Ftesë për Shprehje të Interesimit - Konsulencë Individuale
Data: 13.5.2026
Forcimi i cilësisë së shërbimeve të edukimit të fëmijërisë së hershme në institucione të EFH-së dhe stimulimit të hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë
Strengthening the quality of center-based early childhood education services and early stimulation at home for young children in Kosovo
Përshkrimi:
Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim njeh rëndësinë e periudhës kritike të të nxëit dhe zhvillimit në vitet e para të jetës dhe rolin vendimtar të cilësisë së edukimit në këtë periudhë. Edukimi i hershëm cilësor është thelbësor dhe integral në zhvillimin holistik të fëmijëve, veçanërisht për më të pafavorizuarit, duke kompensuar privimet e mjedisit të tyre social. Andaj përmes forcimit të aftësive të profesionistëve të edukimit të hershëm për të zbatuar në mënyrë efektive kurrikulën e re të edukimit në fëmijërinë e hershme, si dhe fuqizimit të ndërgjegjësimit të prindërve/kujdestarëve për rëndësinë e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme, synojmë të krijojmë shance dhe mundësi për mjedise stimuluese dhe zhvillimore ku çdo fëmijë, mund të shpërthejë dhe të zhvillojë potencialin e vet.
Me mbështetjen teknike dhe financiare të UNICEF-it në Kosovë, QShHZh vazhdon punën për të mbështetur edukatoret parashkollore në zhvillimin e tyre profesional përmes pajisjes së tyre me njohuritë dhe shkathtësitë për zbatimin e kurrikulës së re duke promovuar cilësinë në edukimin e hershëm përmes krijimit të përvojave pozitive zhvillimore dhe edukative për të gjithë fëmijët. Me fokus të vecantë, mbështetja përfshin prindërit/kujdestarët në ofrimin e sesoneve për rëndësinë dhe ofrimin e mbështetjes për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme dhe promovimin e shkrim - leximit të hershëm me prindërit dhe fëmijët, duke përfshirë edhe komunitetet e margjinalizuara.
Në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i cilësisë së shërbimeve të edukimit të fëmijërisë së hershme në Institucionet e EFH-së dhe stimulimit të hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë” (Strengthening the quality of center-based early childhood education services and early stimulation at home for young children in Kosovo), i financuar nga UNICEF, me mbështetje financiare nga Qeveria e Luksemburgut, QSHHZH fton aplikues të kualifikuar të paraqesin propozimet e tyre teknike dhe financiare për të ofruar shërbimet e mëposhtme:
Pozita 1: Konsulencë për hartimin e materialit trajnues praktik, të zbatueshëm për prindër të grupeve të ndryshme socio-ekonomike, etnike, dhe kulturore, dhe me ndjeshmëri ndaj gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të ndryshme, për promovimin e shkrim-leximit të hershëm dhe zhvillimit gjuhësor.
Përshkrimi:
Zhvillimi në fëmijërinë e hershme luan një rol kritik në formësimin e rritjes kognitive, emocionale, sociale dhe fizike të fëmijëve. Familjet, veçanërisht prindërit dhe kujdestarët, janë thelbësore për krijimin e mjediseve ushqyese dhe stimuluese që nxisin të nxënit e hershëm të fëmijës. Për të rritur rolin e prindërve në këtë proces, ka nevojë për seanca të strukturuara dhe të synuara që rrisin ndërgjegjësimin dhe ofrojnë mjete praktike për të mbështetur zhvillimin dhe edukimin e fëmijërisë së hershme në shtëpi.
Kjo konsulencë synon të zhvillojë një përmbajtje të përshtatshme në formë të një moduli që do të përdoret në sesione interaktive me prindërit/kujdestarët sidomos me komunitetet vulnerabël, për të forcuar kapacitetin e tyre dhe angazhimin aktiv në të nxënit dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve të tyre, me fokus të veçantë në promovimin e shkrim-leximit të hershëm dhe zhvillimit gjuhësor.
Konsulenti/ja duhet të posedojë kualifikimet e mëposhtme:
- Diplomë universitare (Master ose më lart) në fusha relevante si: edukimi në fëmijërinë e hershme, gjuhësi ose edukim gjuhësor
- Specializimi, ose diploma në fushë specifike si shkrim-leximi ose prindërimi pozitiv konsiderohen si avantazh.
- Minimumi 3 vite përvojë pune në zhvillimin në fëmijërinë e hershme, me përqendrim në zhvillimin e gjuhës dhe shkrim-leximit
- Përvoja në zhvillimin e materialeve të trajnimit konsiderohet si avantazh.
