
TERMI I REFERENCËS SË PUNËS PËR TUTOR
Ofertim për tutorim – Tutor për ofrimin e orëve shtesë për student. | Prishtinë,2025 |
INFORMACION I PËRGJITHSHËM
OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” me selinë e saj në Prishtinë është një organizatë jofitimprurëse që synon përmirësimin e kushteve të jetesë së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare përmes avokimit, përmirësimit të kushteve të banimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe organizimit të trajnimeve të ndryshme.
KONTEKSTI I NDËRHYRJES
Në Kosovë, studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përballen me një sërë sfidash në arsim, të cilat janë të theksuara dhe shumëfishohen për shkak të vështirësive të veçanta që këta studentë hasin. Krahasuar me numrin total të studentëve në vend, ata përfaqësojnë një pjesë të vogël, dhe vetëm një përqindje e vogël e atyre që përfundojnë shkollën e mesme vazhdojnë studimet e tyre në nivel universitar. Kjo situatë pasqyron pengesat ekonomike, sociale dhe kulturore, diskriminimin, mungesën e orientimit të duhur në karrierë, vetëbesimin e ulët dhe mungesën e motivimit, që pengojnë këta studentë të arrijnë sukses në arsimin e lartë.
Për të adresuar këto sfida dhe për të mbështetur progresin e tyre, organizata joqeveritare "Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve" ka krijuar një program të specializuar për të ndihmuar studentët nga këto komunitete. Programi "Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian" synon të krijojë një mjedis mbështetës, ku studentët mund të rrisin pjesëmarrjen e tyre në arsimin universitar dhe të përmirësojnë vijimin e studimeve dhe rezultatet e tyre. Ky program ka për qëllim jo vetëm të ndihmojë studentët të diplomohen, por edhe të rrisë mundësitë e tyre për t’u integruar në tregun e punës.
Duke ofruar mbështetje akademike dhe jo-akademike, programi synon të promovojë barazi dhe përfshirje në arsimin e lartë dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e aftësive profesionale të këtyre studentëve. Përmes kësaj mbështetjes, sfidat me të cilat përballen studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mund të kapërcehen, duke u dhënë atyre një mundësi më të mirë për të pasur sukses në karrierë dhe në jetë.
QËLLIMI SPECIFIK
Studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me një sërë sfidash që ndikojnë në arritjet e tyre akademike dhe zhvillimin profesional. Këto sfida përfshijnë vështirësi ekonomike dhe sociale, mungesën e orientimit të duhur në karrierë, vetëbesimin e ulët dhe aftësitë e kufizuara në menaxhimin e kohës dhe përdorimin efektiv të teknologjisë.
Organizata ka për qëllim që studentët të kalojnë provimet me sukses dhe të përfundojnë studimet brenda afatit të parashikuar. Megjithatë, shumë studentë përballen me sfida në disa lëndë, gjë që e vështirëson dhënien e provimeve në kohë. Prandaj, është thelbësore të sigurohen orë shtesë mbështetjeje, të cilat do t’u mundësojnë atyre të përvetësojnë më lehtë lëndët dhe të përfundojnë provimet me sukses brenda afatit.
Për të adresuar këto nevoja, programi "Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian" ofron ndihmë të strukturuar, përfshirë tutorimin si një komponent kyç. Ky program synon të ndihmojë studentët të përmirësojnë përformancën e tyre akademike duke u ofruar mbështetje individuale në lëndët ku hasin vështirësi.
Nëpërmjet orëve të tutorimit, studentët marrin ndihmë të personalizuar, gjë që u mundëson të kuptojnë më mirë konceptet e vështira, të zhvillojnë strategji efektive të të nxënit dhe të përgatiten më mirë për provime.
AUDIENCA DHE PËRDORIMI
Nga ofrimi i orëve të tutorimit do të përfitojnë studentët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian të cilët janë përfitues të programit “Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian”.
Përdorimi:
Studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me sfida akademike dhe sociale që ndikojnë në suksesin e tyre në arsim. Tutorimi u ofrohet për t’i ndihmuar të kapërcejnë këto vështirësi, duke siguruar mbështetje akademike shtesë, qasje të personalizuar në mësim, ndihmë në përvetësimin e materialeve mësimore, etj.
Pas përfundimit të orëve të tutorimit, studentët pritet të kenë përfitime të shumta në aspektin akademik dhe personal si, përmirësim në rezultatet akademike ku studentët do të kenë një kuptim më të mirë të materialit mësimor dhe do të arrijnë nota më të mira si dhe rritje e aftësive të studimit, ata do të mësojnë teknika efektive të të nxënit, të cilat do t’i ndihmojnë në përgatitjen për provime dhe detyra akademike.
