business

Thirrje për aplikime nga agrobizneset

  • star Publikuar: 04-11-2022
  • star Skadon: 24-11-2022

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Ftesa për Tender
Numri i pozitave 1
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 4370

Thirrja e 3-të për propozime

Për agrobizneset për t'i mbështetur zinxhirët e zgjedhur të vlerës sipas qasjes së zhvillimit të sistemit të tregut

Udhëzime për aplikantë

Programi numër 8191-00/2019 i financuar nga ADC

Afati për dorëzimin e aplikacionit

24.11.2022 ora 16:00 (CET)

Thirrje për Aplikim

për organizatat që t’i zbatojnë prioritetet e projektit dhe të investojnë në përforcimin e zinxhirëve të përzgjedhur të vlerës

1.Sfondi

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, Caritas-i Zviceran (CaCH) është duke zbatuar projektin “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik Rural” (SIRED), i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC) dhe i bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe tetë komuna të tjera. Projekti ka për qëllim të promovojë sisteme më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të tregut përmes rritjes së prodhuesve dhe aktorëve të tregut dhe rritjes së të ardhurave dhe produktivitetit të tyre, duke kontribuar kështu në uljen e varfërisë së popullsive rurale, veçanërisht të grave dhe grupeve shoqërore të margjinalizuara në komunat e Dragashit, Graçanicës, Kamenicës, Novobërdës, Prizrenit, Ranillugut, Shtërpcës, Suharekës dhe Vitisë.

Bazuar në kërkesat e tregut dhe sipas analizës së plotë, CaCH ka identifikuar tre zinxhirë të vlerave/sisteme tregu si nën sektorë bujqësorë që kanë potencial të mjaftueshëm për rritje gjithëpërfshirëse ekonomike, ekologjike, të ndjeshme gjinore dhe për zvogëlimin e varfërisë:

- Produkte Pyjore Jodrusore (PPJD) dhe Bimë Mjekësore dhe Aromatike (BMA),

- Fruta manore (mjedra, dredhëza, boronica) dhe

- Përpunimi vendor i perimeve dhe frutave.

Projekti SIRED - përmes Qasjes për Zhvillimin e Sistemit të Tregut (ZHST) - u siguron aktorëve të tregut zgjidhje që i përgjigjen kufizimeve sistemike dhe arsyeve të tyre themelore. Shumica e shkaqeve të punës së pakënaqshme nuk qëndrojnë në marrëdhëniet midis aktorëve të tregut, por në funksione dhe rregulla mbështetëse të ndërlidhura që rrisin zinxhirët e vlerës, të cilët deri diku janë jofunksional ose jo adekuat. Projekti SIRED - përmes intervenimeve - do të ofrojë zgjidhje për t’i përmirësuar këto funksione të ndërlidhura dhe për t’i përforcuar zinxhirët specifikë të vlerës të sektorëve të përzgjedhur bujqësorë.

Projekti SIRED ka mbështetur tashmë 25 Aktorë të Tregut në Zinxhirët e përzgjedhur të Vlerave përmes ndërhyrjeve të ndryshme në 10 komunat e synuara të lartpërmendura. Në Thirrjen e parë pararendëse të projektit, fokusi ishte më i lartë në kultivim dhe përpunim, ndërsa në këtë thirrje është prezantuar opsioni i mbështetjes për qasje në financa, marketing dhe eksport si një pengesë shtesë ku aktorët e tregut kanë nevojë për mbështetje.

2. Qëllimi i kësaj thirrjeje

Të identifikohen Aktorët e Tregut (agrobizneset, kooperativat, organizatat e prodhuesve, shërbimet shtesë dhe ofruesit e marketingut në bujqësi) në zinxhirët e përzgjedhur të vlerës, të cilët janë të interesuar të bashkëpunojnë me projektin SIRED për t’i përforcuar zinxhirët specifikë të vlerës.

