business

Ekspert për zhvillimin dhe implementimin e modulit të trajnimit: “Storytelling digjital, komunikim publik dhe ndërveprim me media”


Ruaj
  • star Publikuar: 13-05-2026
  • star Skadon: 27-05-2026
Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë
Numri i pozitave 1

VoRAE – TERMAT E REFERENCËS (ToR)

Angazhimi i ekspertit për zhvillimin dhe implementimin e modulit të trajnimit:
“Storytelling digjital, komunikim publik dhe ndërveprim me media”

1. Sfondi

Rritja e përfshirjes së të rinjve në komunikimin publik dhe mediatik kërkon zhvillimin e aftësive praktike në storytelling, komunikim digjital dhe ndërveprim me media. Në këtë kuadër, VoRAE, përmes Programit “Mbështetje plotësuese për student”, mbështet të rinjtë në zhvillimin e tyre akademik dhe personal, duke krijuar hapësira që fuqizojnë zërin, vetëbesimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri.

Shumë nga studentët e përfshirë në këtë program kanë histori suksesi, arritje dhe potencial të jashtëzakonshëm, por shpesh hezitojnë të promovojnë rrugëtimin e tyre, të artikulojnë sukseset apo të pozicionohen më dukshëm në hapësira publike dhe mediatike. Për shumë prej tyre, veçanërisht studentët nga komunitetet më pak të përfaqësuara, mungesa e ekspozimit praktik dhe e vetëbesimit në komunikim mbetet një pengesë për ta bërë zërin e tyre më të dukshëm.

Pikërisht për këtë, synohet organizimi i një trajnimi tre-ditor që fuqizon studentët për të ndërtuar narrativa autentike, për të krijuar përmbajtje digjitale dhe për të komunikuar në mënyrë efektive dhe me vetëbesim në hapësira publike dhe mediatike. Ky trajnim është konceptuar si një përvojë unike dhe dinamike që shkon përtej formatit klasik të trajnimeve, duke kombinuar teorinë, dimensionin psikologjik të komunikimit dhe ekspozimin praktik në mjedise reale mediatike.

Përmes zhvillimit të aftësive praktike, kontaktit të drejtpërdrejtë me profesionistë të medias dhe krijimit të hapësirave për shprehje, synohet që këta të rinj të artikulojnë më qartë storiet e tyre, të promovojnë më me siguri arritjet dhe rrugëtimin e tyre, si dhe të kontribuojnë në një narrativë më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese në media dhe shoqëri.

2. Qëllimi i Angazhimit

Qëllimi i këtij angazhimi është përzgjedhja e një eksperti/eje që do të zhvillojë dhe implementojë një trajnim tre-ditor mbi storytelling digjital, komunikim publik dhe media, me fokus në fuqizimin e studentëve – veçanërisht atyre nga komunitetet më pak të përfaqësuara – për të rritur aftësitë praktike, vetëbesimin dhe gatishmërinë e tyre për vetëpromovim, komunikim publik dhe ndërveprim efektiv me media.

Trajnimi duhet të jetë i dizajnuar si proces dinamik dhe praktik, ku dita e parë fokusohet në bazat teorike dhe psikologjike të komunikimit, ndërsa dita e dytë dhe e tretë në ekspozim praktik dhe përvojë të drejtpërdrejtë me media dhe krijim përmbajtjeje.

Objektivat specifike:

  • Të zhvillohen aftësitë e pjesëmarrësve në storytelling, komunikim publik dhe vetëprezantim
  • Të ofrohen njohuri praktike për krijimin e përmbajtjes digjitale autentike (podcast, blog, intervistë, video e shkurtër)
  • Të trajtohet dimensioni psikologjik i komunikimit, duke përfshirë menaxhimin e frikës, vetëbesimin dhe ekspozimin publik
  • Të përgatiten pjesëmarrësit për ndërveprim profesional dhe proaktiv me media, gazetarë dhe platforma digjitale
  • Të ofrohet ekspozim i drejtpërdrejtë në procese reale mediatike përmes bashkëpunimit me një emision televiziv, podcast apo platformë blogimi
  • Të fuqizohen pjesëmarrësit për të promovuar storiet dhe arritjet e tyre në hapësira publike dhe mediatike

3. Fusha e Punës / Detyrat

Eksperti/ja do të ndërmarrë detyrat si më poshtë:

  • Zhvillimin e modulit të detajuar të trajnimit bazuar në objektivat e përcaktuara
  • Dizajnimin e një programi trajnimi tre-ditor me strukturë dinamike dhe praktike:
    • Dita 1: Fokus në teori, storytelling, komunikim publik dhe modul të integruar të psikologjisë së komunikimit (vetëbesim, frikë nga ekspozimi, artikulim)
    • Dita 2: Vizitë / bashkëpunim praktik me një emision televiziv ose format mediatik për të parë nga afër funksionimin e medias, moderimin, intervistimin dhe ndërtimin e narrativës
    • Dita 3: Vizitë / bashkëpunim praktik me një podcast, blog ose platformë digjitale, ku pjesëmarrësit angazhohen në praktikë me krijim përmbajtjeje dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë
  • Identifikimin dhe propozimin e një mediumi relevant për bashkëpunim praktik (p.sh. emision televiziv, podcast, platformë blogimi apo format tjetër digjital) që do të përfshihet në ditën e dytë dhe të tretë të trajnimit
  • Koordinimin e mundshëm me moderatorin, host-in, gazetarin, blogerin apo profesionistë të tjerë relevantë që mund të kontribuojnë në pjesën praktike të trajnimit
  • Përgatitjen e materialeve të trajnimit (prezantime, ushtrime, udhëzues praktik), të cilat do të ofrohen edhe në format të printuar, të përshtatshëm “take-away” për pjesëmarrësit
  • Përgatitjen e një versioni të shkurtuar të trajnimit në format online (deri në 45 minuta), për përdorim të mëvonshëm dhe shpërndarje më të gjerë
  • Facilitimin e trajnimit tre-ditor për pjesëmarrësit
  • Zbatimin e metodologjive interaktive dhe praktike (ushtrime, role-play, simulime, ekspozim praktik)
  • Ofrimin e feedback-ut të strukturuar për pjesëmarrësit
  • Mbështetjen e pjesëmarrësve në zhvillimin e produkteve finale (podcast, blog, intervistë ose histori digjitale)
  • Hartimin e një raporti të shkurtër pas trajnimit

