business

THIRRJE PËR OFERTË: "PRODHIMI I NJË VIDEO-JE TË ANIMUAR NDËRGJEGJËSUESE"

  • star Publikuar: 25-09-2024
  • star Skadon: 29-09-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 534

THIRRJE PËR OFERTË

SUBJEKTI: PRODHIMI I NJË VIDEO-JE TË ANIMUAR NDËRGJEGJËSUESE

Projekti: “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).

KOMF fton kompanitë e interesuara të dorëzojnë oferta për dhënien e shërbimit për prodhimin e një video të animuar ndërgjegjësuese mbi të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, rëndësinë e ofrimit të shërbimeve cilësore për parandalim, mbrojtje, rehabilitim dhe reintegrim afatgjatë e të suksesshëm të fëmijëve në shoqëri, në kuadër të projektit SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor”.

Titulli i kontratës: Zhvillimi i një video-je ndërgjegjësuese

Numri i referencës: SB NI KOS 04/2023

Data e publikimit: 25.09.2024

Mbyllja e aplikimeve: 29.09.2024

Autoriteti kontraktues: Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF

Adresa: Rr. Sejdi Kryeziu, B-4, Nr 14, 10 000 Prishtinë, Kosovë

Ftojmë kandidatët e interesuar të aplikojnë përmes dorëzimit të ofertave me dokumentacionin e plotë sikurse kërkohet në Termat e Referencës, përpara datës së mbylljes së aplikimeve, përmes postës elektronike: [email protected] .

Për çdo pyetje teknike lidhur me termat e referencës, mund të kontaktoni deri në afatin e dorëzimit të aplikimeve, në [email protected];

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF

TERMAT E REFERENCËS

RRETH KOMF

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, i themeluar në Qershor 2011, është një koalicion i përbërë nga 34 OJQ vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me mision të përbashkët mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Objektivat e KOMF janë:

  • Kontributi në avancimin e legjislacionit të lidhur me të drejtat e fëmijëve;
  • Monitorimi i implementimit të legjislacionit të lidhur me të drejtat e fëmijëve;
  • Vetëdijesimi i publikut të gjerë për çështjet e lidhura me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve;
  • Fuqizimi i Koalicionit si një avokues i fortë dhe efikas për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.

PËRMBLEDHJE

Prej vitit 2022, KOMF ka nisur monitorimin e përvitshëm dhe të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Ky monitorim realizohet nëpërmjet instrumentit ndërkombëtar të monitorimit “Karta e Vlerësimit” (Report Card), i aplikuar gjerësisht në vendet e Europës. Raporti i monitorimit ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në fusha të ndryshme, si dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Fushat në të cilat analizohet progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tij, janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur.

KOMF në kuadër të projektit të mbështetur nga "SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor", ka realizuar monitorimin vjetor “Karta e Vlerësimit” në lidhje me të drejtat e fëmijëve në Kosovë për vitin 2023 dhe ka dalë me gjetjet dhe rekomandimet përfundimtare për përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Për të pasur një ndikim më të madh ndaj institucioneve për zbatimin e plotë të legjislacionit që adreson të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, është e rëndësishme që informacioni i paraqitur në raport të zgjerohet përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit. Një prej tyre është prezantimi i të dhënave dhe të gjeturave kyçe të raportit të monitorimit në një video të animuar, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat e fëmijëve dhe rëndësinë e mbrojtjes së tyre.

Qëllimi kryesor i kësaj video-je të animuar është rritja e ndërgjegjësimit të publikut në Kosovë për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, rëndësinë e ofrimit të shërbimeve cilësore për parandalim, mbrojtje, rehabilitim dhe reintegrim afatgjatë e të suksesshëm të fëmijëve në shoqëri.

Çështjet kyçe që pritet të adresojë përmbajtja e videos janë situata e të drejtave të fëmijëve në fushën e mirëqenies sociale, mbrojtjes, shëndetit, zhvillimit në fëmijërinë e hershme, arsimit dhe drejtësisë për të mitur. Rëndësia e ofrimit të shërbimeve të parandalimit, mbrojtjes, rehabilitimit dhe reintegrimit, për të garantuar rikthimin e suksesshëm të fëmijëve në shoqëri.