Mbështetja financiare do t'u sigurohet aktorëve të pranueshëm të tregut dhe shërbimeve shtesë, të cilët do t’i mbështesin më tej fermerët, prodhuesit dhe përpunuesit për ta rritur kultivimin, aplikimin e burimeve organike të prodhimit dhe kapacitetet e certifikimit dhe prodhimit sipas objektivave të projektit SIRED. Për më tepër, do të favorizohen mundësitë e tregtisë dhe eksportimit për ta përmbushur kërkesën e tregut dhe për t’i forcuar zinxhirët e vlerës në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Aktorët e përzgjedhur të tregut do të vënë theks të veçantë në integrimin gjinor, gjithpërfshirjen sociale dhe në qëndrueshmërinë mjedisore.

3. Rezultatet e pritshme të projektit SIRED

  • Aktorët e tregut kanë rritur potencialin e tyre lokal për tregti dhe eksport,
  • Aktorët e tregut kanë diversifikuar dhe përmirësuar cilësinë e produkteve të tyre,
  • Qasja në financa mundësohet për mundësi të qëndrueshme për investime,
  • Është përmirësuar marketingu i produkteve dhe shërbimeve të aktorëve të tregut,
  • Prodhuesit dhe aktorët e tjerë kanë forcuar pozicionin e tyre në sistemin e përzgjedhur të tregut dhe kanë rritur të ardhurat e tyre dhe të partnerëve të tyre,
  • U krijua punësim dhe vende të reja pune,
  • Aktorët e tregut kanë siguruar përfshirjen sociale dhe fuqizimin e grave.
  • Aktorët e tregut kanë lehtësuar qasjen në inpute dhe lëndë të para për frutat manore dhe bimët aromatike mjekësore për fermerët e rinj,
  • Aktorët e tregut kanë rritur sipërfaqen e kultivimit (përveç tyre) me angazhimin e fermerëve të rinj,
  • Aktorët e tregut kanë rritur kapacitetet prodhuese, kanë përmirësuar cilësinë e produkteve dhe janë mundësuar mundësi të reja eksporti,
  • Aktorët e tregut kanë rritur kapacitetet përpunuese për frutat manore, bimët mjekësore dhe aromatike dhe produktet pyjore jodrusore,
  • Aktorët e tregut kanë forcuar linjat e prodhimit të përpunimit vendor të perimeve dhe frutave,

4. Lokacioni

Ndërhyrjet do të mbështeten në komunat në vijim:

  • Dragash,
  • Graçanicë,
  • Kamenicë,
  • Novobërdë,
  • Prizren,
  • Ranillug,
  • Shtërpcë,
  • Suharekë, dhe
  • Viti.

5. Korniza kohore

Kohëzgjatja e aktiviteteve të propozuara të projektit mund të jetë midis 01.01.2023 – 30.08.2023

6. Kush mund të aplikojë:

Aktorët e regjistruar të tregut, (agrobizneset, kooperativat, organizatat e prodhuesve, shërbimet shtesë (gjithashtu konsorciumet) që punojnë në kultivim, përpunim, marketing, trajnime të përshtatura dhe eksportim në zinxhirët e mëposhtëm të vlerës:

  • Frutat manore: mjedra, boronica, dredhëza dhe frutat manore të tjera,
  • Produkte pyjore jodrusore, bimë mjekësore dhe aromatike,
  • Përpunimi i perimeve dhe pemëve vendore (pa kultivim).

Inkurajohen të aplikojnë agrobizneset e drejtuara nga gratë në zinxhirët e sipërpërmendur të vlerave.

Ju lutem vini re se aktorët e tregut të cilët ishin kontraktuar brenda njërës prej dy Thirrjeve të fundit për Aplikime (Iniciativat e Grave dhe Aktorët e Tregut) në vitin 2020 mund të aplikojnë vetëm për kultivim (burime të prodhimit) për fermerë/anëtarë të rinj të kooperativës, bujqësi të kontraktuar dhe trajnim (nuk janë të pranueshme pajisjet për përpunim, ruajtje ose kostoja për marketing).