METODOLOGJIA DHE PROCESI
Metodologjia dhe procesi i angazhimit të tutorëve do të përfshijë disa hapa kryesorë për të siguruar tutor të përshtatshëm dhe një proces të qëndrueshëm të mësimit. Këtu janë disa nga hapat e metodologjisë dhe procesit të angazhimit të tutorëve:
- Rekrutimi i tutorëve: Procesi i rekrutimit fillon me shpalljen e pozitës dhe identifikimin e kandidatëve të mundshëm. Kandidatët e mundshëm për të realizuar orët e tutorimit mund të jenë individë me përvojë të mëparshme si tutor.
- Seleksionimi dhe intervistimi: Pas marrjes së aplikacioneve, tutorët e përzgjedhur do të selektohen duke u bazuar në kriteret e përcaktuara për pozitën, si përvoja, njohuritë teknike dhe aftësitë e komunikimit. Një proces interviste do të ndihmojë në vlerësimin e aftësive dhe përvojës së kandidatëve për të siguruar që ata janë të përshtatshëm për pozitën e tutorit.
- Kontrata dhe takimi fillestar: Pas përzgjedhjes së tutorëve të përshtatshëm, do të hartohet një kontratë e punës që përcakton detyrat, obligimet dhe kushtet e punës së tyre. Dokumentet e para, duke përfshirë të dhënat e disponushme, i’u jepen tutorëve që do të përzgjidhet.
- Zhvillimi i materialeve të tutorimit: Tutori do të përgatisin një plan të punës duke u bazuar në nevojat e studentit dhe materialet e nevojshme për të arritur objektivat e përcaktuara.
- Zhvillimi dhe dorëzimi i raportit: Tutorët do të zhvillojnë dhe dorëzojnë raporte bazuar në materiale të përgatitura, duke siguruar një përvojë të mësimit efektive për studentin.
PRODUKTET E TUTORIT
Nga tutorët pritet të arrijë rezultat kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e përformancën akademike dhe zhvillimin e aftësive të studentëve. Këto rezultate përfshijnë:
- Studentët duhet të kenë një kuptim më të mirë të materialeve mësimore dhe të jenë në gjendje t'i aplikojnë ato në detyra dhe provime.
- Nota më të larta dhe progres i dukshëm në lëndët ku studentët kishin vështirësi
PLANI DHE BUXHETI
Tutori do të paguhet 20 euro për një orë dhe mund t’i mbanë deri në pesë orë shtesë për studentin.
KRITERET E PERZGJEDHJES
- Të jetë profesorë universitarë ose asistent
- Të mos jetë profesor ose asistent i cili i ligjëron studentëve
- Të ketë diplomë universitare
- Të ketë aftësi të mira komunikimi dhe motivimi për studentët
- Të ketë përvojë në metodologjinë bashkëkohore të edukimit
- Të ketë shkathtësi të shkrimit të raporteve
- Të ketë përvojë pune si tutor e preferushme
Këto kritere do të përdoren për të vlerësuar aplikacionet dhe për të zgjedhur më të përshtatshëm për ofrimin e trajnimit.
8. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR /KUSHTET PËR APLIKIM
Të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe t'i dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në e-mail adresën [email protected]
- CV;
- Dëshmitë nga Universiteti ( fakulteti)/ Kolegji për angazhimin e tij si profesor ose asistent
Universitete ( Fakultetet)/ Kolegjet ku na duhen tutor
- Kolegji AAB- Lënda Kontabilitet
- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”- Fakulteti i Filozofisë- Lënda Akademik APA
- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj-Lënda e Matematikës
- Universiteti i Prizrenit- Lëndët: Syntax ll dhe ESP ll (English for specific purposes)
- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj- Lënda: Gjuhë Gjermane
- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”- Fakulteti i Edukimit- Lënda Matematikë
9. MËNYRA E APLIKIMIT:
Aplikimi duhet të dorëzohet në email adresën e organizatës [email protected] , duke përfshirë dokumentacionin e nevojshëm dhe CV-në.
Afati i fundit për aplikim është deri më datë 09/03/2025
Ju lutemi specifikoni titullin e shpalljes në subjekt!
Çdo ofertë që dërgohet pas afatit të përcaktuar më lartë nuk do të merret parasysh