business

Ftesë për Shprehje të Interesimit - Konsulencë Individuale

  • star Publikuar: 22-04-2025
  • star Skadon: 06-05-2025
Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 124

Ftesë për Shprehje të Interesimit - Konsulencë Individuale

Data: 22.04.2025

Forcimi i cilësisë së shërbimeve të edukimit të fëmijërisë së hershme në institucione të EFH-së dhe stimulimit të hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë

Strengthening the quality of center-based early childhood education services and early stimulation at home for young children in Kosovo

Përshkrimi:

Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim njeh rëndësinë e periudhës kritike të të nxëit dhe zhvillimit në vitet e para të jetës dhe rolin vendimtar të cilësisë së edukimit në këtë periudhë. Edukimi i hershëm cilësor është thelbësor dhe integral në zhvillimin holistik të fëmijëve, veçanërisht për më të pafavorizuarit, duke kompensuar privimet e mjedisit të tyre social. Andaj përmes forcimit të aftësive të profesionistëve të edukimit të hershëm për të zbatuar në mënyrë efektive kurrikulën e re të edukimit në fëmijërinë e hershme, si dhe fuqizimit të ndërgjegjësimit të prindërve/kujdestarëve për rëndësinë e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme, synojmë të krijojmë shance dhe mundësi për mjedise stimuluese dhe zhvillimore ku çdo fëmijë, mund të shpërthejë dhe të zhvillojë potencialin e vet.

Me mbështetjen teknike dhe financiare të UNICEF-it në Kosovë, QShHZh vazhdon punën për të mbështetur edukatoret parashkollore në zhvillimin e tyre profesional përmes pajisjes së tyre me njohuritë dhe shkathtësitë për zbatimin e kurrikulës së re duke promovuar cilësinë në edukimin e hershëm përmes krijimit të përvojave pozitive zhvillimore dhe edukative për të gjithë fëmijët. Me fokus të vecantë, mbështetja përfshin prindërit/kujdestarët në ofrimin e sesoneve për rëndësinë dhe ofrimin e mbështetjes për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme dhe promovimin e shkrim - leximit të hershëm me prindërit dhe fëmijët, duke përfshirë edhe komunitetet e margjinalizuara.

Në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i cilësisë së shërbimeve të edukimit të fëmijërisë së hershme në Institucionet e EFH-sw dhe stimulimit të hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë” (Strengthening the quality of center-based early childhood education services and early stimulation at home for young children in Kosovo), i financuar nga UNICEF, me mbështetje financiare nga Qeveria e Luksemburgut, QSHHZH fton aplikues të kualifikuar të paraqesin propozimet e tyre teknike dhe financiare për të ofruar shërbimet e mëposhtme:

Pozita 1: Konsulencë për hartimin e përmbajtjes dhe ofrimin e sesioneve interaktive me prindërit/kujdestarët mbi rëndësinë dhe ofrimin e mbështetjes për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme

Pozita 2: Konsulencë për:

2.1. Zhvillimin e modulit Do It Yourself (Bëje vetë) me informata dhe udhëzime për sesion praktik të krijimit të librit të familjes dhe organizimin e seminareve për të promovuar shkrim - leximin e hershëm me prindërit dhe fëmijët, duke përfshirë edhe komunitetet e margjinalizuara, &

2.2. Hartimin e skenarit për shfaqje të teatrit të kukullave (me gjatësi 15-20 minuta) me temë mbi rëndësinë e leximit në moshën e hershme dhe angazhimin e prindërve/kujdestarëve ligjor në lexim me fëmijët 0-6 vjec.