7. Aktivitetet e mbështetura dhe kostot e pranueshme:

  • Qasja në shërbime financiare dhe trajnime për financat:
    • Aktorët e tregut mund të angazhojnë konsulencë të jashtme për këshillim dhe trajnim mbi qasjen në financa për biznesin e tyre dhe fermerët e tjerë për ta rritur kapitalin financiar dhe për të inkurajuar investime të qëndrueshme, duke përfshirë trajnimin mbi edukimin financiar dhe qëndrueshmërinë financiare,
    • Aktorët e tregut mund të marrin këshilla për prezantimin e risive financiare;
    • Aktorët e tregut mund të angazhojnë konsulencë të jashtme për formimin ose zgjerimin e kooperativave, duke përfshirë qasjen e përbashkët në financa.
  • Bujqësia e kontraktuar[1]:
    • Paketat mbështetëse për kultivimin e frutave manore dhe BMA-ve që do t'u shpërndahen fermerëve (përveç aplikantëve) nga aplikanti, të cilat mund të përfshijnë fidanë për BMA dhe fruta manore, sistemet e ujitjes pikë-pikë dhe materialet mbështetëse,
    • Certifikimi i BMA-ve, perimeve, frutave dhe frutave manore organike,
    • Plehra organike (nuk lejohen plehra konvencionale ose pesticide),
    • Analiza e tokës (struktura, pjelloria, mbetjet e pesticideve) dhe analiza e ujit,
    • Metoda/risitë dixhitale për përmirësimin e kultivimit dhe përpunimit.
  • Infrastruktura:
    • Linjat e prodhimit dhe përpunimit për frutat manore, BMA-të dhe PPJD-të,
    • Zgjidhje inovative të TI për bujqësinë,
    • Pajisje për përpunimin vendor të frutave dhe perimeve,
    • Dhomat e tharjes për BMA, PPJD dhe frutat manore,
    • Montimi/instalimi i objekteve të punës (panele sandviç), linja prodhimi për fruta manore, BMA, pemë dhe perime.

Shënim: Aktorët e tregut të mbështetur më parë nga projekti SIRED nuk kanë të drejtë të aplikojnë për këtë komponent.

  • Këshilla për planifikimin e biznesit,
  • Marketing (trajnim dhe investim në markë, paketim, artikuj promovues),
  • Shërbime Këshillimore për kultivim, përpunim ose marketing.

8. Kostot e papranueshme:

  • Kosto për stafin/personelin,
  • Dhomat e ftohjes,
  • Makineri bujqësore dhe automjete,
  • Ndërtimi i ndërtesave dhe rinovimet,
  • Serrat,
  • Material ambalazhimi i paqëndrueshëm (nuk lejohet plastika),
  • Material promovues i paqëndrueshëm (nuk lejohet plastika),
  • Çdo shpenzim i bërë para dhënies së një kontrate,
  • Shpenzimet operative dhe kostot e funksionimit (materialet shpenzuese, mirëmbajtja, transporti, energjia elektrike, interneti, qiraja ose të ngjashme).

9. Shuma e financimit e pranueshme për aplikant që mund të kërkohet nga CACH

Shuma e pranueshme që mund të kërkohet nga Caritas-i zviceran në kuadër të kësaj thirrjeje duhet të jetë në intervalin e mëposhtëm:

- Minimum: 25,000.00 EURO

- Maksimum: 50,000.00 EURO

  • Trajnimi, njohuritë dhe këshillat financiare dhe marketingu: Agrobizneset duhet të marrin pjesë me minimum 30% dhe projekti SIRED me maksimum 70% të shumës së përgjithshme të projektit (pjesëmarrja e CACH nuk e kalon shumën maksimale të specifikuar më lart për komunat përkatëse).
  • Bujqësia e kontraktuar: Agrobizneset duhet të marrin pjesë me minimum 30% dhe projekti SIRED me maksimum 70% të shumës së përgjithshme të projektit (pjesëmarrja e CACH nuk e kalon shumën maksimale të specifikuar më lart për komunat përkatëse).
  • Infrastruktura/investimi: Agrobizneset duhet të marrin pjesë me minimum 50% dhe CACH me deri në 50% të shumës së infrastrukturës/investimit (pjesëmarrja e CACH nuk e kalon shumën maksimale të specifikuar më sipër për komunat përkatëse).
  • Të tre elementët mund të kombinohen në një buxhet.