Përmes kësaj thirrjeje, do të përzgjidhet një kompani për prodhimin e një video të animuar ndërgjegjësuese me fokus në të drejtat e fëmijëve. Kompania e kontraktuar do të angazhohet në bazë të marrëveshjes me kontratë të shërbimeve.

KOHËZGJATJA E ANGAZHIMIT

Gjithë procesi për prodhimin e videos të animuar duhet të përfundojë jo më larg se deri më 15 Tetor 2024.

PERIUDHA E VLEFSHMËRISË SË OFERTËS

Ofertat e dorëzuara nga kompanitë e interesuara, duhet të kenë vlefshmëri për të paktën 30 ditë nga data kur kjo ofertë dorëzohet nga kompania e caktuar.

PËRSHKRIMI I PUNËS / PRODUKTI

  1. Krijimi i idesë së videos së animuar ndërgjegjësuese bazuar në rezultatet e raportit të monitorimit “Karta e Vlerësimit” (bashkë me KOMF);
  2. Zhvillimi dhe prodhimi i videos së animuar ndërgjegjësuese për të drejtat e fëmijëve, jo më e gjatë se 1 minutë, deri në validimin përfundimtar të saj.

PROCEDURA E APLIKIMIT:

Të gjitha subjektet e interesuara janë të ftuar të dërgojnë dokumentet e aplikimit të listuara më poshtë përmes postës elektronike, duke dërguar e-mail në: [email protected] , me subjekt: Prodhimi i një video-je të animuar ndërgjegjësuese dhe duke bashkangjitur dokumentet e specifikuara më poshtë:

  • Një kopje e Certifikatës së Regjistrimit të kompanisë;
  • Certifikata e Numrit Fiskal;
  • Vërtetimi tatimor;
  • Oferta financiare e nënshkruar dhe vulosur nga personi i autorizuar. Oferta financiare duhet të përfshijë çmimin në monedhën Euro, pa TVSH;
  • CV-në / Portofolin e kompanisë me historikun e kompanisë, mostrat e punëve të mëparshme të ngjashme dhe specifikimet teknike të pajisjeve në posedim të kompanisë, që lidhen me shërbimin e kërkuar në thirrje;
  • Tre referenca nga partnerë të mëparshëm për të cilët kompania ka ofruar shërbime të ngjashme.

KRITERET E VLERËSIMIT

Të gjitha ofertat e pranuara nga kompanitë të cilat i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e obligueshme do të vlerësohen sipas kritereve të mëposhtme.

Kriteri

Pikët

Maksimumi

Përvoja/portofoli i kompanisë: A ka kompania përvojë të suksesshme në prodhimin e video-ve ndërgjegjësuese, në fushën e të drejtave të fëmijëve?

60

Oferta financiare: Sa realiste dhe efektive është oferta financiare në raport me ofertën e dorëzuar?

40

Pikë totale

100

POLITIKA KOMF PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE

KOMF posedon Politikën e vet për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Kodin e Sjelljes. Kompania e angazhuar pritet të respektojë dhe ndjekë standardet e përcaktuara në PMF. Kompania do të prezantohet dhe do ti shpjegohet në lidhje me procedurat dhe proceset e KOMF-it në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve, dhe pritet të nënshkruajë deklaratën e zotimit për të respektuar Politikën dhe Kodin e Sjelljes për Mbrojtjen e Fëmijëve të KOMF-it. Deklarata e nënshkruar do të jetë pjesë e kontratës me kompaninë.

E DREJTA E AUTORIT DHE E DREJTA E PRONËSISË

KOMF do të ketë të drejtën për të gjithë pronësinë intelektuale dhe të drejtat e tjera të pronësisë, pa asnjë kufizim në të drejtën e autorit, në respektim të të gjitha specifikimeve të mësipërme që do të zhvillohen nga kompania e angazhuar/kontraktuar për zhvillimin dhe prodhimin e videos ndërgjegjësuese, sipas kontratës. Materiali i përgatitur nga kompania e kontraktuar do të jetë në pronësi të KOMF-it, do të trajtohet me konfidencialitet dhe do t'i dorëzohet vetëm KOMF-it, siç specifikohet në kontratë.

Ky aktivitet zhvillohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).