3 MËNYRA PËR TË ARRITUR OBJEKTIVAT 2023, TË KARRIERËS TUAJ
Viti 2022 është në përfundim e sipër, ju filloni të bëni planifikimet për ta festuar me njerëzit tuaj të dashur, e ndërkohë mendja ju shkon tek ajo që ju pret përgjatë 2023-shin. Për ata të përfshirë në biznese, është koha që të mendojnë për mbylljen e një periudhe, me analizat përkatëse, për të kuptuar se çfarë funksionoi e çfarë nuk funksionoi dhe planifikimi strategjik për vitin 2023. Sfidat janë përpara, e po kështu edhe në aspektin personal e të karrierës. Ne të gjithë dëshirojmë avancim në karrierë, por shpesh nuk gjejmë rrugën dhe mjetet e duhura. Shkrimi këtu, me autor Nic DeAngelo, ju jep 3 mënyra për vendosjen dhe arritjen e objektivave të karrierës. Përdoreni eksperiencën e tij, për të arritur objektivat tuaja për vitin 2023.
Nuk është kurrë vonë për të vendosur synime/objektiva të reja për karrierën tuaj. Pavarësisht nëse po ndryshoni rolin, po filloni një biznes të ri ose po kërkoni këshilla të zbatueshme për zhvillimin e vazhdueshëm të karrierës tuaj, këto tre parime do t'ju ndihmojnë të përgatiteni për sukses të vërtetë.
1. Përmirësoni aftësitë tuaja, jo (vetëm) titujt tuaj
E besoni apo jo, përparimi në titujt e punës nuk është më bileta e suksesit (nëse ka qenë ndonjëherë). Janë aftësitë tuaja dhe përpjekjet që bëni në mënyrë aktive ato që do t'ju ndihmojnë të përmirësoni karrierën tuaj. Përqendrohuni në mënyrën se si po kontribuoni tani në punën tuaj dhe si do të dëshironit të kontribuonit në të ardhmen.
Ndonjëherë puna juaj e palodhur do t'ju sjellë një titull më të lartë, por ndonjëherë ajo ju dhurohet si në një pjatë argjendi, qoftë përmes politikës së zyrës ose ndonjë rregullimi organizativ. Nëse ende ju mungojnë aftësitë e nevojshme dhe nuk jeni në gjendje të sillni një ndryshim të vërtetë në ekipin ose biznesin tuaj, ky është një pozicion mjaft delikat e i pasigurt. Pra, në vend të titullit, përqendrohuni në zotërimin e aftësive tuaja të brendshme dhe punoni edhe më shumë për gjërat që nuk vijnë lehtë. Vendosni qëllimet/objektivat tuaja personale dhe përdorini ato si Yllin tuaj Polar. Dhe jini të gatshëm të punoni shumë për të arritur qëllimet e përmendura.
E thënë ndryshe, nëse përqendroheni në atë se sa i madh është kontributi juaj, shpesh një promovim ose një pagesë më e mirë do ta pasojë. Efektet e punës së vështirë e të palodhur, për të sjellë një ndikim pozitiv janë të thella. Zgjidhini problemet dhe përmirësoni vazhdimisht aftësitë tuaja, mos ndiqni titujt.
2. Shihni, besoni, jetoni
Në mënyrë që qëllimet/objektivat tuaja të marrin formë, ju duhet të krijoni një vizion në të cilin besoni. Përfytyrojeni veten si do të ndjeheni nëse do t’i tejkaloni objektivat tuaja kryesore dhe bëjeni këtë shpesh. Ky mentalitet është një nga përbërësit kryesorë në marrjen e vendimeve të duhura dhe për të mbajtur veten të përgjegjshëm gjatë gjithë procesit.
Mund t’ju duhet pak praktikë, por jini sa më specifik që të jetë e mundur, kur përshkruani qëllimet/objektivat tuaja. Kjo kërkon vetë-reflektim dhe zakonisht njëfarë ndershmërie të rreptë, rreth asaj të qenit realist. Mbani një listë me objektiva të thjeshtë, të ndjeshme ndaj kohës dhe të zbatueshme, duke e rishikuar dhe përditësuar, sa herë që keni nevojë të rimendoni planin tuaj të veprimit. Ky ritëm do t'ju ndihmojë të ndërtoni dhe të ruani vrullin tuaj, dhe gjithashtu ju lejon të arrini fitore të vogla ditore dhe javore drejt qëllimeve/objektivave më të mëdha.
Megjithatë, këtu ju duhet të jeni edhe të kujdesshëm. Jeta mund të ndryshojë nga çasti në çast, si në aspektet e punës e deri te mundësitë e reja të karrierës, por kthimi në qëllimet/objektivat tuaja të vendosura e bën më të lehtë të qëndroni në rrugën e duhur, të ktheheni mbrapa kur është e nevojshme dhe të vazhdoni të ecni përpara drejt tyre.
3. Punoni me njerëzit më të mirë që mundeni
Ju keni një vizion dhe po i arrini objektivat tuaja një e nga një. Por, a ka ndonjë rreth jush që e vë re këtë? A e mbrojnë suksesin tuaj njerëzit me të cilët punoni? Pavarësisht nëse bashkëpunoni me një ekip të madh ose tentoni të fluturoni vetëm, ju keni nevojë për mentorë që ndihmojnë në arritjen e suksesit tuaj dhe jua bëjnë më të afërt vizionit tuaj përfundimtar.
Ky lloj mentorimi nuk duhet të vijë vetëm nga shefi. Ju mund të mësoni shumë nga lidhjet e ndryshme, përmes rrjetit tuaj të njohjeve. Por e rëndësishme është që të rrethoheni nga njerëz të aftë dhe të prirur që t’ju ndihmojnë në përforcimin e aftësive tuaja dhe zhvillimin e karrierës.
Në fund të fundit, arritja e qëllimeve/objektivave tuaja të karrierës për vitin 2023, mund të kërkojë një ndryshim në mentalitet.
Vendosni të veproni sipas standardeve të larta dhe do kuptoni se arritja e qëllimeve/objektivave tuaja do të kërkojë punë të palodhur. Ndërmarrja e veprimeve këtu është e panegociueshme. Dhe ndërsa vizioni juaj fillon të marrë formë, mos harroni të festoni momentet historike, përgjatë rrugës.