business

TERMI I REFERENCËS SË PUNËS PËR EKSPERT/KOMPANI

  • star Publikuar: 15-07-2024
  • star Skadon: 31-07-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 1160

TERMI I REFERENCËS SË PUNËS PËR EKSPERT/KOMPANI

Ofertim për ekspertizë :

Krijimi i platformës elektronike për raportim dhe monitorim të qendrave mësimore dhe përfituesve të bursave nga shkollat e mesme dhe ato universitare.

Prishtinë,2024

Informacion i përgjithshëm:

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” (Voice of Roma, Ashkali and Egyptians) me selinë e saj aktuale në Prishtinë, është një organizatë jofitimprurëse që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dhe mbështetjen e vazhdueshme drejt integrimit të tyre në shoqërinë Kosovare përmes avokimit për të drejtat e tyre, përmirësimit të kushteve të banimit, hapjen e vendeve të reja të punës, organizimin e trajnimeve të ndryshme etj.

1.Kontesti i ndërhyrjes:

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me nivele të ulëta të arsimimit dhe kalojnë më pak vite në shkollë krahasuar me grupet e tjera të popullsisë. Si rrjedhojë, niveli i arsimimit dhe i shkrim-leximit në këto komunitete është më i ulët se mesatarja kombëtare. Varfëria ekstreme është një nga arsyet kryesore për këtë situatë, pasi shumë familje nuk mund të përballojnë shpenzimet e shkollimit. Megjithëse ka pasur progres në rritjen e pjesëmarrjes në arsim për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dallimi me mesataren e Kosovës mbetet domethënës.

Për të adresuar këto sfida, janë ndërmarrë masa dhe mbështetje të veçanta për të siguruar një arsimim të përfshirë dhe cilësor për këto komunitete. Qendrat mësimore (QM), mbështetja me bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta dhe bursa për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kanë luajtur një rol të rëndësishëm në arsimimin e fëmijëve nga këto komunitete në Kosovë, duke zvogëluar braktisjen e shkollës dhe duke rritur pjesëmarrjen e tyre në arsim.

Për të rregulluar funksionimin e QM-ve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) miratoi Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 19/2018 në dhjetor 2018. Ky udhëzim përfshin kriteret dhe procedurat për regjistrimin e QM-ve në Ministrinë e Arsimit, duke mundësuar vazhdimin ose fillimin e veprimtarisë së tyre. Përveç udhëzimit administrativ, MASHT ka publikuar një udhëzues praktik për themelimin dhe funksionimin e qendrave mësimore, me qëllim ndihmën e drejtuesve të qendrave për përmbushjen e kritereve të kërkuara.

Në përfshirje të llogaridhënies, QM-të kanë detyrimin të dorëzojnë raporte vjetore narrative dhe financiare në MASHT dhe në Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) përkatëse. MASHT është përgjegjës për miratimin dhe mbikëqyrjen e punës së QM-ve, ndërsa komunat janë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e tyre, si dhe për përzgjedhjen e personelit. UA 19/2018 krijon një sistem efektiv, të qëndrueshëm dhe transparent për QM-të, duke përfshirë kërkesa të përbashkëta dhe duke ngarkuar MASHT dhe DKA-të me detyrën e monitorimit dhe raportimit.

Megjithatë, aktualisht nuk ekziston një sistem i centralizuar për monitorimin dhe raportimin e përdorimit të bursave nga nxënësit dhe studentët përfitues. Krijimi i një platforme elektronike për monitorim dhe raportim do të ndihmonte në mbikëqyrjen efektive të këtyre qendrave dhe përfituesve të bursave, duke siguruar që fondet e dhëna të përdoren për qëllimet e tyre të synuara.

  • QËLLIMI SPECIFIK

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), deri më tani janë gjithsej 52 qendra të regjistruara, të cilat kanë kaluar procesin e vlerësimit nga komisioni përkatës dhe kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në bazë të Udhëzimit Administrativ (UA) nr. 19/2018. Një ndër pjesët më të rëndësishme për matjen e efektivitetit dhe cilësisë së qendrave mësimore janë raportimi dhe monitorimi i tyre.

Deri më tani, qendrat mësimore kanë raportuar përmes formave të raporteve mujore, databazave dhe dokumenteve të tjera përcjellëse dhe mbështetëse të cilat janë krijuar nga organizatat joqeveritare. Megjithatë, tutorët dhe koordinatorët e qendrave mësimore hasin në vështirësi në ruajtjen dhe përdorimin e këtyre formave, sepse thuajse gjithçka është fizike.