Pozita 3: Konsulencë për zhvillimin e moduleve të trajnimit për Kurrikulën për edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë dhe përditësimin e ditarit të punës në edukimin parashkollor

Pozita 4: Konsulencë për zhvillimin e standardeve për librat në edukimin parashkollor në përputhje me Kurrikulën e re të edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë

Pozita 1: Konsulent për Hartimin e përmbajtjes dhe ofrimin e sesioneve interaktive me prindërit/kujdestarët mbi rëndësinë dhe ofrimin e mbështetjes për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme

Përshkrimi:

Zhvillimi në fëmijërinë e hershme luan një rol kritik në formësimin e rritjes kognitive, emocionale, sociale dhe fizike të fëmijëve. Familjet, veçanërisht prindërit dhe kujdestarët, janë thelbësore për krijimin e mjediseve ushqyese dhe stimuluese që nxisin të nxënit e hershëm të fëmijës. Për të rritur rolin e prindërve në këtë proces, ka nevojë për seanca të strukturuara dhe të synuara që rrisin ndërgjegjësimin dhe ofrojnë mjete praktike për të mbështetur zhvillimin dhe edukimin e fëmijërisë së hershme në shtëpi.

Kjo konsulencë synon të zhvillojë përmbajtje të përshtatshme dhe të ofrojë seanca interaktive me prindërit/kujdestarët për të forcuar kapacitetin e tyre dhe angazhimin aktiv në të nxënit dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve të tyre.

Objektivat e konsulencës janë:

  • Për të hartuar përmbajtjen përkatëse dhe të ndjeshme nga ana kulturore për sesionet me prindërit/kujdestarët të fokusuara në rëndësinë e zhvillimit dhe edukimit të fëmijërisë së hershme.
  • Për t'i mbajtur/zhvilluar këto sesione në një mënyrë tërheqëse dhe pjesëmarrëse, duke fuqizuar prindërit që të mbështesin në mënyrë aktive të nxënit dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre në shtëpi.

Konsulenti/ja duhet të posedojë kualifikimet e mëposhtme:

  • Diplomë në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, Punë Sociale, Psikologji, Pedagogji ose fusha të ngjashme.
  • Përvojë e dëshmuar në punën me prindërit/kujdestarët në kontekstet e fëmijërisë së hershme.
  • Kuptimi i qartë i parimeve të zhvillimit dhe të nxënit në fëmijërinë e hershme dhe strategjive të angazhimit të prindërve/kujdestarëve.
  • Të ketë aftësi të shkëlqyera ndërpersonale, të fasilitimit, komunikimit dhe raportimit.
  • Aftësi për të prodhuar materiale trajnimi të qarta, të thjeshta dhe miqësore për përdoruesit.
  • Aftësi për tër bashkëpunuar me palë të ndryshme të interesit dhe për t’u adaptuar ndaj dallimeve kulturore.
  • Përvojat e mëparshme në angazhime të përafërta janë të dëshirueshme.

Përgjegjësitë:

Konsulenti/ja do të jenë përgjegjës/e për:

  • Kryerjen e një vlerësim të shkurtër të nevojave dhe rishikimin e burimeve ekzistuese për të informuar përmbajtjen e sesionit.
  • Propozimet për përmbajtjen e sesioneve dhe çdo burim të disponueshëm që përbën bazën e bashkëpunimit me prindër në kuadër të mbështetjes për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, bazuar në shqyrtimin e të dhënave të disponueshme në Kosovë dhe programeve të zbatuara globalisht.
  • Zhvillimin e një serie planesh të strukturuara të sesioneve që përmbajnë prezantimet, agjendën, formën e vlerësimit, formën e monitorimit dhe listën e materialeve mbështetëse për printim, materiale të ndryshme dhe video për prindërit dhe kujdestarët.
  • Konsultimi me përfaqësuesen e UNICEF dhe QShHZh për finalizimin e përmbajtjes së sesioneve
  • Ofrimin e sesioneve të përmbledhura për mbështetjen e prindërve për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme për prindërit/kujdestarët e targetuar në projekt duke siguruar që sesionet të jenë interaktive, gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme
  • Mbledhjen e komenteve nga pjesëmarrësit për të informuar përmirësimet e ardhshme.
  • Raportimin pas cdo sesioni që përmbledh procesin e zhvillimit, rezultatet dhe rekomandimet

Konsulenti/ja do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësueset e UNICEF dhe QShHZh. Do të kërkohen përditësime të rregullta dhe takime koordinuese.

