business

Ekspert


Ruaj
  • star Publikuar: 12-05-2026
  • star Skadon: 27-05-2026
Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë

VoRAE – TERMAT E REFERENCËS (ToR)

Për Angazhimin e Ekspert (it/ëve) për Hartimin e Planit të Punës dhe Dokumenteve Mbështetëse për Ekipin Ndërinstitucional për Nxitjen dhe Promovimin e Punësimit për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë

1. Sfondi

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” (VoRAE) në bashkëpunim me Zyrë për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, mbështet funksionalizimin dhe forcimin e mekanizmave institucionalë që synojnë përmirësimin dhe rritjen e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Në këtë kuadër, me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 06/81 (01.06.2022), është themeluar Ekipi Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ky mekanizëm ka për qëllim koordinimin ndërinstitucional për hartimin dhe zbatimin e politikave dhe masave konkrete që synojnë rritjen e përfshirjes së këtyre komuniteteve në tregun e punës.

Megjithatë, pavarësisht kornizës ligjore dhe strategjike ekzistuese, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të përballen me nivele të larta të papunësisë dhe përjashtimit social. Në këtë drejtim, ekziston nevoja për një Plan të strukturuar dhe të operacionalizueshëm të Punës, i cili do të mundësojë orientim të qartë, koordinim efektiv dhe matje të rezultateve të Ekipit Ndërinstitucional.

Ky angazhim synon zhvillimin e dokumenteve kyçe operative, përfshirë:

  • Planin e Punës së Ekipit Ndërinstitucional;
  • Mekanizmat për koordinim, monitorim dhe raportim ndërinstitucional.

2. Qëllimi i Angazhimit

Qëllimi kryesor i këtij angazhimi është hartimi i një Plani të detajuar dhe të zbatueshëm të Punës për Ekipin Ndërinstitucional, si dhe zhvillimi i dokumenteve mbështetëse që mundësojnë funksionim efektiv, koordinim të qëndrueshëm dhe rritje të ndikimit të politikave të punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Objektivat specifike:

  • Hartimi i Planit të Punës për periudhën e mbetur të vitit 2026 dhe për vitin 2027;
  • Identifikimi i prioriteteve strategjike dhe aktiviteteve konkrete për rritjen e punësimit;
  • Zhvillimi i mekanizmave për monitorim dhe raportim të progresit;
  • Hartimi i një udhëzuesi praktik për implementimin e masave të punësimit (përfshirë kuotat);
  • Sigurimi i aplikueshmërisë së dokumenteve përmes procesit të validimit me institucionet relevante.

3. Fusha e Punës/Detyrat

Eksperti/ja do të jetë përgjegjës/e për realizimin e detyrave në vijim:

o Rishikimin e dokumenteve ekzistuese relevante (strategji, plane veprimi, raporte dhe korniza ligjore), me qëllim sigurimin e koherencës dhe harmonizimit të Planit të Punës me politikat në fuqi;

o Analizimin e progresit të deritanishëm të Ekipit Ndërinstitucional, duke identifikuar sfidat, boshllëqet dhe mundësitë për përmirësim në funksionim dhe koordinim;

Hartimin e Planit të Punës për periudhën korrik–dhjetor 2026 dhe për vitin 2027, duke përfshirë:

  • Objektiva strategjike dhe specifike;
  • Aktivitete konkrete dhe të prioritizuara;
  • Ndarjen e qartë të roleve dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve;
  • Afate kohore të detajuara (timeline);
  • Indikatorë të matshëm të performancës;
  • Mekanizma për monitorim dhe vlerësim;

o Integrimin e një qasjeje ndërsektoriale dhe gjithëpërfshirëse, duke adresuar nevojat specifike të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në punësim;

o Definimin e mekanizmave të koordinimit ndërinstitucional, përfshirë takimet periodike, procedurat e komunikimit dhe raportimit;

o Parashikimin e burimeve të nevojshme për zbatim (njerëzore, financiare dhe teknike), si dhe identifikimin e burimeve potenciale të financimit;

o Integrimin e komponentit të qëndrueshmërisë së mekanizmit, duke përfshirë masa për institucionalizim dhe vazhdimësi të funksionimit;

o Prezantimin e draft Planit të Punës para Ekipit Ndërinstitucional dhe facilitimin e procesit të konsultimit;

o Integrimin e komenteve dhe finalizimin e Planit të Punës;

o Sigurimin që të gjitha dokumentet janë të qarta, të zbatueshme dhe të orientuara drejt rezultateve konkrete;

o Ofrimin e rekomandimeve për forcimin dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të mekanizmit ndërinstitucional.