Qëllimi specifik është të zhvillohet një platformë elektronike që do të përdorë formate elektronike për monitorimin dhe raportimin e qendrave mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë, duke mbajtur konsistencën me formatet e njohura të përdorura aktualisht në versionin e tyre fizik. Kjo platformë elektronike do të lehtësonte punën e tutorëve dhe do të siguronte një mbikëqyrje të gjendjes së qendrave mësimore nga të gjithë akterët në çdo kohë, si dhe do të ndikonte në ruajtjen e të dhënave të nxënësve dhe në përcjelljen e progresit të tyre vit pas viti.

Për të arritur këtë qëllim, platforma do të sigurojë:

  1. Përmirësimin e Transparencës dhe Llogaridhënies: Përdoruesit do të kenë mundësi të shohin dhe të plotësojnë format elektronike në një mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme, pa nevojë për shkathtësi të veçanta teknike.
  2. Mbledhja dhe Menaxhimi i të Dhënave: Platforma duhet të mundësojë mbledhjen, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave në kohë reale, duke pasur kapacitete për ruajtjen e sigurt të të dhënave dhe mbrojtjen e tyre nga akseset e paautorizuara.
  3. Analiza dhe Raportimi: Platforma do të ofrojë mundësi për të ndërtuar raporte dhe analiza mbi bazën e të dhënave të mbledhura nga formatet elektronike, duke lejuar monitorimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve arsimore të ofruara për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë.
  4. Regjistrimi dhe Verifikimi: Duhet të mundësojë regjistrimin dhe verifikimin e qendrave mësimore dhe përfituesve të bursave, duke përfshirë procese të verifikimit të të dhënave për të siguruar saktësinë dhe autenticitetin.
  5. Ngarkimi i Dokumenteve: Duhet të ketë mundësinë e ngarkimit të fotografive dhe dokumenteve të tjera të nevojshme.
  6. Mbështetja për Përdoruesit: Duhet të përfshijë udhëzues të qartë për përdoruesit dhe mbështetje teknike për të ndihmuar në përdorimin e platformës.
  7. Siguria e të Dhënave: Platforma duhet të sigurojë mbrojtje të avancuar të të dhënave personale dhe të ndjeshme, duke përfshirë enkriptimin dhe kontrollet e aksesit.
  8. Rezervimi dhe Rikthimi i të Dhënave:Duhet të ketë kapacitete për rezervimin e rregullt të të dhënave dhe rikthimin e tyre në rast të ndonjë humbjeje ose dëmtimi.

Në këtë mënyrë, ne jemi duke kërkuar një individ ose kompani që do të hartojë dhe dizajnojë platformën online për qendrat mësimore dhe përfituesit e bursave të shkollave të mesme të larta dhe studentëve.

2. AUDIENCA DHE PËRDORIMI

Audienca e këtyre objektivave është e gjerë dhe përfshin aktorë të ndryshëm në fushën e arsimit dhe organizatave joqeveritare. Këtu mund të përfshihen:

Tutorët, koordinatorët e Qendrave Mësimore, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Organizatat joqeveritare si dhe Përfituesit e bursave:

Kjo platformë do të jetë e përdorshme për të gjitha palët e interesuara interesante, duke u fokusuar në përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës së proceseve të raportimit dhe monitorimit në arsimin para universitar në Kosovë.

3.METODOLOGJIA DHE PROCESI

Metodologjia dhe procesi për zhvillimin e platformës elektronike për monitorim dhe raportim të qendrave mësimore do të përfshijë disa hapa të rëndësishëm:

Kontrata dhe takimi fillestar: Diskutimi për kushtet e punës dhe nënshkrimi i kontratës së detyrës. Dokumentet e para, duke përfshirë të dhënat e disponueshme, i jepen ekspertit/kompanisë që do të përzgjidhet.

Analiza e nevojave: Fillimisht, do të bëhet një analizë e nevojave të përdoruesve të platformës, duke përfshirë Ministrinë e Arsimit, organizatat joqeveritare, komunat dhe qendrat mësimore. Kjo analizë do të përcaktojë funksionalitetet dhe karakteristikat kryesore që duhet të ketë platforma për të përmbushur nevojat e tyre.

Hartimi i specifikimeve teknike: Bazuar në analizën e nevojave, do të hartohen specifikimet teknike për platformën. Këto specifikime do të përfshijnë detajet teknike për zhvillimin e platformës, përfshirë gjuhën e programimit, bazën e të dhënave, sigurinë e informacionit, dhe ndërfaqen (user interface, navigimi dhe komunikimi) e përdoruesit.

Zhvillimi i platformës: Pas hartimit të specifikimeve, do të fillojë zhvillimi i platformës duke u bazuar në teknologjitë dhe metodologjitë më të përshtatshme për këtë projekt. Kjo përfshin hartimin e bazës së të dhënave, ndërfaqen e përdoruesit dhe funksionalitetet e platformës.

Testimi dhe përmirësimi: Pas përfundimit të zhvillimit, platforma do të vazhdojë në një fazë intensiv testimi për të identifikuar dhe korrigjuar çdo problem potencial ose gabim. Testimi do të përfshijë provat e performancës, sigurisë dhe ndërfaqes së përdoruesit.

