
KËRKESË PËR PROPOZIM PËR SHËRBIME
Numri i prokurimit: | FKGK 002/2025 |
Data e publikimit: | 19.02.2025 |
Afati për dorëzimin e pyetjeve: | 26.02.2025 në ora 15:00 |
Data e mbylljes: | 12.03.2025 në ora 15:00 |
Objekt i kontratës: | Ofrimi i shërbimeve jo financiare: Shërbime trajnimi dhe rrjetëzimi për gratë në biznes |
Periudha e angazhimit: | Dy vite (1+1) |
Autoriteti kontraktues: | Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) |
Lloji i njoftimit: | Kërkesë për Propozime |
Adresa: | Rr. Njazi Alishani nr. 4, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës |
Email: | |
Telefoni: | +383 (0) 38 225 600 |
I. INFORMATA TË PËRGJITHSHME
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) është entitet juridik i pavarur i krijuar sipas Ligjit Nr. 05/L-057 për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-138.
FKGK është krijuar për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës për rritje të qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Kosovë, me qëllim të krijimit të vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor dhe shërbimet me vlerë të shtuar, përmirësimit të bilancit tregtar dhe për të zgjeruar mundësitë e financimit për NMVM- të.
Të gjitha pyetjet lidhur me përmbajtjen e kësaj Kërkese për Propozime duhet të dorëzohen në e-mail adresën e shënuar më lartë deri në afatin e shënuar më lartë. Pas përfundimit të afatit për pranimin e pyetjeve, një dokument që përmban të gjitha pyetjet e anonimizuara, së bashku me përgjigjet e FKGK do t’u dërgohet të gjithë propozuesve në e-mail adresat e tyre të specifikuara në e-mailin për kërkesën e KPP-së dhe që duhen shënuar në brendësi të pjesës teknike të propozimit të tyre. Pyetjet që bëhen përmes telefonit nuk do të pranohen dhe nuk do të marrin përgjigje.
Asnjë informatë në këtë Kërkesë për Propozime nuk përbën ofertë formale për lidhjen e kontratës për ofrimin e shërbimeve të jo financiare: Shërbime trajnimi dhe rrjetëzimi për gratë në biznes dhe publikimi i kësaj Kërkese për Propozime nuk e obligon FKGK-në që të procedojë me zgjedhjen e cilitdo propozues.
FKGK rezervon të drejtën për të refuzuar ndonjë ose të gjitha propozimet nëse ato konsiderohen si teknikisht ose financiarisht jo të përgjegjshme ndaj kësaj Kërkese për Propozime.
FKGK nuk është dhe nuk do të jetë përgjegjëse për cilëndo kosto që lidhet me përgatitjen dhe dorëzimin e propozimeve, prezantimet e mundshme të drejtpërdrejta, procesin e negociatave ose aktivitete të tjera që lidhen me procesin e përzgjedhjes.
II. QËLLIMI I KËRKESËS PËR PROPOZIME
Qëllimi i kësaj Kërkese për Propozime është që të ftojë kompanitë profesionale të paraqesin propozime për të ofruar shërbime jo financiare: Shërbime trajnimi dhe rrjetëzimi për gratë në për FKGK. Tenderuesi i suksesshëm do të ftohet për të negociuar një kontratë për shërbimet e Shërbime trajnimi dhe rrjetëzimi për gratë në FKGK. Afati i kontratës do të jetë për një periudhë një (1) vjeqare me mundësi vazhdimi për një (1) vit shtesë. Duke filluar nga viti 2025. __________________________________________________________
III. KRITERET E OBLIGUESHME
Propozuesit duhet të dëshmojnë qartë se i përmbush kriteret e obligueshme të përcaktuara më poshtë ose ato do të përjashtohen nga shqyrtimi i mëtejshëm gjatë procesit të vlerësimit:
- Ofruesi i Shërbimit duhet të jetë kompani/ firmë konsulente me të paktën 3 vite përvojë në projekte të ngjashme në organizimin e ngjarjeve të rrjetëzimit dhe në organizimin dhe mbajtjen e trajnimeve siç kërkohet me këto Terma të Referencës.
- Puna duhet të kryhet nga një ekspert i Kompanisë i cili ka aftësi dhe përvojë përkatëse në marketing dhe komunikim digjital dhe është në gjendje të propozojë kurrikulat për trajnimet dhe të mbajë këto trajnime specifike për grupin e synuar sipas Termave të Referencës
- Duhet dorëzuar dosjen me CV-të e ekspertëve sipas kërkesave në Terma të referencës
- Kompania duhet të ketë zbatuar me sukses kontrata të ngjashme për ofrimin e trajnimeve të marketingut digjital dhe organizimin e ngjarjeve të rrjetëzimit në të kaluarën.
- Duhet bashkëngjitur referencat për zbatimin e projekteve të ngjashme në tri vitet e fundit.
