business

THIRRJE PËR EKSPERT

  • star Publikuar: 28-12-2023
  • star Skadon: 10-01-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Të tjera
Numri i pozitave 1
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 1838

TERMAT E REFERENCËS

THIRRJE PËR EKSPERT

Funksioni: Angazhimi i një eksperti për vlerësimin e nevojave të koalicionit

Vendi i punës: Prishtinë

Emri i projektit: Përmirësimi i gjendjes së fëmijëve dhe familjeve në Kosovë

Hyrje:

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, i themeluar në vitin 2011, është një koalicion i përbërë nga 36 organizata që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me misionin e përbashkët për të avokuar dhe mbrojtur të drejtat e fëmijëve në Kosovë. KOMF, i mbështetur nga SMART Balkans, po zbaton projektin "Përmirësimi i situatës së fëmijëve dhe familjeve në Kosovë" i cili ka për qëllim përmirësimin e situatës së fëmijëve dhe familjeve në Kosovë. Objektivat specifike të projektit janë: Fuqizimi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve me organizatat anëtare, si aktor kyç për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës dhe Fuqizimi dhe rritja e llogaridhënies në sistemin e mbrojtjes së fëmijës përmes monitorimit, avokimit, vetëdijesimit dhe mobilizimit të akterëve relevant. Në kuadër të objektivës së parë të projektit, KOMF do të zhvillojë një vlerësim të nevojave të koalicionit me qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të koalicionit për rritjen e ndikimit të tij në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Në mënyrë që vlerësimi i nevojave të jetë sa më real dhe objektiv, KOMF shpall këtë thirrje për të angazhuar një ekspert të jashtëm, i cili pritet të udhëheqë gjithë procesin e vlerësimit të nevojave, deri në hartimin e raportit të vlerësimit të nevojave.

Sfondi:

KOMF dhe organizatat anëtare janë akterët kryesor që punojnë në Kosovë në sektorin shoqërisë civile për mbrojtjen e fëmijëve dhe mirëqenies sociale. KOMF është koalicioni i vetëm që punon në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Pjesa dërrmuese e organizatave anëtare të KOMF janë organizata të profilizuara dhe me eksperiencë të gjatë në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjes për fëmijët e cenueshëm, sikurse, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët viktima të dhunës, trafikimit, neglizhencës, fëmijëve pa kujdes prindëror, fëmijëve në situatë rruge të shfrytëzuar për punë të rrezikshme, fëmijëve viktima të abuzimit me substanca narkotike, familjeve në rrezik të ndarjes nga fëmijët e tyre, fuqizimi i familjes, etj.

Sipas KOMF, çështje për tu adresuar mbetet ngritja e mëtejshme e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së organizatave anëtare dhe KOMF. KOMF konsideron ngritjen e kapaciteteve si një proces të vazhdueshëm dhe shumë të rëndësishëm, duke u fokusuar në përmirësimin e qeverisjes së brendshme, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, menaxhimit, ngritjes së fondeve, avokimit dhe komunikimit. Qëndrueshmëria financiare mbetet një nga sfidat kryesore për KOMF dhe organizatat anëtare.

Qëllimi:

Qëllimi kryesor i zhvillimit të procesit të vlerësimit të nevojave është identifikimi i pikave të forta, sfidave, nevojave dhe mundësive të KOMF dhe organizatave anëtare për zhvillim të mëtejshëm. Ky vlerësim i nevojave do të shpalosë potencialin ekzistues të koalicionit, nevojat dhe do të shërbejë për planifikimin e mëtejshëm të ngritjes së kapaciteteve të koalicionit.

Përgjegjësitë e ekspertit:

  • Realizimi i një vlerësimi të hollësishëm të strukturës dhe kapaciteteve të koalicionit, duke përfshirë anën funksionale dhe operative.
  • Identifikimi i nevojave, sfidave dhe mundësive me të cilat përballet koalicioni dhe anëtarët në përmbushjen e misionit të tij.
  • Analizimi i përpjekjeve të koalicionit dhe ndikimin e tij në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
  • Vlerësimi i ndikimit të veprimtarisë së koalicionit në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
  • Udhëheqja e punëtorisë me organizatat anëtare dhe KOMF për të identifikuar nevojat kyçe.
  • Hartimi i raportit të vlerësimit të nevojave për koalicionin. Raporti duhet të përmbajë nevojat, potencialin e koalicionit si dhe planin e veprimit për adresimin e nevojave për zhvillimin e mëtejshëm.

Produktet:

  • Punëtori me anëtarët dhe koalicionin.
  • Raporti i vlerësimit të nevojave të koalicionit.

Përmbledhje e angazhimit

Detyrat dhe përgjegjësitë

Numri i ditëve

Tarifa për ditë

Tarifa totale
Analiza e dokumenteve

2

Realizimi i intervistave

4

Mbajtja e dy punëtorive dy ditore me organizatat anëtare dhe KOMF

4

Hartimi i raportit të vlerësimit të nevojave për koalicionin

5

TOTAL

Metodologjia

Eksperti pritet të përdorë qasje gjithëpërfshirëse. Metodologjia duhet të përfshijë shqyrtimin e dokumenteve, intervistat dhe punëtoritë me anëtarët dhe palët tjera.

Kohëzgjatja

Gjithë procesi i vlerësimit të nevojave, nga fillimi deri te dorëzimi i raportit final të vlerësimit të nevojave, duhet të përfundojë deri më 28 Shkurt.

Kualifikimet dhe përvoja:

  • Kualifikimi universitar në fushën sociale, juridike, ekonomike dhe drejtime të tjera që lidhen me detyrën.
  • Së paku pesë vjet përvojë pune në sektorin e shoqërisë civile.
  • Përvojë të gjerë në kryerjen e vlerësimeve të nevojave dhe zhvillimin e organizatave jo qeveritare.
  • Aftësi të forta udhëheqëse dhe komunikimi.
  • Njohja e fushës së të drejtave të fëmijëve është e preferueshme.

Procedura e aplikimit

Të gjithë kandidatët e interesuar janë të ftuar të dërgojnë dokumentet e aplikimit të listuara më poshtë përmes emailit, në adresën; [email protected].

  • CV;
  • Shembuj / Kopje elektronike të raporteve të vlerësimeve të nevojave të kryera më parë;
  • Tri referenca nga punëdhënësit e mëparshëm;
  • Propozimi financiar me tarifën e propozuar ditore dhe totale (Bruto).

Propozimi financiar duhet të përfshijë deklaratën e vlefshmërisë së propozimit, të paktën katër javë nga data e aplikimit.

Afati i fundit për aplikim:

Aplikimi duhet të bëhet deri më 10 Janar 2024 në adresën [email protected]

Propozimet e pranuara pas afatit nuk do të merren parasysh. Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen.

Eksperti i përzgjedhur do nënshkruajë kontratën e shërbimit, së bashku me dokumentet si vijon: Politikën për mbrojtjen e fëmijës dhe Politikën kundër shfrytëzimit dhe abuzimit seksual. Këto dokumente janë pjesë përbërëse të kontratës së punës ndërmjet punëdhënësit dhe konsulentit.

Ky aktivitet zhvillohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).