- Përvojë të drejtpërdrejtë të dokumentuar me institucione ofruese të edukimit të hershëm ose politik-bërëse në fushën e edukimit të hershëm
- Aftësi për hartimin e materialit trajnues praktik, të zbatueshëm për prindër të grupeve të ndryshme socio-ekonomike, etnike, dhe kulturore, dhe me ndjeshmëri ndaj gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të ndryshme.
- Përvojë pune me organizata ndërkombëtare ose jo-qeveritare vendore që punojnë në fushën e edukimit të hershëm dhe zhvillimit të shkrim-leximit.
Përgjegjësitë:
Konsulenti/ja do të jenë përgjegjës/e për:
- Kryerjen e një vlerësim të shkurtër të nevojave dhe rishikimin e burimeve ekzistuese për të informuar përmbajtjen e modulit
- Hartimi i një moduli të bazuar në evidencë, të përshtatur në kontekst, të orientuar me rezultatet të pritshme specifike të mëposhtme:
- Rezultatet e pritura tek fëmijët: përmirësim i aftësive të shkrim leximit të hershëm.
- Rezultatet e pritura tek prindërit: zhvillimi dhe rritja e njohurive dhe aftësive për ndërveprimet pozitive prindërore me fokus në zhvillimin e aftësive të shkrim leximit të hershëm tek fëmijët dhe zhvillimin gjuhësor.
- Moduli të jetë tërheqës dhe interaktiv, duke përfshirë jo vetëm material informativ
- Konsultimi me përfaqësuesen e UNICEF dhe QShHZh për finalizimin e përmbajtjes së modulit
Konsulenti/ja do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësueset e UNICEF dhe QShHZh. Do të kërkohen përditësime të rregullta dhe takime koordinuese.
Kohëzgjatja e angazhimit:
Angazhimi pritet të përfundojë brenda periudhës Maj – 10 Qershor 2026, me përditësime të rregullta mbi progresin e aktiviteteve që duhet t’i ofrohen menaxherit/es së projektit. Një orar i propozuar i punës do të miratohet gjatë takimit fillestar dhe do të jetë pjesë integrale e kontratës.
Procesi i aplikimit:
Aplikuesit/et e interesuar janë të ftuar të paraqesin:
- Një propozim teknik që përshkruan qasjen dhe metodologjinë e tyre dhe përmban plan të shkurtër të punës për realizimin e konsulencës për pozitën që aplikojnë
- Një propozim financiar (ditët e nevojshme, pagesën bruto në EURO).
- CV-në që demonstron nivelin e arsimimit dhe përvojën përkatëse sipa skualifikimev etë kërkuara në këtë thirrje.
- Shembuj të punës së mëparshme të ngjashme, nëse ka.
Aplikuesit/set mbajnë përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e dokumentacionit të ofruar.
Buxheti:
Tarifa e konsulentit/es do të diskutohet bazuar në kualifikimet, përvojën dhe fushën e propozuar të punës.
Kriteret e Vlerësimit:
Propozimet do të vlerësohen bazuar në kualifikimet e konsulentit/es, qasjen e propozuar, kuptimin e kontekstit të projektit dhe efikasitetin në kosto.
Dorëzimi i Propozimit:
Aplikuesit e interesuar duhet të dërgojnë dokumentet e kërkuara në adresën [email protected] deri më 28.05.2026, ora 16:00, duke specifikuar në subjekt pozitën për të cilën aplikojnë.
Konfidencialiteti:
Të gjitha informacionet e ndara gjatë konsulencës do të trajtohen si konfidenciale dhe do të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin është hapur kjo thirrje.
Informacioni i Kontaktit:
Për pyetje ose përjashtime në lidhje me këtë thirrje, ju lutemi kontaktoni në adresën: [email protected]
Shënim:
“Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim” rezervon të drejtën për të refuzuar cilindo apo të gjitha propozimet e pranuara, të negociojë individualisht me cilindo konsulent/e të kualifikuar, ose të anulojë këtë thirrje në çdo kohë pa asnjë përgjegjësi.
“Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim” është e interesuar të marrë propozime nga konsulentë të kualifikuar që ndajnë së bashku me ne qëllimin për të promovuar cilësinë e shërbimeve të edukimit të fëmijërisë së hershme dhe stimulimin e hershëm në shtëpi për fëmijët e vegjël në Kosovë.