Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidhte me parë bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij qytetaro- tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit.
Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e një jete aktive në territorin e Prizrenit të sotëm qysh në antikite...
Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidhte me parë bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij qytetaro- tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit.
Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e një jete aktive në territorin e Prizrenit të sotëm qysh në antikitet e më përtej, kur njihej me emrin THERANDA e në këtë trevë banonte një popullsi e pastër ilire- Dardane.
Në shek. XI njihet si qendër e rëndësishme qytetare, në vitin 1019 përmendet si një seli e Ipeshkevisë të perandorisë Bizantine. Gjatë sundimit serb (shek. XII-XIV) u vendosën në këto treva pjesëtarët e popullsisë sllave. Në kohën e sundimit të mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni herë pas here ishte selia e mbretërive të tyre.
Pas pushtimit nga Perandoria Osmane (1455) Prizreni ndonëse humbi përkohësisht rendësin e tij, u bë përsëri qendër e fuqishme ekonomike, kulturore dhe administrative (qendër Sangjaku dhe Vilajeti). Në shekullin XIX Prizreni ishte qendra e dytë më e rëndësishme ekonomiko-tregtare e trojeve shqiptare me rreth 1.500 dyqane, në fund të kësaj periudhe. Sipas vjetarit turk të vitit 1874 qyteti i Prizrenit kishte 44.000 banorë, ku mbi 35.000 ishin shqiptar.
Prizreni zë një vend të veçantë në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, u bë kryeqendër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u themelua me 10 Qershor 1878. Në Prizren pati selinë e vet edhe Qeveria e Përkohshme Shqiptare (1881) e kryesuar nga banori i njohur i këtij qyteti, Ymer Prizreni.
Në vitin 1913 vendoset pushteti serbo-malazez me ç ‘rast një numër i madh i familjeve shqiptare nga qyteti u shpërngulen në Turqi. Gjatë luftës së II botërore banorët e tij me rrethin u përfshin në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Prizreni u çlirua më 17 nëntor 1944.
Pas luftës e deri më 1947, Prizreni ishte qendra e Qarkut Autonom të Kosovës. Megjithatë nuk pati ndonjë zhvillim të ndjeshëm edhe më pas ishte një ndër qendrat më të prapambetura në gjithë ish-jugosllavinë. Në fund të viteve të 50-ta deri në mesin e viteve të 60-ta nga Prizreni u shpërngulën mbi 3.200 familje në Turqi.
Nga e kaluara e bujshme historike, qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo -historike. Më të rëndësishme janë : Kompleksi i Shatërvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtës, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, Ura e Gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve, të trashëguara ndër shekuj.