business

Kërkesë: PROKURIMI I SHËRBIMIT TË AUDITIMIT TË BRENDSHËM MAJ 2025

  • star Publikuar: 21-05-2025
  • star Skadon: 21-06-2025
Kategoritë Financa, Auditor
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 106

Kërkesë

PËR PROKURIMIN E SHËRBIMIT TË AUDITIMIT TË BRENDSHËM
MAJ 2025

1. Sfondi:

START është themeluar në vitin 2002 dhe është e regjistruar si OJQ pranë Ministrisë së Administratës Publike dhe si institucion mikrofinanciar (IMF) pranë Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Përveçse si praktikë e mirë për ofrimin e sigurisë ndaj bordit drejtues, ekziston kërkesa për themelimin e funksionit të auditimit të brendshëm.

2. Kërkesa e START për funksionin e Auditimit të Brendshëm:

Qëllimi kryesor i auditimit të brendshëm është të ofrojë siguri të pavarur dhe objektive për bordin drejtues në lidhje me efektivitetin e proceseve të menaxhimit të rrezikut, qeverisjes dhe kontrolleve të brendshme të organizatës, në veçanti:

• Sigurimi:

Funksioni i auditimit të brendshëm duhet të japë siguri se kontrollet janë të vendosura dhe funksionojnë siç është parashikuar, duke ndihmuar në menaxhimin e rreziqeve dhe arritjen e objektivave organizative.

• Menaxhimi i Rreziqeve:

Në bashkëpunim me komitetin e rrezikut, funksioni i auditimit të brendshëm vlerëson efektivitetin e proceseve të menaxhimit të rrezikut, duke siguruar që rreziqet të identifikohen, vlerësohen dhe zbuten në mënyrë të përshtatshme.

• Kontrolli i Brendshëm:

Funksioni i auditimit të brendshëm duhet të vlerësojë mjaftueshmërinë dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke siguruar që ato janë të dizajnuara dhe funksionojnë si duhet për të mbrojtur asetet dhe parandaluar mashtrimet.

Gjithashtu, funksioni i auditimit të brendshëm duhet t’i japë këshilla bordit drejtues për efektivitetin e proceseve të qeverisjes, duke siguruar që ato janë të harmonizuara me objektivat e organizatës, standardet etike dhe kërkesat rregullative.

Si një institucion mikrofinanciar i vogël, START është veçanërisht i interesuar që funksioni i auditimit të brendshëm të ofrojë edhe rekomandime praktike për përmirësim, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit, efektivitetit dhe përputhshmërisë operacionale.

3. Rezultatet e pritshme:

START kërkon të angazhojë një individ ose kompani të kualifikuar për ofrimin e shërbimeve të auditimit të brendshëm që funksionon në mënyrë të pavarur nga zonat që auditon, duke ofruar vlerësime dhe rekomandime objektive.

Duke raportuar te komiteti i auditimit të bordit drejtues të START, subjekti i angazhuar pritet të:

  1. Hartojë një program vjetor të auditimit të brendshëm sipas fushave prioritare të përcaktuara nga bordi dhe komiteti i auditimit, zonave me rrezik të identifikuara nga auditorët e jashtëm dhe siç kërkohet nga rregullatori.
  2. Zbatojë vlerësime të rregullta sipas programit të dakorduar të auditimit të brendshëm.
  3. Ofron raporte mujore për komitetin e auditimit me gjetjet dhe rekomandimet për veprime korrigjuese dhe përmirësime.
  4. Ndihmojë në zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve.
  5. Marrë pjesë në mbledhjet e rregullta (mujore/tremujore) të komitetit të auditimit.

4. Kualifikimet:

Individi apo subjekti i suksesshëm duhet të:

  1. Jetë i licencuar si auditor nga Autoritetet relevante të Kosovës.
  2. Ketë përvojë pune me institucione financiare, veçanërisht me IMF-të.
  3. Ketë staf të mjaftueshëm të kualifikuar për të ofruar shërbime me cilësi të lartë në vazhdimësi.
  4. Zotërojë njohuri të plota në gjuhën angleze dhe shqipe.

5. Procesi i Aplikimit:

Sipas politikave të prokurimit të START, synojmë të zgjedhim individin ose kompaninë që ofron vlerën më të mirë për para. Për këtë arsye, kërkojmë që oferta juaj teknike dhe financiare të përfshijë, ndër të tjera, këto elemente:

  1. Dokumentet tuaja të regjistrimit me Autoritetet Relevante të Kosovës.
  2. Kualifikimet dhe licencat e individëve ose stafit që mund të angazhohet në këtë detyrë.
  3. Listën dhe kontaktet e tre klientëve të mëparshëm të ngjashëm me këtë detyrë.
  4. Filozofinë tuaj të auditimit të brendshëm dhe një përshkrim të shkurtër të pritjeve dhe llojeve të vlerësimeve që parashikoni të realizoni.
  5. Një ndarje të detajuar të kostove të shërbimeve tuaja, me ndarje të orëve mujore të angazhimit për stafin junior, senior dhe partner.

Të gjithë të interesuarit, ju lutem që t’i dërgoni ofertat tuaja përmes postës elektronike të START-it: [email protected] më së largu, deri me 29 Maj 2025, ora 16:00