Konsulenti/ja gjatë angazhimit, pritet të dorëzojë:

  • Përmbajtjen për seancat e prindërve/kujdestarëve (përfshirë agjendën, udhëzimet, prezantimet, handouts, listën e materialeve didaktike të nevojshme për sesionet, materiale printuese, formën e vlerësimit, formën e monitorimit, video etj).
  • Ofrimin e seancave interaktive me prindërit/kujdestarët [numri i tyre sipas dakordimit].
  • Një raport përfundimtar që përmbledh procesin, reagimet, sfidat dhe rekomandimet për shkallëzimin ose përsëritjen e seancave.

Kohëzgjatja e angazhimit:

Angazhimi pritet të përfundojë brenda periudhës Prill – Qershor 2025, me përditësime të rregullta mbi progresin e aktiviteteve që duhet t’i ofrohen menaxherit/es së projektit. Një orar i propozuar i punës do të miratohet gjatë takimit fillestar dhe do të jetë pjesë integrale e kontratës.

Pozita 2: Konsulent per:
2.1. Zhvillimin e modulit Do It Yourself (Bëje vet) me informata dhe udhëzime për sesion praktik të krijimit të librit të familjes dhe organizimin e seminareve për të promovuar shkrim - leximin e hershëm me prindërit dhe fëmijët, duke përfshirë edhe komunitetet e margjinalizuara, &

2.2. Hartimin e skenarit për shfaqje të teatrit të kukullave (me gjatësi 15-20 minuta) me temë mbi rëndësinë e leximit në moshën e hershme dhe angazhimin e prindërve/kujdestarëve ligjor në lexim me fëmijët 0-6 vjec.

Përshkrimi:

Zhvillimi i hershëm i fëmijërisë dhe shkrim-leximi i hershëm konsiderohen tejet thelbësorë për formimin e bazave të të nxënit, gatishmërisë për shkollë dhe gatishmërisë për jetë. Përfshirja aktive e prindërve/kujdestarëve, edukatoreve parashkollore dhe komunitetit në këtë proces forcon zhvillimin gjuhësor, social dhe emocional të fëmijëve. Në këtë kuadër, konsulenca do të mbështesë krijimin e modulit praktik dhe interaktiv që përforcon angazhimin prind-fëmijë dhe edukatore parashkollore – familje dhe fëmijë përmes aktiviteteve “Bëje vetë” (Do It Yourself), dhe përmes zhvillimit të shfaqjeve teatrale për teatrin me kukulla ku theksohet rëndësia dhe mënyrat e angazhimit në lexim të hershëm në mes të prindërve/kujdestarëve ligjor dhe fëmijëve.

Objektivat e konsulencës janë:

  • Zhvillimi i modulit praktik, me informata për rëndësinë, udhëzime praktike dhe shembuj për krijimin e librit të familjes, dhe libra të tjerë për prindër dhe fëmijë, duke nxitur shkrim-leximin e hershëm në mjediset e shtëpisë dhe në komunitet – Moduli Bëje Vet (Do It Yourself).
  • Organizimi dhe ofrimi i sesioneve ndërvepruese Bëje Vet për prindërit dhe fëmijët, duke përfshirë komunitete e margjinalizuara dhe Institucionet e Edukimit të Hershëm (me edukatore dhe prindër/kujdestarë ligjor).
  • Hartimi dhe realizimi i shfaqjes teatrale për fëmijë mbi tema edukative, me fokus në leximin e hershëm.