4. Produktet e Pritshme (Deliverables)

Eksperti/ja do të dorëzojë:

  • Plan metodologjik të punës (Inception Report), që përfshin qasjen, metodologjinë dhe planin e detajuar të implementimit;
  • Draft Planin e Punës së Ekipit Ndërinstitucional për periudhën korrik–dhjetor 2026 dhe vitin 2027;
  • Planin final të Punës, të integruar me komentet dhe rekomandimet e palëve relevante;
  • Materiale prezantuese dhe fasilitimin e punëtorisë për prezantimin dhe validimin e Planit të Punës;
  • Raport përfundimtar, që përfshin përmbledhjen e procesit, gjetjet kryesore dhe rekomandimet për implementim dhe qëndrueshmëri të mekanizmit.

Secili produkt duhet të:

  • Dorëzohet në formatin e dakorduar me VoRAE & ZQM-në;
  • Respektojë afatet e përcaktuara;
  • Përmbushë standardet e cilësisë dhe konfidencialitetit.

5. Raportimi dhe Koordinimi

Eksperti/ja do t’i raportojë Zyrtarit të Lartë të Programit në VoRAE dhe do të punojë në koordinim të ngushtë me Ekipin Ndërinstitucional dhe institucionet relevante.

6. Kohëzgjatja e Angazhimit

  • Periudha e zbatimit: deri në dy (2) muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.
  • Data e fillimit: 05/06/2026.
  • Eksperti/ja propozon numrin e ditëve të punës sipas metodologjisë dhe volumit të punës.

7. Kualifikimet e Kërkuara

  • Diplomë universitare në Shkenca Sociale, Politika Publike, Ekonomi, Juridik ose fusha të ngjashme;
  • Minimum 5 vite përvojë në hartimin e politikave, planeve të punës ose dokumenteve strategjike;
  • Njohuri të thelluara mbi punësimin dhe përfshirjen sociale në Kosovë;
  • Përvojë pune me institucione publike dhe/ose organizata ndërkombëtare;
  • Përvojë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian konsiderohet përparësi;
  • Aftësi të shkëlqyera analitike dhe shkrimi.

8. Procedura e Aplikimit

Aplikantët duhet të dorëzojnë:

  • CV të përditësuar;
  • Propozim metodologjik dhe Plan pune;
  • Ofertë financiare (tarifa ditore dhe shuma totale);

9. Deklarata për Vlerë mbi Paratë

VoRAE nuk publikon tavane buxhetore apo numër të pritshëm të ditëve të punës. Aplikantët propozojnë ofertën e tyre financiare sipas metodologjisë dhe volumit të punës.

10. Vlerësimi dhe Poentimi

  • Ekspertiza Teknike & Kualifikimet – 40 pikë
  • Metodologjia & Kuptimi i Detyrës – 30 pikë
  • Oferta Financiare & Vlera për Paratë – 20 pikë
  • Intervista (kandidatët e përzgjedhur) – 10 pikë
    Totali: 100 pikë

11. Kërkesat për Etikë, Konflikt Interesi dhe Konfidencialitet

Eksperti/ja do të nënshkruajë:

  • Deklaratë për Konflikt Interesi & Paanshmëri;
  • Klauzola kontraktuale për konfidencialitet;
  • Dokumente të tjera përputhshmërie sipas kërkesës.

12. Përputhshmëria me Rregulloret e VoRAE

Ky angazhim zhvillohet në përputhje të plotë me rregulloret dhe politikat e brendshme të VoRAE.

13. Afati për Dorëzim

Dorëzimi elektronik në: [email protected]
Afati për Aplikim: 27/05/2026, ora 00:00.
Dorëzimet pas afatit nuk do të shqyrtohen.

14. Kontakti

Emri: Senad Ibishi
Pozita: Zyrtar i Lartë i Programit
Email: [email protected] .