business

Kryeshef Ekzekutiv

  • star Publikuar: 01-10-2024
  • star Skadon: 31-10-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kompani Trainkos Sh.A
Kategoritë Kryeshef Ekzekutiv
Numri i pozitave 2
Vendi i punës Fushë Kosovë
Shikime 911

Në bazë të dispozitave të nenit 21 të Ligjit Nr. 03/L- 087 për Ndërmarrjet Publike (“Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës”, Nr. 31/15 qershor 2008), respektivisht Nenit 13 të Ligjit Nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike (Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës” Nr. 13/30 maj 2012), Nenit 15.2.2, pika f, të Statutit të HK-Trainkos Sh.A Nr. I/02, të datës 19.01.2024, Bordi i Drejtorëve i Hekurudhave të Kosovës-Trainkos Sh.A, në mbledhjen e mbajtur më 27.09.2024 mori vendim që të shpallë:

K O N K U R S

Për pozitën:

Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Qendrore Hekurudhat e Kosovës-Trainkos Sh.A

I përgjigjet: Bordit të Drejtorëve të HK-Trainkos Sh.A.

Lokacioni: Fushë Kosovë

Afati i fundit për aplikim: 31.10.2024

  1. Të përgjithshme

Kandidatët për këtë vend pune duhet të jenë persona me integritet të njohur të cilët (i) i plotësojë kushtet e kualifikimit sipas nenit 17.1, të Ligjit 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike (ii) i plotësojnë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2, pikat (d), (f), (j), (k) dhe (l) (iii) nuk janë, ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës tridhjetë e gjashtë (36) muajsh para datës së aplikimit nuk kanë qenë drejtorë të Bordit të kompanisë gjegjëse dhe nuk janë ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit nuk ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike; (iv) kanë përvojën e nevojshme profesionale dhe shkollimin e kërkuar për pozitën në fjalë.

2. Mandati i Kryeshefit Ekzekutiv (KE)

Kryeshefi Ekzekutiv emërohet nga Bordi i Drejtorëve për mandatin prej 3 (tre) vjetëve, me mundësi të vazhdimit edhe për një mandat.

3. Kompensimi i Kryeshefit Ekzekutiv

Kompensimi për pagën mujore për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv është e përcaktuar në Kategorizimin dhe Poentimin e Pagave për Zyrtarë e Lartë të HK-Trainkos Sh.A në shumën bruto 1,600€.

4. Përshkrimi i punëve

Kryeshefi Ekzekutiv, krahas punëve të parapara me dispozitat e Ligjit Nr.03/L-016 për Shoqëritë Tregtare dhe të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, ka edhe këto detyra dhe përgjegjësi:

  • KE-ja është përgjegjës për menaxhimin e Ndërmarrjes;
  • Së bashku me ekipin e Menaxhmentit ekzekutiv përpilon dhe rekomandon planet strategjike në Bordin e Drejtorëve që do t’i sigurojnë rritjen fitimprurëse Ndërmarrjes dhe arritjen e objektivave të biznesit të saj;
  • Të zbatojë me sukses planin e aprovuar të biznesit të Ndërmarrjes;
  • Të rishikojë dhe raportojë në Bordin e Drejtorëve për progresin e përgjithshëm operativ e financiar dhe të iniciojë hapa të veprimit për zbatim;
  • Të sigurohet që janë të vendosura proceset dhe sistemet që i mundësojnë (KE-së) për të mbajtur Bordin e Drejtorëve të informuar për të gjitha aktivitetet e Ndërmarrjes, si dhe faktorët e jashtëm që burojnë nga industria, tregu, Qeveria dhe Zyrat Rregullative;
  • Të veprojë si ndërlidhje në mes të Menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve;
  • Në pajtueshmëri me Kodin e Etikës, të krijojë kulturë korporative e cila ndihmon në tërheqjen, mbajtjen dhe motivimin e të punësuarave në të gjitha nivelet, të bëjë progres të vazhdueshëm dhe të inkurajojë performancën optimale;
  • Të udhëheqë ekipin e Menaxhmentit ekzekutiv dhe rregullisht të shqyrtojë me Bordin e Drejtorëve planin për zhvillimin dhe suksesin e menaxhmentit ekzekutiv;
  • Të sigurohet që janë zhvilluar politika dhe procedura efikase të burimeve njerëzore (duke përfshirë rekrutimin, menaxhimin e performancës, trajnimet, planifikimet e suksesshme, raportet e punonjësve dhe kompensimet) për të përkrahur objektivat strategjike të Ndërmarrjes;
  • Të sigurojë se janë vendosur kontrollet efikase të zbulimit, kontrollet e brendshme dhe sistemi i menaxhimit të informatave;
  • Të menaxhojë dhe mbikëqyrë komunikimet në mes të Ndërmarrjes, Qeverisë (si aksionare), dhe palëve tjera me interes për publikun;
  • Të veprojë si zëdhënës kryesor për Ndërmarrjen;
  • Të sigurohet që mbahen komunikime efikase dhe raporte të duhura me Njësinë e NP-ve dhe grupeve tjera të interesit;
  • KE-ja ka autoritet të angazhojë burimet korporative në drejtim të biznesit me qëllim që të ndjekë planet dhe objektivat strategjike të aprovuara të Ndërmarrjes, megjithatë ato angazhime kryesore dhe rreziqe i raportohen Bordit të Drejtorëve në baza të rregullta kohore;
  • Pa referencë të Bordit të Drejtorëve, KE-ja është i autorizuar të nënshkruajë kontrata dhe pagesat e aprovuara deri në limitin e përcaktuar nga Bordi i Drejtorëve.
  • KE-ja ka të drejtat ekskluzive për të larguar një anëtar nga stafi i cili ka dështuar në përmbushjen e rregullave ose standardeve të Ndërmarrjes duke përfshirë performancën e dobët;
  • Menaxhon politikat dhe zbaton vendimet e Bordit të Drejtorëve në pajtim me legjislacionin në fuqi si dhe kryen të gjitha punët dhe përgjegjësitë në pajtim me legjislacionin dhe aktet normative të aplikueshme për ndërmarrjet publike.