Kompania mund të lidhet me firma të tjera në formë të një sipërmarrjeje të përbashkët ose një nën-konsulence për të përmirësuar kualifikimet e tyre.
IV. SHËRBIMET E KËRKUARA
Përveç komponentit financiar, FKGK-ja do të ofrojë shërbime jo financiare për gratë në biznes me qëllim të rritjes së njohurive të tyre mbi marketingun digjital (njohuri bazike), dhe aftësitë e komunikimit në kuptim të promovimit të produkteve (shërbimeve), negocimit dhe rrjetëzimit të tyre.
Trajnimi për marketing digjital dhe aftësi të komunikimit për gratë në biznes do t'u jep atyre njohuritë e nevojshme për të operuar në mundësitë e shumta që ofrojnë platformat digjitale, për të pasur qasje në tregje dhe për të konkurruar në kushte të barabarta.
Për të arritur këtë qëllim, FKGK synon të angazhojë një ofrues të shërbimit të specializuar në ofrimin e trajnimeve për grupet e synuara të grave në biznes dhe siç përshkruhet në këtë KPP.
Për më tepër, ofruesi i shërbimit, në bashkëpunim me FKGK, do të jetë përgjegjës për:
- hartimin, zhvillimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e programeve të trajnimit për grupin tonë të synuar - gratë në biznes,
- organizimin e një ngjarjeje rrjetëzimi në formë të një konference dhe/ose panairi për gratë në biznes kur të ketë përfunduar mbajtja e trajnimeve.
- mentorimin dhe mbështetjen e NMVM-ve brenda kohëzgjatjes së projektit që ishin pjesë e programit të trajnimit kurdo që është e nevojshme në lidhje me çështjet e sipërpërmendura.
Fushëveprimi i punës
Ofruesit të shërbimit (kompanisë) do t'i kërkohet të ofrojë këto shërbime për FKGK-në:
- Përgatit përmbajtjen/kurrikulën/prezantimin e trajnimit mbi marketingun digjital dhe komunikimin, në bashkëpunim të ngushtë me FKGK-në.
- Përzgjedh vendin ku do të zhvillohen trajnimet dhe merret me të gjitha shërbimet e nevojshme logjistike që shoqërojnë zhvillimin e suksesshëm të trajnimeve.
- Identifikojë, kontaktojë dhe ftojë pjesëmarrësit.
- Zhvillojë të gjitha seancat e trajnimit siç parashikohen në Termat e referencës
- Organizojë një ngjarje rrjetëzimi me të gjithë pjesëmarrësit në trajnime dhe palët përkatëse të interesit (Kompania ka lirinë të sjellë idetë e saj kreative për këtë çështje).
- Paraqes raportin me shkrim për FKGK në fund të trajnimit dhe ngjarjes brenda kohës së përcaktuar.
Për këto shërbime, oferta do të përfshijë:
- Lehtësimin logjistik dhe organizimin e të paktën 50 (pesëdhjetë) seancave të trajnimit/mentorimit/prezantimit për të paktën 500 (pesëqind) pjesëmarrës gjithsej.
- Vendin ku do të mbahen trajnimet dhe drekën si dhe shpenzimet e transportit dhe udhëtimit brenda Kosovës.
- Vendin ku mbahet ngjarja e rrjetëzimit dhe idenë se si do të organizohet kjo ngjarje.
- Grupi i trajnimit duhet të ketë së paku shtatë (7) pjesëmarrës.
- Sesionet e trajnimit do të mbahen në shtatë (7) qytetet kryesore të Kosovës.
Këto sesione trajnimi/prezantimi do të ofrohen për:
- NMVM-të me Numër Unik Identifikimi (NUI) nga ARBK
- NMVM-të duhet ose (i) të jetë në pronësi ose në bashkëpronësi të së paku një gruaje, ose (ii) të jetë e menaxhuar nga të paktën një grua në një pozitë ekzekutive.
Menaxheri i projektit dhe ekspertët:
Kompania fituese është e obliguar të caktojë një ekspert(ë) që ka aftësitë dhe përvojën përkatëse në marketing dhe komunikim digjital për të kryer punën që kërkohet. Gjithashtu, kompania duhet të caktojë një menaxher të projektit, i cili në bashkëpunim të ngushtë me personat përgjegjës në FKGK, do të jetë përgjegjës për koordinimin dhe zbatimin e kushteve të kësaj kontrate. Menaxheri i projektit do të jetë përgjegjës për menaxhimin e përgjithshëm të kësaj kontrate, përfshirë menaxhimin e ekipit dhe koordinimin mbështetës ndërmjet palëve të përfshira dhe do të veprojë si pikë kryesore e kontaktit për komunikim dhe raportim. Ai/ajo do të sigurojë që të gjitha burimet e nevojshme të jenë në dispozicion për prodhimin me cilësi të lartë të produkteve dhe aktiviteteve të kontraktuara.