Implementimi dhe trajnimi: Pas përfundimit të testimit, platforma do të implementohet në qendra mësimore dhe jo vetëm dhe përdoruesit do të trajnohen për të përdorur platformën në mënyrë efektive.

Mbështetja dhe përmirësimi i vazhdueshëm: Pas implementimit, do të ofrohet mbështetje teknike për përdoruesit dhe do të vazhdohet monitorimi i performancës së platformës. Bazuar në kërkesat e përdoruesve dhe feedback-un, do të bëhen përmirësime dhe ndryshime të nevojshme për të siguruar që platforma të funksionojë në mënyrë optimale dhe të përmbushë nevojat e përdoruesve.

4. PYETJE KËRKIMORE

Si mund të sigurohet që platforma të jetë e lehtë për të përdorur dhe e përshtatshme për përdoruesit e ndryshëm?
Si mund të sigurohet integrimi i platformës me format ekzistuese të qendrave mësimore?
Si mund të sigurohet që platforma të jetë e përshtatshme për të gjitha pajisjet e përdoruesve, përfshirë smartphone, tablet, dhe desktop?
Si mund të sigurohet që platforma të jetë e gatshme për të përkrahur shtesa dhe përdorim të zgjeruar në të ardhmen, duke përfshirë shtimin e funksioneve të reja dhe ndryshimet në kontekstin e arsimit dhe qendrave mësimore?
Çfarë mundësish ofron platforma për të mbledhur të dhënat nga qendrat mësimore në mënyrë automatike dhe efikase?
Si mund të përdoret inteligjenca artificiale dhe mësimi automatik për të përmirësuar procesin e analizës së të dhënave dhe për të sjellë sugjerime për veprime të mundshme bazuar në rezultatet e raportimeve dhe analizave?
Cilat janë opsionet e disponueshme për të eksportuar të dhënat dhe raportet nga platforma dhe për të ndarë ato me palë të interesuara, përfshirë autoritetet qeveritare dhe organizatat tjera?
Cilat janë mekanizmat për të ndarë dhe për të mbikëqyrur nivelin e qasjes dhe aksesit për secilën prej roleve në platformën tonë, përfshirë qasjen në të dhëna të caktuara dhe modifikimet e tyre?
A është platforma jonë e përshtatshme për të përballuar numrin dhe llojin e të dhënave që pritet të mbledhë, trajtojë dhe ruajë dhe sa kapacitet mund të mbështesë platforma jonë për të lehtësuar aksesin dhe menaxhimin nga shumë përdorues?
Sa kohe ofron krijuesi i platformës për mbështetje teknike pas implementimit të platformës dhe çfarë ndodh pas përfundimit të kësaj periudhe?
Sa të personalizuara janë veçoritë e raportimit për nevoja të ndryshme të përdoruesve?
A ofron krijuesi i platformës mundësinë për ndërhyrje të shpejtë në rast të problemeve të rënda apo emergjencave të lidhura me platformën?

5. PRODUKTI (Analiza, hulumtime, raporte, dhe te ngjashme)

Produkti final do të jetë një platformë elektronike e monitorimit dhe raportimit të qendrave mësimore në Kosovë, përfituesve të bursave nga shkollat e mesme të larta dhe përfituesit e bursave universitare, e cila do të përmbushë kërkesat dhe nevojat e identifikuara. Platforma do të ketë këto karakteristika kryesore:

Një faqe e lehtë për t'u kuptuar dhe e përshtatshme për përdoruesit: Platforma do të jetë e dizajnuar për të qenë e lehtë për të përdorur dhe e përshtatshme për përdoruesit e ndryshëm, përfshirë tutorët, koordinatorët e qendrave mësimore, drejtorët komunalë të arsimit, dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.

Integrimi me format ekzistuese: Platforma do të sigurojë integrimin me format ekzistuese të qendrave mësimore për të lehtësuar transferimin e të dhënave nga format fizik në format elektronike.

Përshtatshmëri për pajisjet e përdoruesve: Platforma do të jetë e përshtatshme për të gjitha pajisjet e përdoruesve, duke përfshirë smartphone, tablet, dhe desktop.

Përshtatshmëria për rritje dhe zhvillim të mëtutjeshëm: Platforma do të jetë e gatshme për të përkrahur shtesa dhe përdorim të zgjeruar në të ardhmen, duke përfshirë shtimin e funksioneve të reja dhe ndryshimet në kontekstin e arsimit dhe qendrave mësimore.

Mbledhja automatike e të dhënave: Platforma do të ofrojë mundësi për mbledhjen e të dhënave nga qendrat mësimore në mënyrë automatike dhe efikase për të lehtësuar procesin e monitorimit dhe raportimit.