10. Kriteret e pranueshmërisë për të gjithë aplikuesit

  • Organizata/agrobiznesi (selia) duhet të jetë i regjistruar me zyrën e tij kryesore në një nga komunat e synuara të projektit dhe të jetë aktiv për të paktën dy vjet.
  • Agrobizneset, kooperativat, shërbimet shtesë dhe organizatat e prodhuesve, aktiviteti dhe përvoja kryesore e të cilave është brenda zinxhirëve të përzgjedhur të vlerës (frutat manore, BMA-PPJD, përpunimi vendor). Të paktën dy vjet përvojë në këtë sektor.
  • Investimet duhet të bëhen brenda kufijve administrativë/territorit të komunës përkatëse ku është regjistruar selia e organizatës, Dragash, Graçanicë, Kamenicë, Novobërdë, Prizren, Ranillug, Shtërpcë, Suharekë dhe Viti. Degët e kompanive të regjistruara në komuna të tjera të pakualifikuara, të ndryshme nga selia e tyre, nuk mund të aplikojnë.
  • Dëshmia për infrastrukturën ekzistuese të punës, kapacitetet përpunuese ose linjat e prodhimit.

11. Kriteret e përzgjedhjes:

  • Përparësi do të kenë aplikantët, të cilët nuk kanë përfituar nga thirrjet e mëparshme të projektit SIRED.
  • Dëshmi për njohuritë dhe për vitet e përvojës së punës në të paktën njërin nga sektorët e sipërpërmendur (fruta manore, BMA-PPJD, përpunimi vendor),
  • Të ketë krijuar lidhje me fermerët vendorë dhe aktorët e tjerë të tregut,
  • Ndikimi i tregut përtej biznesit kryesor brenda zinxhirit të vlerës, duke përfshirë krijimin e vendeve të reja të punës dhe të ardhurave për aktorët më të vegjël të tregut, përveç aplikuesit,
  • Të jetë pjesë e së paku një zinxhiri të veçantë të vlerave dhe sektori në përpunimin, marketingun dhe eksportimin e frutave manore, pemëve dhe perimeve, produkteve pyjore jo drusore ose bimëve mjekësore dhe aromatike,
  • Për përvojë në kultivim në mbështetjen e fermerëve me kultivim, dhënie të këshillave dhe burime të prodhimit, shërbime shtesë, vjelje të produkteve bujqësore, përpunim, marketing ose eksportim,
  • Përvojë me kontratë me bashkëpunëtorë lokalë, fermerë individualë dhe aktorë të tjerë të tregut. Përfituesit përfundimtarë do të jenë nga komunat e lartpërmendura,
  • Kontributi drejt integrimit gjinor, gjithpërfshirjes shoqërore dhe mbrojtjes mjedisore (të specifikuar në formularin e aplikimit),
  • Buxheti i propozuar me çmime reale të tregut,
  • Teknologjia inovative, me efiçiencë të energjisë dhe inteligjente klimatike do të vlerësohet me pikë shtesë.

Shënim: Komiteti i vlerësimit do t'i verifikojë aplikacionet e pranueshme gjatë vizitave në terren që do të kryhen gjatë procesit të përzgjedhjes, si pjesë e vlerësimit.

12. Lista e pikëve:

Rezultati i aplikuesve do të jepet në bazë të kritereve të mëposhtme të përzgjedhjes:

KriteretPikët
Kapaciteti për ta menaxhuar intervenimin10
Ndikimi i vlerësuar i tregut / ekonomik dhe social / eksportit15
Numri i vendeve të punës të krijuara dhe qëndrueshmëria e tyre (sezonale, afatgjatë, vetëpunësim)15
Mbështetje për minoritetet ose personat me aftësi të kufizuara10
Mbështetje për gratë, integrimi gjinor10
Prodhim i certifikuar organik, duke kaluar në tranzicion për organik, fillimi i aplikimit të standardeve të cilësisë së produktit dhe sigurisë ushqimore10
Ndikimi në mjedis duke përfshirë efiçiencën e energjisë10
Oferta/buxheti financiar, duke përfshirë nivelin e bashkëfinancimit20