Konsulenti/ja duhet të posedojë kualifikimet e mëposhtme:

  • Diplomë e nivelit Master ose ekuivalente në shkencat e edukimit, shkencat shoqërore, psikologji zhvillimore ose fushë të lidhur me arsimin. Preferohet të jetë diplomuar në programet e edukimit të hershëm ose fushë të tjera relevante.
  • Eksperiencë praktike të dëshmuar dhe së paku tre (3) vjecare në projektimin, hartimin e moduleve të trajnimit dhe/ose programeve të edukimit të hershëm dhe zbatimin e programeve dhe sesioneve lidhur me pedagogjinë e edukimit të hershëm, ku përvoja në zbatimin e përmbajtjeve mbi shkathtësitë e leximit të hershëm është e dëshirueshme.
  • Aftësi të shkëlqyera në komunikim, fasilitimin dhe menaxhim të aktiviteteve interaktive me prindër, edukatore parashkollore, fëmijë dhe punë në grup me komunitetin
  • Aftësi për tër bashkëpunuar me palë të ndryshme të interesit dhe për t’u adaptuar ndaj dallimeve kulturore.
  • Përvojat e mëparshme në hartimin dhe zbatimin e përmbajtjeve të DIY (bëje vetë), janë të dëshirueshme.
  • Eksperiencë në realizimin e përmbajtjeve kulturore dhe audiovizuale për fëmijë.

Përgjegjësitë:

Konsulenti/ja do të jenë përgjegjës/e për:

  • Draftimin e përmbajtjes së modulit DIY (bëje vetë) me aktivitete kreative që mund të realizohen lehtësisht nga prindërit me fëmijët në shtëpi, por edhe ne mjedis edukativ parashkollor. Moduli duhet të përmbajë hyrjen me informatat përkatëse për kohëzgjatjen e sesionit, materialet e nevojshme, qëllimin dhe udhëzime për realizim.
  • Konsultimi dhe integrimi i komenteve nga UNICEF dhe QShHZh për finalizimin e përmbajtjes.
  • Listimin e materialeve të nevojshme për zbatim, duke përfshirë të gjitha materialet e lidhura me përmbajtjen (prezantimet, agjendën, materialet audio, video, materiale të ndryshme, formën e vlerësimit, formën e monitorimit, etj].
  • Realizimin e sesioneve ndërvepruese për të promovuar shkrim-leximin e hershëm me prindër/kujdestarë ligjor
  • Zhvillimin dhe plotësimin me pjesëmarrës të formës së vlerësimit të sesioneve.
  • Hartimin e skenarit së një shfaqjeje teatrale për teatër me kukulla për fëmijë, me mesazhe të qarta edukative, me theks në komunikim dhe lexim të hershëm.
  • Prodhimin dhe dorëzimin e materialeve për përdorim publik (video, skenarë, materiale promovuese etj.).
  • Angazhimin e komuniteteve të margjinalizuara dhe sigurimin e përfshirjes gjithëpërfshirëse gjatë të gjitha aktiviteteve.
  • Raportimin pas cdo seminari që përmbledh procesin e zhvillimit, rezultatet dhe rekomandimet

Konsulenti/ja do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësueset e UNICEF dhe QShHZh. Do të kërkohen përditësime të rregullta dhe takime koordinuese.

Konsulenti/ja gjatë angazhimit, pritet të dorëzojë:

  • Një modul trajnimi DIY (bëje vetë) për prindër, edukatore parashkollore dhe fëmijë.
  • Realizimin e tetë (8) seesioneve (1.5-2 orëshe) që promovojnë shkrim-leximin e hershëm me prindër/kujdestarë dhe fëmijë përfshirë edhe nga komunitetet e margjinalizuara.
  • Përmbajtjen//skenarin e një shfaqje teatrale-teatër me kukulla..
  • Format e vlerësimit të sesioneve
  • Raport përfundimtar mbi zbatimin e aktiviteteve dhe rekomandimet për vazhdimësinë.

Kohëzgjatja e angazhimit:

Angazhimi pritet të përfundojë brenda periudhës Prill – Korrik 2025, me përditësime të rregullta mbi progresin e aktiviteteve që duhet t’i ofrohen menaxherit/es së projektit. Një orar i propozuar i punës do të miratohet gjatë takimit fillestar dhe do të jetë pjesë integrale e kontratës.