V. PËRMBAJTJA E PROPOZIMIT
Propozimi mund të dorëzohet në gjuhët shqip, serbisht, apo anglisht dhe përbëhet nga dy (2) pjesë, Pjesa Teknike dhe Pjesa Financiare. Pjesa Teknike dhe Pjesa Financiare duhet të nënshkruhen nga një përfaqësues i autorizuar i kompanisë dhe të vendosen në zarfe të veçanta në të cilat duhet të shënohet qartë nëse është Pjesa Teknike apo Pjesa Financiare.
Dy zarfet më pas vendosen në një paketim ose zarf më të madh në të cilin shënohen informatat në vijim:
Adresa për Dorëzim: | Fondi Kosovar për Garanci Kreditore Rr. Njazi Alishani Nr.5 Prishtinë, Kosovë, 10000 |
Titulli i Prokurimit: | Shërbime jo financiare: Shërbime trajnimi dhe rrjetëzimi për gratë në biznes |
Numri i Prokurimit: | FKGK 002/2025 |
Propozimi dorëzohet vetëm në kopje të shtypur në adresën e shënuar në faqen e parë të kësaj Kërkese për Propozime.
Propozimi duhet të dorëzohet në lokacionin e specifikuar para përfundimit të afatit të fundit.
VI. PJESA TEKNIKE
Qëllimi i propozimit teknik është që të demonstrohen kualifikimet, kompetencat dhe kapaciteti i kompanive që do të kryejnë shërbime jo financiare: Shërbime trajnimi dhe rrjetëzimi për gratë në biznes në përputhje me këtë Kërkese për Propozime (KPP). Propozimi teknik duhet të demonstrojë (1) Aftësinë e kompanisë dhe ekipit të saj, dhe (2) Strategjinë e propozuar.
- Aftësia e kompanisë dhe ekipit të saj
Kompania duhet të cekë:
- Vendndodhjen dhe madhësinë e përgjithshme të kompanisë, përvojën dhe aftësitë aktuale të partnerëve, menaxherëve dhe stafit të saj lidhur me këtë detyrë;
- Disponueshmërinë e resurseve të kompanisë për të siguruar që të përmbushen afatet kohore;
- Programet e kontrollit të cilësisë/rishikimit nga kolegët brenda kompanisë;
- Ekipin e propozuar për tu angazhuar në këtë detyrë, të cilët duhet të ketë përvojën dhe aftësitë relevante;
- Preferohet që stafi përgjegjës (menaxheri) të ketë së paku tre (3) vite përvojë pune dhe kualifikim përkatës;
- Strategjia e propozuar
Propozimi duhet të përcaktojë një plan pune, duke përfshirë një shpjegim të metodologjisë që duhet ndjekur, për të kryer shërbimet e kërkuara në këtë Kërkesë për Propozime:
VII. PJESA FINANCIARE
Propozimi i kostos duhet të jetë i kuotuar me TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).
Propozimi i kostos duhet të përfshijë përmbushjen e të gjitha kërkesave të specifikuara në këtë KPP.
Metoda e vlerësimit
Propozimet e dorëzuara do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues të FKGK. Propozimet do të vlerësohen duke përdorur kriteret e mëposhtme:
METODA E PROPOZUAR E VLERËSIMIT | |
Kriteret e përgjithshme | Pikët |
a) Propozimi i qasjes dhe metodologjisë së identifikimit, arritjes dhe trajnimit të grupit të synuar në mbarë Kosovën | 25 |
b) Propozimi se si do të organizohet ngjarja e rrjetëzimit | 15 |
b) Përvoja përkatëse në organizimin e ngjarjeve dhe mbajtjen e trajnimeve sipas Termave të referencës | 30 |
c) Propozimi financiar | 30 |
GJITHSEJ | 100 |
Dhënia e kontratës do të bazohet në parimin “ekonomikisht më i favorshëm”. Nëse FKGK përcakton se një propozim është teknikisht superior, por më i shtrenjtë, propozimi më i shtrenjtë mund të fitojë kontratën bazuar në vlerësimin që paraqet vlerën më të mirë të përgjithshme, duke pasur parasysh balancin çmim/ofertë teknike.
FKGK nuk do të zgjedhë një propozues për dhënie të kontratës në bazë të një propozimi teknik superior pa marrë parasysh koston. Kostoja do të vlerësohet bazuar në matricën e shpërndarjes proporcionale të pikëve duke vlerësuar me pikët maksimale koston më të ulët, përveç kur çmimi i ofertuar sipas vlerësimit të FKGK-së konsiderohet çmim jo-normalisht i ulët për shërbimin e kërkuar. Në atë rast, FKGK do të kërkojë informata shtesë nga propozuesi përkatës.
Pas vlerësimit të të gjitha propozimeve, FKGK mund të krijojë një gamë konkurruese të propozimeve më të vlerësuara për negociata të mëtejshme. Propozuesit e përfshirë në gamën konkurruese do të ftohen me shkrim për të dorëzuar propozimet e rishikuara të kostove/teknike bazuar në komentet nga ana e FKGK-së.