13. Dokumentet që duhet të dorëzohen nga aplikuesit

  • Do të pranohen vetëm aplikacionet që përdorin shabllonë të projekteve SIRED (Formularët e Aplikimit dhe Buxhetit, Shtojca 1 dhe 2) të siguruara si pjesë e kësaj pakoje.
  • Buxheti i ndërhyrjeve duhet të jetë në Euro pa TVSH për të gjithë zërat.
  • Regjistrimi i Biznesit/Organizatës (të gjitha faqet) dhe certifikatat e TVSH-së.
  • Dokumenti i Verifikimit Tatimor nga Administrata Tatimore e Kosovës. Kompanitë të cilat kanë marrëveshje me ATK-në për borxhet e tyre, duhet të paraqesin kontrata të nënshkruara dhe të vulosura nga ATK-ja.
  • Dokument i cili dëshmon se kompania/përfaqësuesi ligjor nuk është nën hetim (dosja penale nga policia).
  • Verifikimi i llogarisë bankare aktive.
  • Dokumentacioni mbi infrastrukturën ekzistuese të punës, kapacitetet përpunuese apo prodhuese
  • Opsionale: Plani i biznesit
  • Opsionale: raporti financiar vjetor (në mënyrë ideale për 3 vjetët e fundit) që paraqet qarkullimin dhe fitimin
  • Opsionale: auditimi vjetor (në mënyrë ideale për 3 vjetët e fundit)
  • Opsionale: Lista e projekteve referuese

14. Klauzolat e etikës dhe Kodi i Sjelljes

a. Mungesa e konfliktit të interesit

Aplikuesi nuk duhet të përfshihet nga asnjë konflikt interesi dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje ekuivalente në atë drejtim me aplikuesit ose palët e tjera të përfshira. Çdo përpjekje e një aplikuesi për të marrë informacione konfidenciale, për të lidhur marrëveshje të jashtëligjshme me konkurrentët ose për të ndikuar në komisionin e vlerësimit ose në autoritetin kontraktues gjatë procesit të shqyrtimit, sqarimit, vlerësimit dhe krahasimit të aplikacioneve do të çojë në refuzimin e aplikacionit të tij dhe mund të rezultojë në ndëshkime administrative.

b. Respektimi i të drejtave të njeriut, si dhe legjislacionit mjedisor dhe standardeve kryesore të punës

Aplikuesi dhe stafi i tij duhet t’i respektojnë të drejtat e njeriut. Në veçanti dhe në përputhje me ligjin në fuqi, aplikuesit të cilëve u janë dhënë kontratat duhet t’i përmbahen legjislacionit mjedisor duke përfshirë marrëveshjet shumëpalëshe mjedisore, dhe standardeve kryesore të punës të zbatueshme dhe të përcaktuara në konventat përkatëse të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (të tilla si konventat mbi lirinë e shoqërimit dhe negocimin kolektiv; eliminimin e punës së detyruar dhe të detyrueshme; diskriminimin me bazë gjinore në lidhje me punën; ndalimi i punës së fëmijëve).

c. Zero tolerancë për shfrytëzimin seksual dhe abuzimin seksual

Caritas-i zviceran zbaton një politikë të 'tolerancës zero' në lidhje me të gjitha sjelljet e gabuara që kanë ndikim në kredibilitein profesional të aplikuesit. Ndalohen abuzimi ose ndëshkimi fizik, ose kërcënimet për abuzim fizik, abuzimi ose shfrytëzimi seksual, ngacmimi dhe abuzimi verbal, si dhe format e tjera të frikësimit.

d. Masat kundër korrupsion dhe ryshfetit

Aplikuesi duhet t’i përmbahet të gjitha ligjeve dhe rregulloreve dhe kodeve në fuqi në lidhje me masat kundër ryshfetit dhe korrupsionit. Caritas-i zviceran rezervon të drejtën të pezullojë ose anulojë financimin e projektit nëse zbulohen praktikat korruptive të çdo lloji në çdo fazë të procesit të dhënies ose gjatë ekzekutimit të një kontrate dhe nëse autoriteti kontraktues nuk merr të gjitha masat e duhura për të korrigjuar situatën. Për qëllimet e kësaj dispozite, 'praktika korruptive' janë ofrimi i ryshfetit, dhuratës, shpërblimit ose përqindjes së komisionit për çdo person si nxitje ose shpërblim për kryerjen ose përmbajtjen nga çdo veprim në lidhje me dhënien e një kontrate ose ekzekutimin e një kontrate tashmë të lidhur me autoritetin kontraktues.