Pozita 3: Konsulent/e për zhvillimin e moduleve të trajnimit për Kurrikulën e re të Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (EFH) dhe përditësimin e ditarit të punës në edukimin parashkollor

Përshkrimi:

Edukimi në fëmijërinë e hershme është një bazë thelbësore për të nxënit dhe zhvillimin gjatë gjithë jetës. Në një përpjekje për të përafruar praktikat pedagogjike me nevojat në zhvillim të fëmijëve dhe standardet bashkëkohore, ekziston nevoja për të zhvilluar module praktike trajnimi bazuar në kurrikulën e re të edukimit në fëmijërinë e hershme dhe përditësimin e ditarit aktual të punës që përdoret në mjediset parashkollore.

Objektivat kryesore të kësaj konsulence janë:

  • Zhvillimi i moduleve të trajnimit gjithëpërfshirëse në përputhje me Kurrikulën e re të edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë, të bazuar në dokumentet e pakos së Kurrikulës dhe materialet nga trajnimet pilotuese.
  • Për të përditësuar dhe përmirësuar ditarin ekzistues të punës në edukimin parashkollor për të pasqyruar praktikat aktuale pedagogjike, për të thjeshtuar përdorimin dhe për të mbështetur planifikimin dhe reflektimin efektiv ditor sipas kurrikulës së re të EFH.

Konsulenti/ja duhet të posedojë kualifikimet e mëposhtme:

  • Diplomë e avancuar (Master ose Doktor) në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, Pedagogji, Zhvillimin e Kurrikulës, Psikologji, Shkenca sociale ose një fushë të ngjashme.
  • Përvojë të dëshmuar, se paku tre (3) vjecare në angazhime të ndryshme në hartim të dokumenteve në edukimin e hershëm, angazhim në hartimin e kurrikulës, standardeve, ligjeve apo udhëzimeve administrative, zhvillimin e materialeve trajnuese për edukimin e fëmijërisë së hershme.
  • Njohja me praktikat dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të edukimit të hershëm.
  • Eksperiencë të dëshmuar në projektimin dhe zbatimin e drejtëpërdrejtë të programeve të zhvillimit profesonal për edukatoret në edukimin në fëmijërinë e hershme.
  • Eksperiencat në hapësirën ndërkombëtare për edukimin në fëmijërinë e hershme, janë të preferueshme.
  • Aftësi të forta në komunikim, lehtësim dhe menaxhim të aktiviteteve grupore me karakter profesional
  • Aftësi për tër bashkëpunuar me palë të ndryshme të interesit dhe për t’u adaptuar ndaj dallimeve kulturore dhe profesionale.

Përgjegjësitë:

Konsulenti/ja do të jenë përgjegjës/e për:

  • Rishikimin e pakos së Kurrikulës së sapo-aprovuar të EFH dhe materialeve përkatëse pedagogjike.
  • Hartimin, respektivisht përshtatshmërinë e pakos së Kurrikulës së re të EFH në një grup të moduleve trajnimi praktike dhe interaktive të përshtatura për stafin edukativ të institucioneve të EFH-së.
  • Sigurimin që modulet e trajnimit adresojnë temat kryesore të EFH si zhvillimi i fëmijëve, praktikat gjithëpërfshirëse, të mësuarit përmes lojës, angazhimi i prindërve dhe vlerësimi i vazhdueshëm.
  • Konsultimin dhe integrimin e komenteve nga UNICEF, konsulenti ndërkombëtar dhe QShHZh për finalizimin e përmbajtjeve të moduleve.
  • Finalizimin e moduleve të gatshme për trajnim, që duhet të përfshijnë:
    • materialet prezantuese në PPT,
    • agjendën me oraret dhe aktivitetet specifike për sesionet përkatëse,
    • mjetet e vlerësimit (pre-post testet),
    • listën e materialeve didaktike të nevojshme,
    • formën e vetëraportimit dhe formën e monitorimit.
  • Rishikimi i ditarit aktual të punës që përdoret në institucionet parashkollore dhe propozimi i përditësimeve të formatit, përmbajtjes dhe përdorshmërisë së tij, bazuar në Kurrikulën e re të EFH-së.
  • Përafrimi i ditarit të përditësuar të punës me qëllimet e Kurrikulës dhe zbatimin praktik në punën e përditshme me fëmijët.
  • Sigurimi i materialeve të finalizuara në formate të redaktueshme të gatshme për printim dhe/ose përdorim dixhital
  • Raportimin pas përfundimit të angazhimit që përmbledh procesin e zhvillimit, rezultatet dhe rekomandimet.