5. Kualifikimet dhe përgatitja profesionale

  • Të ketë përgatitje superiore (diplomë universitare) në njërën nga fushat; ekonomike, teknike, juridike apo në fushat tjera të ndërlidhura me aktivitetet në të cilat vepron Ndërmarrja;
  • Duhet ose (i) të ketë së paku pesë (5) vite përvojë – së paku në një nivel të lartë të menaxhmentit – në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, financa, menaxhim i thesari, banka, konsulencë në biznes ose industri ose nga një fushë tjetër e shkencës ose njohurisë e cila ka të bëjë me veprimtarinë afariste të NP-së; ose (ii) për së paku pesë (5) vite, të ketë qenë kontabilist publik, jurist i kualifikuar, ose anëtar i kualifikuar i një profesioni tjetër i cili ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste të NP-së;
  • Të posedojë aftësi të mirë organizative, drejtuese dhe aftësi të shkëlqyeshme të komunikimit,
  • Të jetë i gatshëm të zbatojë strategjitë e miratuara nga Bordi i Drejtorëve;
  • Të ketë shkathtësi të dëshmuara në punë me grupe dhe organizim të Ndërmarrjes apo të ngjashme;
  • Të këtë njohuri të mira në përdorimin e programeve kompjuterike si MS Windows, MS Office etj.;
  • Njohja e gjuhës angleze e dëshiruar.

6. Informatë për procedurën e konkurrimit

Kandidatët për Kryeshef Ekzekutiv, duhet t’i dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  • Aplikacionin;
  • CV-në e detajuar duke përfshirë datat e sakta të punësimit dhe detaje të përgjegjësive për çdo pozicion duke përfshirë nivelin e vendimmarrjes, numrin e punonjësve të mbikëqyrur, buxhetin dhe përgjegjësitë;
  • Letër motivimin;
  • Prezantim të shkurtër mbi idetë, objektivat dhe këndvështrimin e tij/saj për menaxhimin e suksesshëm dhe zhvillimin e Ndërmarrjes;
  • Dëshminë mbi kualifikimin profesional;
  • Dëshminë mbi përvojën e punës (Përvoja e Punës preferohet të dëshmohet përmes Trustit Pensional);
  • Certifikatën mbi dënimet penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, se nuk ka dënime penale në evidencën qendrore penale të Republikës së Kosovës (certifikatë e nxjerrë online në platformën e-Kosova do të pranohet);
  • Vërtetimi i të Kaluarës Kriminale e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme - Policia e Kosovës (Certifikata e nxjerrë online në platformën e-Kosova do të pranohet);
  • Kopjen e letërnjoftimit;
  • Personat që kanë diplomuar jashtë Kosovës duhet të kenë diplomat e nostrifikuara nga MASHTI.

Aplikanti duhet ta vendos datën dhe të nënshkruajë deklaratën nën betim ku deklarohet që i përmbushë të gjitha kushtet e pranueshmërisë. Kjo deklaratë, së bashku me aplikacionin mund të shkarkohen nga uebfaqja e Ndërmarrjes Hekurudhat të Kosovës-Trainkos Sh.A.:

https://www.trainkos.com/publikimet/punesimi/

Dokumentacioni i kompletuar (aplikacioni së bashku me deklaratën nën betim dhe të gjitha dokumentet përcjellëse) dorëzohet personalisht, apo përmes Postës, në zarf të mbyllur në zyrën e arkivit në ndërtesën e Drejtorisë së Trainkos-it në adresën: Rr. "Salih Puçolli", P.N., në Fushë Kosovë, me shënimin: për z. Afrim Kuleta, Sekretar i HK-Trainkos Sh.A., ose përmes e-mailit zyrtar: [email protected]

Në rastin e aplikimit përmes adresës elektronike aplikantët pranojnë email nga Ndërmarrja për konfirmim të pranimit të emailit të apikantit. Në rast se aplikanti nuk pranon email-in konfirmues, atëherë rekomandohet që të shkruajë në adresën elektronike [email protected]

Kandidatët të cilët konkurrojnë duhet ta shënojnë saktë adresën dhe numrin e telefonit kontaktues, si dhe e-mail adresën.

Çdo përgënjeshtrim material, qoftë i qëllimshëm ose nga neglizhenca, ose ndryshim material nga informatat e dhëna në deklaratën e sipërpërmendur, do të rezultojë me diskualifikimin e menjëhershëm.

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e shkurtër do të kontaktohen.

Hekurudhat e Kosovës - Trainkos Sh.A, ofron mundësi të barabarta punësimi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe inkurajon të gjitha femrat e meshkujt e të gjitha komuniteteve që i plotësojnë kriteret e konkursit që të aplikojnë.

Vlerësimi formal i kandidatëve dhe intervista do të bëhet në një kohë optimale pas përfundimit të afatit për aplikim. Bordi i Drejtorëve i Hekurudhave të Kosovës Trainkos Sh.A e mban të drejtën e formimit të listës së shkurtë me aplikantët si dhe përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv.

Konkursi mbetet i hapur nga data 01.10.2024 deri më 31.10.2024 në ora 16:00.