Ndarja dhe mbikëqyrja e qasjes dhe aksesit: Platforma do të ofrojë mekanizma për të ndarë dhe për të mbikëqyrur nivelin e qasjes dhe aksesit për secilën prej roleve në platformë.

Kapacitet dhe mbështetje teknike: Platforma do të ketë kapacitet të mjaftueshëm për të trajtuar numrin dhe llojin e të dhënave që pritet të mbledhë, trajtojë dhe ruajë. Krijuesi i platformës do të ofrojë mbështetje teknike të përmbajtshme pas implementimit të platformës.

Ndërhyrje në rast të problemeve: Krijuesi i platformës do të ofrojë mundësinë për ndërhyrje të shpejtë në rast të problemeve të rënda apo emergjencave të lidhura me platformën.

Këto karakteristika do të sigurojnë një platformë të përshtatshme dhe të fuqishme për monitorimin dhe raportimin e qendrave mësimore në Kosovë.

6.PLANI DHE BUXHETI

Ofertuesi është i lirë të propozojë numrin e ditëve që i nevojiten për përgatitjen e platformës, trajnimin dhe mirëmbajtjen e platformës. Organizata do të mbulojë deri në 120 euro për ditë për ekspertizën e ofruar. Ofertuesi duhet të paraqesë një plan të detajuar të aktiviteteve dhe ditëve të nevojshme për përmbushjen e detyrave të parashikuara.

7.KRITERET E PERZGJEDHJES

  • Diplomë universitare në fushat përkatëse për këtë pozitë (vlen për ekspert);
  • Certifikatat e regjistrimit të kompanisë;
  • Eksperienca dhe ekspertiza në zhvillimin e platformave të ngjashme;
  • Përvojë pune minimale 5 vjet në hartimin e platformave të ngjashme;
  • Aftësi të shkëlqyeshme të komunikimit dhe ndër-personale;
  • Aftësi për t’i përmbushur afatet kohore;

Këto kritere do të përdoren për të vlerësuar aplikacionet dhe për të zgjedhur individët ose kompanitë më të përshtatshme për krijimin e platformës.

8. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR /KUSHTET PËR APLIKIM

Të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe t'i dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në e-mail adresën [email protected]

Për individë:

  • Cv;
  • Oferta financiarë bashke me planin dhe metodologjinë e propozuar
  • Staf të diplomuar në shkenca kompjuterike dhe certifikime përkatëse me përvojë minimale 5 vjeçare (2x).
  • Referencat e mëparshme te punëve të ngjashme

Për kompani:

  • Certifikata e kompanisë.
  • Kopje të CV-ve personave të inkuadruar në ofertim;
  • Oferta financiare bashkë me planin dhe metodologjinë e propozuar
  • Staf të diplomuar në shkenca kompjuterike dhe certifikime përkatëse me përvojë minimale 5 vjeçare (2x).
  • Referencat e mëparshme te punëve te ngjashme

9. Kushtet të përgjithshme:

  • Organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve rezervon të drejtën për të ndryshuar ofertën bazuar në kërkesë deri në vendimin përfundimtar;
  • Organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve mbështet vendimin e saj në ofertën që ka avantazhet më të mëdha ekonomike, si shërbimi me cilësi, por kriteri kryesor i vlerësimit është çmimi më i ulët në raport me sasinë totale si dhe përvoja në krijimin e platformave të tilla;
  • Organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve ka të drejtën të refuzojë çdo ose të gjitha ofertat e marra nëse ato nuk përmbushin kriteret;
  • Ndërhyrja në këtë proces nuk lejohet dhe do të rezultojë në diskualifikimin e ofertës;
  • Vendimi përfundimtar nuk do të bëhet derisa të përfundojnë të gjitha procedurat e brendshme të organizatës. Në rast se shërbimi do të jetë sipas kërkesës së kompanisë, mund të ofrohet një kontratë por pa ndryshuar çmimin e ofertës;
  • Oferta do të vlerësohet nga Komisioni i Prokurimit të Organizatës Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në kohën e mbylljes së procesit.
  • Vetëm ofertuesi i përzgjedhur do të njoftohet nga kompania.

10. MËNYRA E APLIKIMIT:

Aplikimi duhet të dorëzohet në formë të shkresës zyrtare në adresën e organizatës [email protected], me titullin “Krijimi i Platformës Elektronike për Raportim dhe Monitorim”, duke përfshirë dokumentacionin e nevojshëm të cekur më lartë.

Marrja në shqyrtim dhe vlerësimi i aplikimeve do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në specifikacionet e ofertës dhe kushtet për aplikim.

Afati i fundit për aplikim është deri më datë 31 Korrik 2024

Çdo ofertë që dërgohet pas afatit të përcaktuar më lartë nuk do të merret parasysh.