Konsulenti/ja do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me ekipin kombëtar të zhvillimit të kurrikulës. Do të kërkohen përditësime të rregullta dhe takime koordinuese.

Konsulenti pritet që gjatë angazhimit, të dorëzojë:

  • Planin dhe metodologjinë e detajuar e punës.
  • Modulet e trajnimit (përfshirë udhëzuesit për trajnerët dhe pjesëmarrësit).
  • Një version të përditësuar të ditarit të punës në edukimin parashkollor, i përshtatshëm për edukatoret dhe i përafruar me praktikat sipas kurrikulës së re.
  • Raportin përmbledhës duke përfshirë reagimet nga seancat e vlefshmërisë, udhëzimet e zbatimit dhe rekomandimet.

Kohëzgjatja e angazhimit:

Angazhimi pritet të përfundojë brenda periudhës Maj– Qershor 2025, me përditësime të rregullta mbi progresin e aktiviteteve që duhet t’i ofrohen menaxherit/es së projektit. Një orar i propozuar i punës do të miratohet gjatë takimit fillestar dhe do të jetë pjesë integrale e kontratës.

Pozita 4: Konsulencë për zhvillimin e standardeve për librat në edukimin parashkollor në përputhje me kurrikulën e re

Përshkrimi:

Në kuadër të fokusit zhvillimor që ka marrë edukimi parashkollor në Kosovë dhe miratimit të kurrikulës së re të EFH, është thelbësore që materialet edukative dhe librat që përdoren në institucionet e edukimit të hershëm të jenë në përputhje me qasjen dhe objektivat e kësaj kurrikule. Aktualisht mungojnë standarde të qarta dhe të strukturuara që përcaktojnë kriteret pedagogjike, përmbajtësore, metodologjike dhe vizuale që duhet të përmbushin librat e dedikuar për edukimin parashkollor. Zhvillimi i këtyre standardeve do të sigurojë cilësi të lartë të materialeve të përdorura, do të ndihmojë autorët, botuesit dhe edukatoret të kenë udhëzime të qarta për zhvillimin apo përzgjedhjen e librave dhe do të sigurojë përputhshmëri me qëllimet zhvillimore të fëmijëve të moshës 0–6 vjeç në Kosovë.

Objektivat kryesore të kësaj konsulence janë:

  • Hartimi i standardeve për librat e edukimit parashkollor në përputhje me kurrikulën e re të EFH, që do të shërbejnë si udhëzues për zhvillimin, përzgjedhjen dhe vlerësimin e materialeve edukative të përdorura në institucionet parashkollore publike dhe private në Kosovë.

Konsulenti/ja duhet të posedojë kualifikimet e mëposhtme:

  • Diplomë në nivelin e edukimit Master në edukim, pedagogji, zhvillim të fëmijërisë së hershme apo fusha të ngjashme.
  • Eksperiencë e dëshmuar, së paku pesë (5) vjecare në hartimin e politikave, moduleve përmbajtësore ose dokumenteve kurrikulare në fushën e edukimit të hershëm.
  • Njohje me praktikat ndërkombëtare mbi librat edukativë për fëmijët në moshën e hershme.
  • Aftësi të shkëlqyera në hartimin e dokumenteve teknike dhe prezantimin e tyre.