e. Shpenzime komerciale të pazakonta

Do të refuzohen aplikacionet ose do të ndërpriten kontratat nëse rezulton se dhënia ose ekzekutimi i një kontrate ka shkaktuar shpenzime të pazakonta komerciale. Shpenzime të tilla të pazakonta komerciale janë përqindje komisioni që nuk përmenden në kontratën kryesore ose që nuk rrjedhin nga një kontratë e lidhur në mënyrë të duhur duke iu referuar kontratës kryesore, komisione që nuk paguhen në këmbim të ndonjë shërbimi aktual dhe legjitim, komisione të dërguara në një parajsë tatimore, komisione që i paguhen një përfituesi i cili nuk është identifikuar qartë ose komisione që i paguhen një kompanie e cila i ka të gjitha paraqitjet e të qenurit kompani guackë. Përfituesit për të cilët është konstatuar se kanë paguar shpenzime komerciale të pazakonta për projektet e financuara nga Caritas-i zviceran, janë të detyruar, në varësi të seriozitetit të fakteve të vëzhguara, me ndërprerje të kontratave të tyre.

f. Shkelja e detyrimeve, parregullsitë ose mashtrimi

Caritas-i zviceran rezervon të drejtën ta pezullojë ose anulojë procedurën, kur procedura e dhënies dëshmon se i është nënshtruar shkeljes thelbësore të detyrimeve, parregullsive ose mashtrimit. Nëse zbulohen shkelje thelbësore të detyrimeve, parregullsi ose mashtrim pas dhënies së kontratës, autoriteti kontraktues mund të përmbahet nga lidhja e kontratës`.

15. Procesi i aplikimit

Hapi 1: Njihuni me dokumentet e aplikimit në detaje:

Formularët e aplikimit mund të shkarkohen duke klikuar në këtë link. https://drive.google.com/drive/folders/1zz3SoYTobOSkYIu-uflFJZr_J-8nxGRN?usp=share_link

ose të dorëzohen me postë elektronike sipas kërkesës (shih adresën e postës elektronike më poshtë).

Hapi 2: Sesioni Informues, në internet përmes platformës Zoom (shih linkun më poshtë). 15.11.2022 në orën 10:00.

https://us02web.zoom.us/j/84081407925

Hapi 3: Dorëzoni aplikacionin me kohë

Aplikacionet në gjuhën shqipe ose serbe duhet të dorëzohen në zarfe të mbyllura në adresën:

Zyra e Caritas-it zviceran në Kosovë

Fazli Balaj 59

10000 Prishtinë

Kosovë

Afati i fundit: Aplikacionet duhet të dorëzohen dhe të arrijnë në adresën e mësipërme deri më 24.11.2022 (ora 16:00). Aplikacionet që mbërrijnë pas datës dhe orës së ditës nuk do të merren parasysh.

Informacione shtesë:

Për pyetje rreth formularit të aplikimit dhe informacione shtesë, ju mund ta kontaktoni zyrën e Caritas-it zviceran në Kosovë përmes postës elektronike ose telefonit prej 07.11.2022 – 15.11.2022 (prej orës 09:00 deri në 16:00, nga e hëna deri të premten):

Caritas-i zviceran në Kosovë: [email protected]; +383 46 988 000

Ju lutem vendosni në CC Koordinatorin përgjegjës të zinxhirit të vlerave:

Për Prizren, Dragash, Suharekë, Kamenicë dhe Viti - [email protected]

Për Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë dhe Novobërdë - [email protected]

Kostoja e ofertimit: Caritas-i zviceran në Kosovë nuk do t'i mbulojë kostot e ofertimit dhe ka të drejtë t'i pranojë ose refuzojë ofertuesit, ose ta anulojë ose shtyjë të gjithë procesin e ofertimit para nënshkrimit të ndonjë marrëveshje.

Shtojca 1: Formulari i aplikimit

Shtojca 2: Formati i Buxhetit

[1] Prodhimi bujqësor, certifikimi organik ose përmirësimi i tokës i realizuar sipas një marrëveshjeje midis një blerësi dhe fermerëve, e cila krijon kushte për prodhimin dhe marketingun e një produkti ose produkteve të fermës.