business

Ekspert lokal për të realizuar një hulumtim përmbajtësor mbi martesat e hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

  • star Publikuar: 18-11-2024
  • star Skadon: 29-11-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Të tjera
Numri i pozitave 1
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 1004

Terma të Referencës

Ekspert lokal për të realizuar një hulumtim përmbajtësor mbi martesat e hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Projekti: “Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë", në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER).

Vendi: Prishtinë

Raporton tek: Menaxheri i Programit - Konsorcoumi Zëri i Romëve, Egjiptianëve Ashkali (VoRAE), Fondacioni Terre des hommes (Tdh) dhe HEKS/EPER

Kohëzgjatja e angazhimit: Dhjetor 2024 – Mars 2025 (20 ditë pune)

Konsorciumi, Ipërbërë nga tri organizata:Zëri i Romëve, Egjiptianëve Ashkali (VoRAE), Fondacioni Terre des hommes (Tdh) dhe HEKS/EPER ne bashkepunim me Zyren e Kryeministrit të Republikës së Kosovës shpallin thirjen per ofertim për ekspertizë profesionale për hulumtimin e martesave të hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Prishtinë, 2024

Informacion i përgjithshëm:

Konsorcoumi Zëri i Romëve, Egjiptianëve Ashkali (VoRAE), Fondacioni Terre des hommes (Tdh) dhe HEKS/EPER është duke zbatuar projektin "Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë", në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER).

Qëllimi i përgjithshëm i konsorciumit dhe vizioni është një shoqëri multi etnike dhe multi kulturore në Kosovë, ku pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian trajtohen si të barabartë nga shteti dhe nga shoqëria, ku kanë qasje dhe mundësi të barabarta sikur të gjithë qytetarët e tjerë dhe ku romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët njohin të drejtat dhe detyrat e tyre.

Përmes një sërë veprimesh avokuese, konsorciumi ka ndikuar në ndërtimin e kornizës ligjore dhe politikat e qeverisë, dhe ka ndikuar në marrjen e vendimeve që kanë avancuar përfshirjen sociale të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Duke mobilizuar bashkëpunëtorët në nivel lokal dhe nacional, konsorciumi krijoi me sukses sinergjinë e nevojshme për të rritur dhe avancuar politikat dhe integrimin institucional të intervenimeve për të ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e drejtave të fëmijëve dhe komuniteteve të cenueshme në përgjithësi.=

Martesat e hershme janë një problem i vazhdueshëm që prekë të rinjtë, veçanërisht ata nga komunitetet e margjinalizuara, si romët, ashkalit dhe egjiptianët në Kosovë. Ky fenomen, shpesh i nxitur nga faktorë socio-ekonomikë dhe kulturorë, ka pasoja të konsiderueshme në mirëqenien, arsimimin dhe perspektivat e ardhshme të atyre që përfshihen, veçanërisht vajzave të reja. Konsorciumi në fjalë, në bashkëpunim me Zyren e Kryeministrit të Kosovës, do të kontraktojë një ekspert lokal i/e cila ka kapacitete njerëzore, etike, profesionale dhe teknike për të kryer një hulumtim përmbajtësor, i cili ka për qëllim të shqyrtojë përhapjen, shkaqet dhe ndikimet e martesave të hershme, duke u fokusuar në dallimet ndërmjet zonave rurale dhe urbane, si dhe të ofrojë rekomandime konkrete për palët e interesuara që punojnë për parandalimin dhe trajtimin e këtij fenomeni.

1.Kontesti i ndërhyrjes:

Martesat e hershme mbeten një problem i thellë dhe i përhapur në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, duke ndikuar negativisht në të drejtat dhe mirëqenien e të miturve, veçanërisht të vajzave. Ky fenomen ndikon në arsimimin, zhvillimin personal, dhe mundësitë e tyre për të hyrë në tregun e punës, duke përforcuar ciklin e varfërisë dhe përjashtimit social.Në shumë raste, martesat e hershme ndodhin për shkak të varfërisë, normave kulturore dhe mungesës së arsimimit. Shpesh, prindërit dhe komunitetet e konsiderojnë martesën si një mënyrë për të siguruar mbrojtje ekonomike ose për të shmangur stigmatizimin social. Ndërkohë, qasja e kufizuar në arsim, sidomos për vajzat, dhe mungesa e qasjeve të sigurta ndaj institucioneve ligjore dhe të drejtave njerëzore kontribuojnë në përjetësimin e këtij fenomeni.

Për të adresuar këtë problematikë, është e nevojshme një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale që përfshin hulumtime të detajuara dhe rekomandime të qarta. Institucionet publike dhe organizatat joqeveritare kanë rolin thelbësor për të krijuar një mjedis mbështetës për fëmijët dhe për të parandaluar martesat e hershme përmes masave edukative, ligjore dhe sociale.Për të mbështetur këtë përpjekje, është formuar Grupi Ndërinstitucional për Parandalimin dhe Raportimin e Martesave të Hershme, i cili përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe nga organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë. Ky grup synon të sigurojë koordinim të plotë ndërmjet aktorëve dhe të kontribuojë në hartimin e masave efektive për parandalimin e martesave të hershme dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në këtë kontekst, angazhimi i një eksperti të specializuar është thelbësor për të kryer një hulumtim të thelluar mbi përmasat dhe ndikimet e martesave të hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Ky hulumtim do të ndihmojë në formulimin e politikave dhe veprimeve konkrete që do të adresojnë këtë problematikë në mënyrë më efektive.

QËLLIMI SPECIFIK

Qëllimi specifik i angazhimit të ekspertit/ës është të hartojë nje raport/ hulumtim I cili do të ofrojëtë gjeturat për:

  • Ku? Sa është prezent fenomeni i martesës së hershme në komuna të ndryshme. A ka një trend për dallimet mes kontekstëve rurale dhe urbane?
  • Kush? Sa janë të prekura vajzat dhe djemtë ] prej martesës së hershme? Cilat janë ndryshimet (të ndryshme apo të njejta) në të dy gjinitë, përshembull, sa i përket shëndetit, arsimimit dhe qasjes në tregun e punës?
  • Pse? Cilat janë arsyet kryesore/shtyesë që ndikojnë në ekspozimin e të miturve në martesa të hershme? Pritet të dallohen edhe arsyjet ekonomike edhe kulturore
  • Si? Kur të raportohet një rast i martesës së hershme tek Policia e Kosovës, çfarë masësh ndërmirren? Si ndikojnë në mirëqenien e palëve të ‘martuara’ dhe ndonjë fëmijë eventual të tyre

Detyrat dhe Përgjegjësitë e Ekspertit/ës

Eksperti do të jetë përgjegjës për:

  • Hartimin e një raporti të detajuar, që përfshin analizën e fenomenit të martesave të hershme në 14 komunat me popullatë të madhe të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian: Ferizaj, Fushë Kosovë, Graçanicë, Gjakovë, Istog, Klinë, Lipjan, Mitrovicë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prizren, Rahovec, dhe Shtime.
  • Përmbledhjen e situatës ligjore në lidhje me martesat e hershme dhe bashkëjetesën jashtë martesore, duke përfshirë dispozitat ligjore për personat madhorë që bashkëjetojnë me të miturit nën moshën 18 vjeç.
  • Kryerjen e një hulumtimi përmes anketave dhe intervistave me fëmijë dhe të rritur nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
  • Intervistimin e punonjësve të Qendrave për Punë Sociale (QPS) në secilën prej komunave të përfshira.
  • Analizën e rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës për martesat e hershme gjatë periudhës 2022-2024.
  • Formulimin e rekomandimeve për institucionet relevante, OJQ-të dhe donatorët.

4. Metodologjia

Hulumtimi do të përfshijë:

  • Pyetësorë anonim për fëmijët:
    Do të zhvillohen pyetësorë anonimë me rreth 200 fëmijë të moshës 13 deri në 18 vjeç nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ky hulumtim synon të kuptojë përvojat dhe qëndrimet e fëmijëve në lidhje me martesat e hershme.
  • Pyetësorë anonim për të rriturit:
    Do të zhvillohen gjithashtu pyetësorë anonimë me mbi 100 burra dhe gra të moshës 18 deri në 40 vjeç, të cilët kanë qenë të martuar nën moshën 18 vjeç. Këto pyetësorë do të ofrojnë informacion mbi përvojat e tyre dhe ndikimet afatgjata të martesave të hershme në jetën e tyre.
  • Gjuha e pyetësorëve:
    Pyetësorët do të jenë të përgatitur në gjuhën shqipe dhe serbe, varësisht nga gjuha që flasin respondentët. Kjo siguron që hulumtimi të jetë gjithëpërfshirës dhe i aksesueshëm për të gjithë pjesëmarrësit.
  • Mostra e respondentëve:
    Mostra e zgjedhur për hulumtimin do të jetë në përputhje me shtrirjen gjeografike dhe etnike të popullatave rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Do të përfshihen fëmijë që ndjekin shkolla si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën serbe.
  • Bashkëpunimi me organizatat lokale:
    Për realizimin e anketimit, do të kërkohet bashkëpunimi me organizata joqeveritare që kanë qendra mësimore dhe kanë krijuar besim tek familjet në komunitetet përkatëse. Kontakti dhe mbështetja përkatëse mund të sigurohet nga Grupi Ndërinstitucional për Raportimin dhe Parandalimin e Martesave të Hershme.
  • Analiza e rasteve të raportuara në polici:
    Rastet e raportuara të martesave të hershme tek policia gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024 do të analizohen bazuar në:
  • Statusi socio-ekonomik i palëve të përfshira.
  • Niveli i arsimit të prindërve dhe personave të 'martuar'.
  • Ndikimi në lindje të mundshme prej martesës.
  • Lidhja me raportet e dhunës në familje.
  • Grupi i referencës për hulumtim:
    Një grup referencë do të formohet brenda Grupit Ndërinstitucional për Raportimin dhe Parandalimin e Martesave të Hershme. Ky grup do të përfshijë anëtarë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe partnerë ndërkombëtarë.

5. Rezultatet e Pritura

Raporti përfundimtar do të përbëhet nga:

  1. Përmbledhje ekzekutive.
  2. Analizë e situatës ligjore për martesat e hershme dhe bashkëjetesën jashtë martesore.
  3. Përmbledhje e literaturës ekzistuese mbi martesat e hershme.
  4. Rezultatet e anketimit dhe intervistave me të mitur dhe të rritur nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
  5. Rekomandime për Grupin Ndërinstitucional, institucionet në nivel lokal dhe qendror, OJQ-të dhe donatorët.

2. AUDIENCA DHE PËRDORIMI

Dokumentacioni që do të hartohet nga eksperti/ja do të jetë i destinuar kryesisht për përdorim nga:

  • Grupi Ndërinstitucional për Parandalimin dhe Raportimin e Martesave të Hershme: Ky grup përfshin përfaqësues nga institucionet qendrore dhe lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë përgjegjës për bashkërendimin e masave dhe politikave që adresojnë martesat e hershme në Kosovë.
  • Institucionet publike në nivel lokal dhe qendror: Si organet që kanë përgjegjësinë e zbatimit të ligjit dhe të politikave të mbrojtjes sociale, këto institucione do të përdorin rekomandimet për të forcuar mekanizmat për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të martesave të hershme.
  • Organizatat Joqeveritare (OJQ): Organizatat që punojnë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian do të përdorin gjetjet e raportit për të përmirësuar programet e tyre të ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për të miturit e prekur nga martesa e hershme.
  • Donatorët ndërkombëtarë: Donatorët që financojnë dhe mbështesin projekte që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përfshirjen sociale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian do të përdorin këtë raport për të orientuar strategjitë e tyre të financimit dhe mbështetjes.
  • Hulumtues dhe ekspertë: Rezultatet dhe rekomandimet e raportit do të jenë një burim i rëndësishëm për hulumtuesit dhe ekspertët që janë të interesuar në çështjet e martesave të hershme dhe përfshirjen sociale në kontekstin e Kosovës.

Raporti do të shërbejë si një udhëzues praktik për këto audienca në përpjekjet e tyre për të adresuar fenomenin e martesave të hershme, duke ofruar një bazë të fuqishme për veprime konkrete dhe të informuara nga të dhënat e hulumtimit.

3. PROCESI I REKRUTIMIT

Procesi i rekrutimit të ekspertit/ës për hartimin e dokumentacioneve të Ekipit Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë do të përfshijë hapat e mëposhtëm:

  1. Rekrutimi i ekspertit/ës: Procesi i rekrutimit fillon me shpalljen e pozitës dhe identifikimin e kandidatëve potencialë. Kandidatët potencial mund të jenë individë që plotësojnë kriteret e përcaktuara më poshtë.
  2. Seleksionimi dhe intervistimi: Pas marrjes së aplikacioneve, eksperit/ja i/e përzgjedhur do të selektohet duke u bazuar në kriteret e përcaktuara për pozitën, si përvoja, njohuritë teknike dhe aftësitë e komunikimit. Një proces interviste do të ndihmojë në vlerësimin e aftësive dhe përvojës së kandidatit/ës për të siguruar që ai/ajo është i/e përshtatshëm për pozitën e e kërkuar.
  3. Kontrata dhe takimi fillestar: Pas përzgjedhjes, do të hartohet një kontratë e punës që përcakton detyrat, obligimet dhe kushtet e punës së tyre.
  4. Fillimi i angazhimit: Pas nënshkrimit të kontratës, eksperti/ja do të fillojë punën e tij sipas planit të përcaktuar, duke hartuar dhe zhvilluar dokumentacionet e nevojshme për mbështetjen e Ekipit Ndërinstitucional në përmbushjen e detyrave të tyre.