Përgjegjësitë:

Konsulenti/ja do të jenë përgjegjës/e për:

  • Rishikimin e Kurrikulës së re të edukimit në fëmijërinë e hershme për të identifikuar kërkesat dhe drejtimet lidhur me përmbajtjen dhe metodologjinë.
  • Analizimin e praktikave të mira ndërkombëtare për standardet e librave në edukimin e hershëm.
  • Hartimin e standardeve për librat në edukimin parashkollor që mbulojnë aspektet e tilla si:
  • Përmbajtjen pedagogjike dhe zhvillimore;
  • Gjuha dhe qasja ndaj fëmijëve të moshave të ndryshme;
  • Ndjeshmëria kulturore, gjinore dhe gjithëpërfshirja;
  • Dizajni vizual dhe përshtatshmëria për moshën;
  • Elementet interaktive dhe mbështetëse për të nxënit përmes lojës;
  • Rolin e prindërve/kujdestarëve dhe edukatoreve në përdorimin e librave
  • Hartimin e një dokumenti përfundimtar me standardet dhe rekomandime për zbatimin e tyre.
  • Diskutimi, mbledhja e informacioneve kthyese dhe përfshrja e tyre në dokumentin final

Konsulenti/ja do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësueset e UNICEF dhe QShHZh. Do të kërkohen përditësime të rregullta dhe takime koordinuese.

Konsulenti/ja gjatë angazhimit, pritet të dorëzojë:

  • Dokument i plotë me Standardet për Librat në Edukimin Parashkollor, përfshirë sqarime metodologjike dhe udhëzime për përdorim.
  • Raport analitik mbi praktikat ndërkombëtare dhe përputhshmërinë me kurrikulën.
  • Udhëzues praktik për vlerësimin e librave ekzistues ose të rinj sipas standardeve të reja.
  • Prezantimi i materialit në një punëtori për validim dhe diskutim.

Kohëzgjatja e angazhimit:

Angazhimi pritet të përfundojë brenda periudhës Maj – Korrik 2025, me përditësime të rregullta mbi progresin e aktiviteteve që duhet t’i ofrohen menaxherit/es së projektit. Një orar i propozuar i punës do të miratohet gjatë takimit fillestar dhe do të jetë pjesë integrale e kontratës.

Për të gjitha pozitat e hapura në këtë thirrje!

Procesi i aplikimit:

Aplikuesit/et e interesuar janë të ftuar të paraqesin:

  • Një propozim teknik që përshkruan qasjen dhe metodologjinë e tyre dhe përmban plan të shkurtër të punës për realizimin e konsulencës për pozitën për të cilën aplikojnë
  • Një propozim financiar (ditët e nevojshme, pagesën bruto në EURO).
  • CV-në që demonstron përvojën përkatëse.
  • Shembuj të punës së mëparshme të ngjashme, nëse ka

Aplikuesit/set mbajnë përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e dokumentacioit të ofruar.

Buxheti:

Tarifa e konsulentit/es do të diskutohet bazuar në kualifikimet, përvojën dhe fushën e propozuar të punës.

Kriteret e Vlerësimit:

Propozimet do të vlerësohen bazuar në kualifikimet e konsulentit/es, qasjen e propozuar, kuptimin e kontekstit të projektit dhe efikasitetin në kosto.

Dorëzimi i Propozimit:

Aplikuesit e interesuar duhet të dërgojnë dokumentet e kërkuara në adresën [email protected] deri më 06.05.2025, ora 16:00, duke specifikuar në subject: pozitën për të cilën aplikojnë.

Konfidencialiteti:

Të gjitha informacionet e ndara gjatë konsulencës do të trajtohen si konfidenciale dhe do të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin është hapur kjo thirrje.

Informacioni i Kontaktit:

Për pyetje ose përjashtime në lidhje me këtë thirrje, ju lutemi kontaktoni në adresën: [email protected]

Shënim:

“Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim” rezervon të drejtën për të refuzuar cilindo apo të gjitha propozimet e pranuara, të negociojë individualisht me cilindo konsulent/e të kualifikuar, ose të anulojë këtë thirrje në çdo kohë pa asnjë përgjegjësi.

“Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim” është e interesuar të marrë propozime nga konsulentë të kualifikuar që ndajnë së bashku me ne qëllimin për të promovuar cilësinë e shërbimeve të edukimit të fëmijërisë së hershme dhe stimulimin e hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë.