business

Mentor (7)

  • star Publikuar: 16-05-2024
  • star Skadon: 30-05-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Arsim&Edukim
Numri i pozitave 7
Vendi i punës Vushtrri, Kamenicë, Graçanicë
Shikime 1391

Thirrje për shprehje të interesit për Mentor

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian shpesh përballen me sfida të veçanta dhe pengesa në rrugën e tyre drejt arsimit të nivelit të lartë. Diskriminimi, varfëria, dhe mungesa e burimeve financiare janë disa prej faktorëve që kontribuojnë në nivelin e ulët të pjesëmarrjes së tyre në arsim. Ndërkaq, qëndrimet dhe stereotipet e përhapura vazhdimisht ndikojnë në vetëvlerësimin e tyre dhe pengojnë arritjen e tyre të plotë arsimore dhe profesionale dhe mundësitë për të shkëlqyer. Prandaj, përkushtimi i plotë i stafit arsimor në mbështetje të këtyre fëmijëve dhe në parandalimin e përjashtimit arsimor mund të sjellë ndryshime thelbësore dhe frytdhënëse në udhëtimin e tyre arsimor dhe në zhvillimin personal.

Qëllimi:

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është të ndikojë te nxënësit në rëndësinë e arsimit përmes ndërhyrjeve pozitive, duke i nxitur ata të kenë një rol aktiv në udhëheqjen e procesit të tyre edukativ dhe të orientohen drejt suksesit akademik. Për këtë qëllim, synojmë të implementojmë një program mentorimi ku mentort do të përqendrohen te nxënësit e shkollave të mesme të larta. Kjo iniciativë synon të ofrojë mbështetje akademike dhe jo-akademike për nxënësit e këtyre shkollave, veçanërisht ata që vijnë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Përmes mentorimit, synojmë të sigurojmë një ambient të përkrahjes dhe ndihmës, duke i ndihmuar nxënësit të ruajnë dhe përmirësojnë performancën e tyre në shkollë. Roli i mentorit do të jetë të ofrojë udhëzime dhe mbështetje për nxënësit në menaxhimin e sfidave shkollore, duke i ndihmuar ata të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre, të zhvillojnë aftësitë e tyre, të përmirësojnë performancën e tyre akademike dhe të arrijnë të bëhen personat që dëshirojnë të jenë.

Si pjesë e programit për ofrimin e ndihmës për arsimimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, OJQ Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, me mbështetjen financiare nga Roma Education Fund, bën thirrje për shprehje të interesit për mentor.

Të drejtë për shprehje të interesit kanë mësimdhënësit, pedagogët, psikologët si dhe pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët kanë përfunduar universitetin ose janë në vitin e fundit të studimeve dhe kanë përvojë në fushën e arsimit. Për të aplikuar si mentor në kuadër të organizatës tonë, të drejtë kanë në komunat e mëposhtme si:

Graçanicë (Preoc): 3 Mentor

Kamenicë: Shkolla e mesme teknike (2 mentor), Gjimnaz (1 mentor)

Vushtrri (Prelluzhë): Shkolla e mesme teknike (1 mentor)

Angazhimi me mentorim do të jetë me pagesë, e cila do të kalkulohet në bazë të numrit të nxënësve që do të mentorojnë.

Detyrat kryesore të mentorit janë:

  1. Njoftimi i nxënësve të përzgjedhur me programin e mentorimit për përfshirjen e suksesshme në jetën shkollore dhe për detyrimet e tyre si nxënës. Kjo përfshin prezantimin e detyrimeve të tyre, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shkollë;
  2. Ofrimi i ndihmës për nxënësit për vijimin e rregullt në shkollë dhe për të arritur suksesin më të mirë në mësim. Kjo përfshin sugjerime për organizimin e orëve shtesë ose aktiviteteve jashtëshkollore për të përmirësuar përformancën e tyre akademike;
  3. Këshillim, asistencë dhe mbështetje në lëndët ku nxënësit përballen me probleme, duke përfshirë krijimin e planeve individuale për të përmirësuar njohuritë e tyre në ato lëndë;
  4. Ndihmë në zhvillimin e qëllimeve personale dhe akademike: Mentorët ndihmojnë nxënësit të identifikojnë dhe të përcaktojnë qëllime të qarta personale dhe akademike dhe i ndihmojnë ata në rrugën drejt tyre;
  5. Vendosja e kontakteve dhe bashkëpunimi me familjet e nxënësve për të raportuar për ecurinë e mentorimit, vijimin e rregullt dhe për të ndjekur përfshirjen dhe përparimin e tyre në shkollë;
  6. Ngritje e vetëdijes së vetëvlerësimit: Mentorët ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë vetëdijen e tyre për vetëvlerësim dhe për të përmirësuar besimin në veten e tyre;
  7. Këshillim personal dhe takimet me prindërit për të adresuar çështje të mundshme brenda shkollës dhe familjes që mund të ndikojnë në përparimin e nxënësve;
  8. Ofrimi i mbështetjes për nxënësit në përgatitjet për të vazhduar shkollimin e tyre, përfshirë qëndrimin në diplomim ose studime të mëtejshme;
  9. Raportimi i rregullt i progresit të punës tek organizata, për të siguruar se nxënësit përfitojnë nga mbështetja e ofruar nga mentorët.

Për t’u kualifikuar si mentor potencial, aplikuesi duhet:

  • Të ketë diplomë universitare (ose të jetë student i vitit të fundit në nivel universitar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian);
  • Të jetë staf i rregullt në shkollë (Vlen vetëm për Kamenicë dhe Vushtrri);
  • Të ketë aftësi të mira komunikimi dhe motivimi për nxënësit;
  • Të ketë përvojë në metodologji bashkëkohore të edukimit;
  • Të ketë shkathtësi të shkrimit të raporteve;
  • Të ketë njohuri kompjuterike;
  • Të jetë i gatshëm për të filluar punën e mentorimit nga 22 maj 2024 deri në qershor 2024. Me mundësi vazhdimi për vitin akademik 2024/2025.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:

  • CV (Curriculum Vitae);
  • Letër motivuese e aplikuesit;
  • Pëlqim nga drejtori i shkollës për aplikim në këtë thirrje (Vlen vetëm për Kamenicë dhe Vushtrri)
  • Diplomë Universitare dhe certifikata nga trajnime relevante.

Dokumentet e kompletuara mund t’i dërgoni në e-mail adresën: [email protected], me titullin: “Aplikimi për Mentor”

Afati i fundit për aplikim është deri me: 30.05.2024.

Dokumentacioni i pakompletuar nuk do të merret në konsideratë.

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do të kontaktohen.

Për më shumë informata mund të kontaktoni në numrin e telefonit: +383(0)49 935 562