6.PLANI DHE BUXHETI

Eksperti do të angazhohet për hartimin e dokumenteve përkatëse për zbatimin e përgjegjësive të Ekipit Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës. Eksperti do të angazhohet njezet (20) ditë pune, përgjatë periudhës, Dhjetor 2024 – Mars 2025.

7. KRITERET E PERZGJEDHJES

  • Diplomë universitare në shkencat sociale, ekonomike, sociologji, studime gjinore, ose fusha të tjera të ngjashme. Diplomë master ose doktoraturë në fushat përkatëse do të përbëjë përparësi.
  • Të paktën pesë (5) vite përvojë profesionale në hartimin e politikave publike, hulumtime sociale, ose projekte që lidhen me përfshirjen sociale dhe të drejtat e njeriut.
  • Përvojë në kryerjen e hulumtimeve në terren dhe analiza të thelluara që përfshijnë komunitete të margjinalizuara, me fokus të veçantë te martesa e hershme ose çështje të tjera të ngjashme që ndikojnë në të drejtat e fëmijëve dhe grave.
  • Përvojë pune me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë do të konsiderohet një përparësi.
  • Njohuri të thelluara mbi çështjet e martesave të hershme, normat kulturore dhe sfidat socio-ekonomike që prekin komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
  • Njohuri mbi kornizat ligjore dhe institucionale që lidhen me martesat e hershme dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë
  • Aftësi të shkëlqyera analitike për të kryer hulumtime cilësore dhe sasiore, për të analizuar të dhënat dhe për të nxjerrë përfundime dhe rekomandime praktike.
  • Aftësi të shkëlqyera për të hartuar raporte të strukturuara dhe të qarta që përfshijnë analizë të thelluar të të dhënave dhe zgjidhje të propozuara për problemet e identifikuara.
  • Aftësi për të komunikuar në gjuhën shqipe dhe serbe do të konsiderohet një avantazh.
  • Ekspertizë në përdorimin e metodave dhe mjeteve hulumtuese, përfshirë zhvillimin dhe administrimin e pyetësorëve dhe intervistave.
  • Njohuri mbi analizën e të dhënave të marra nga hulumtimet dhe përpunimi i tyre në formën e raporteve dhe rekomandimeve.

8. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR /KUSHTET PËR APLIKIM

  • CV;
  • Oferta financiare;
  • Një plan pune i detajuar që përshkruan metodologjinë e propozuar për hulumtimin, aktivitetet kryesore që do të ndërmerren, kohëzgjatjen e secilës fazë dhe rezultatet e pritshme. Plani i punës duhet të demonstrojë një kuptim të qartë të problematikës dhe qasjen për të arritur qëllimet e hulumtimit;
  • Propozimi teknik duhet të përfshijë një përshkrim të metodologjisë së hulumtimit, qasjen e përdorur për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, si dhe strategjitë për përfshirjen e të anketuarve dhe grupeve të targetuara. Gjithashtu, duhet të përshkruajë bashkëpunimin me organizatat lokale dhe akterët e interesit.
  • Të paktën dy (2) referenca profesionale nga projekte të mëparshme të ngjashme që kanë të bëjnë me hulumtime sociale, politikat publike, ose çështje që prekin komunitetet e margjinalizuara. Referencat duhet të përfshijnë kontaktet e nevojshme për verifikim.

9. MËNYRA E APLIKIMIT:

Aplikimi duhet të dorëzohet në formë të shkresës zyrtare në adresën e organizatës [email protected] dhe [email protected]
Marrja në shqyrtim dhe vlerësimi i aplikimeve do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në specifikimet e ofertës dhe kushtet për aplikim.

Afati i fundit për aplikim është deri më datë 29.11.2024

Çdo aplikim që dërgohet pas afatit të përcaktuar më lartë nuk do të merret parasysh.