për edukimin e hershëm (0–6 vjeç);
  • standardet e qasshmërisë dhe gjithëpërfshirjes;
  • parimet e sigurisë dhe të edukimit përmes lojës.

Gjithashtu, dizajni duhet të japë rekomandime për krijimin e mjediseve të sigurta, me kushte klimatike dhe ajrosje të përshtatshme për fëmijët e vegjël.

Aktiviteti organizohet në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i cilësisë së shërbimeve të edukimit në fëmijërinë e hershme në Institucionet e EFH-s dhe stimulimit të hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë” (Strengthening the quality of center-based early childhood education services and early stimulation at home for young children in Kosovo), i financuar nga UNICEF, me mbështetje financiare nga Qeveria e Luksemburgut.

2. Qëllimi i Konsulencës

Qëllimi i konsulencës është të zhvillojë një projekt-dizajn model që mund të përdoret në mënyrë konsistente për organizimin dhe pajisjen e Qendrave me Bazë në Komunitet për EFH, i cili:

  • ofron një kornizë të unifikuar për hapësirat e QBK-ve;
  • lejon adaptime të vogla sipas kushteve të hapësirës ekzistuese;
  • pasqyron standardet për siguri, qasshmëri, gjithëpërfshirje dhe zhvillim përmes lojës;
  • integron masa praktike për kushte klimatike dhe ventilim të përshtatshëm.

3. Detyrat dhe Përgjegjësitë Kryesore

Konsulenti/ja pritet të:

  1. Vizitojë të paktën dy QBK ekzistuese për të analizuar organizimin aktual të hapësirave dhe mobiljeve.
  2. Analizojë dokumentet përkatëse, përfshirë:
    • standardet e infrastrukturës për institucionet parashkollore;
    • kurrikulën e re për edukimin e hershëm 0–6 vjeç;
    • standardet e qasshmërisë dhe gjithëpërfshirjes.
  3. Zhvillojë projekt-dizajnin model për QBK, që përfshin:
    • planimetri funksionale të klasës/hapësirës (duke reflektuar këndet e ndryshme statike dhe të lëvizshme sipas kurrikulës për EFH);
    • zgjidhje për kushte klimatike, ndriçim dhe ventilim të përshtatshëm;
    • rekomandime praktike për masa shtesë të eficiencës së energjisë në hapësira ekzistuese;
    • dizajnin e mobiljeve dhe inventarit standard për grupmoshën 3–4 vjeç (me përshkrime, dimensione dhe materiale të rekomanduara), duke integruar listat në përdorim aktual;
    • parime për sigurinë gjatë lojës.
  4. Përgatisë një paketë vizuale dhe teknike (planimetri, vizatime, renderime 3D, listë standarde inventari) që do të përdoret nga komunat dhe partnerët për hapjen e qendrave të reja.
  5. Prezantojë projekt-dizajnin për UNICEF dhe partnerët relevantë për konsultim dhe finalizim.

4. Produket e Punës

  1. Plani i punës i konsulencës (1 ditë).
  2. Realizimi i vizitave në 2 QBK ekzistuese (2 ditë).
  3. Projekt-dizajni paraprak model për QBK, i prezantuar për komente (4 ditë).
  4. Projekt-dizajni final model për QBK, që përfshin:
  • planimetri dhe vizatime teknike;
  • rekomandime për kushte klimatike, ventilim dhe eficiencë energjie;
  • renderime 3D;
  • listë standarde inventari dhe mobiljesh për grupmoshën 3–4 vjeç;
  • udhëzime për adaptime sipas hapësirës (5 ditë).
  1. Raport shpjegues mbi parimet e dizajnit dhe mënyrën e përdorimit të modelit (2 ditë).

5. Kohëzgjatja dhe Mbikëqyrja

  • Konsulenca do të zgjasë 14 ditë pune.
  • Konsulenti/ja do të punojë nën mbikëqyrjen e Menaxherit të Projektit në QSHHZH dhe UNICEF Kosova, në bashkëpunim me komunat përkatëse.
  • Vizitat në terren do të organizohen në koordinim me UNICEF.

6. Kualifikimet e Kërkuara

  • Diplomë Bachelor ose Master në arkitekturë ose inxhinieri
  • Minimum 3 deri në 5 vite përvojë pune në fushën përkatëse, në projekte që përfshijnë dizajn dhe mbikëqyrje të zbatimit të punimeve në hapësira të jashtme ose të brendshme
  • Një portofol që paraqet projektet e mëparshme, duke demonstruar aftësitë në dizajn dhe rezultatet e projekteve
  • Njohuri me standardet përkatëse të sigurisë, dhe preferohet edhe ato të qasshmërisë
  • Aftësi të forta komunikimi për koordinim efektiv me palët e interesit, kontraktorët dhe klientët
  • Gatishmëri për të udhëtuar jashtë Prishtinës

7. Modalitetet Financiare

Pagesa do të bëhet mbi bazën e produkteve të punës të dorëzuara dhe të aprovuara nga QSHHZH dhe UNICEF, sipas planit të punës.

8. Afatet dhe mënyra e aplikimit

Kandidatët e interesuar ftohen të aplikojnë duke dërguar dokumentet e mëposhtme në adresën e emailit: [email protected] me titullin KONSULENCE PER QBK:

  • CV të përditësuar që pasqyron përvojën relevante;
  • Letër motivimi ku shpjegohet interesimi për rolin dhe përvoja relevante;
  • Dëshmi të kualifikimeve dhe certifikatave (nëse ka);
  • Së paku dy kontakte për referenca profesionale.

Afati i fundit për aplikim: 23 tetor 2025, ora 16:00.