4. Produktet e Pritshme (Deliverables)

Eksperti/ja do të prodhojë:

  • Modul të zhvilluar dhe të strukturuar të trajnimit tre-ditor, në përputhje me objektivat dhe metodologjinë dinamike të përcaktuar
  • Agjendë të detajuar të trajnimit, përfshirë komponentën teorike, psikologjike dhe praktike
  • Identifikim dhe propozim të mediumit / platformës për bashkëpunim praktik (TV, podcast, blog, etj.)
  • Materiale të plota të trajnimit (prezantime, ushtrime, udhëzues praktik), të ofruara edhe në format të printuar, të përshtatshëm për përdorim “take-away” nga pjesëmarrësit
  • Një version të shkurtuar të trajnimit në format online (deri në 45 minuta), për përdorim dhe shpërndarje të mëvonshme
  • Të paktën një produkt digjital për secilin grup/pjesëmarrës (p.sh. podcast, blog, intervistë ose histori digjitale)
  • Raport përfundimtar të shkurtër mbi realizimin e trajnimit, përfshirë progresin, sfidat dhe rekomandimet

Secili produkt duhet:

  • Të dorëzohet në formatin e dakorduar me VoRAE;
  • Të respektojë afatet e përcaktuara;
  • Të përmbushë standardet e cilësisë dhe të konfidencialitetit.

5. Raportimi dhe Koordinimi

Eksperti/ja do t’i raportojë Zyrtarit të Programit të VoRAE. Të gjitha produktet dhe draftet dorëzohen elektronikisht, përveçse kur specifikohet ndryshe.

6. Kohëzgjatja e Angazhimit

  • Periudha e zbatimit: deri në nje (1) muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.
  • Eksperti/ja propozon numrin e ditëve të punës sipas metodologjisë dhe volumit të punës.

7. Kualifikimet e Kërkuara

  • Diplomë universitare në shkenca sociale, komunikim publik, gazetari, media digjitale, marrëdhënie me publikun, marketing ose fusha të ngjashme
  • Minimum 3–5 vite përvojë në fushën e komunikimit publik, medias, storytelling-ut digjital ose krijimit të përmbajtjes
  • Përvojë e dëshmuar në dizajnimin dhe facilitimin e trajnimeve interaktive për të rinj/studente
  • Aftësi të avancuara në storytelling, komunikim digjital dhe krijim të përmbajtjes (p.sh. podcast, video, social media)
  • Njohuri mbi funksionimin e medias dhe ndërveprimin me gazetarë/media
  • Aftësi të mira në facilitim, komunikim ndërpersonal dhe menaxhim të grupeve
  • Ndjeshmëri dhe përvojë pune me komunitete më pak të përfaqësuara është përparësi
  • Aftësi për të integruar dimensionin psikologjik të komunikimit (ndërtimi i vetëbesimit, menaxhimi i frikës nga ekspozimi publik)
  • Aftësi të mira në hartimin e raporteve dhe dokumentimin e aktiviteteve
  • Njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe (njohja e gjuhës angleze konsiderohet përparësi)

8. Procedura e Aplikimit

Aplikantët duhet të dorëzojnë:

  • CV të përditësuar;
  • Propozim metodologjik, që përfshin qasjen, metodat e zhvillimit të strukturave dhe planin e punës;
  • Ofertë financiare (tarifa ditore, numri i ditëve, shuma totale bruto);
  • Portofol ose shembuj të punës së mëparshme.

9. Deklarata për vlerë mbi paratë

VoRAE nuk publikon tavane buxhetore apo numër të pritshëm të ditëve të punës. Aplikantët propozojnë ofertën e tyre financiare sipas metodologjisë dhe volumit të punës.

10. Vlerësimi dhe Poentimi

  • Ekspertiza teknike & kualifikimet – 40 pikë
  • Metodologjia & kuptimi i detyrës – 30 pikë
  • Oferta financiare & vlera për paratë – 20 pikë
  • Intervista (kandidatët e përzgjedhur) – 10 pikë
    Totali: 100 pikë

11. Kërkesat për Etikë, Konflikt Interesi dhe Konfidencialitet

Eksperti/ja do të nënshkruajë:

  • Deklaratë për konflikt interesi & paanshmëri;
  • Klauzola kontraktuale për konfidencialitet;
  • Dokumente të tjera përputhshmërie sipas kërkesës.

12. Përputhshmëria me Rregulloret e VoRAE

Ky angazhim zhvillohet në përputhje të plotë me rregulloret dhe politikat e brendshme të VoRAE.

13. Afati për Dorëzim

Dorëzimi elektronik në: [email protected]
Afati për Aplikim: 27/05/2026, ora 16:00.
Dorëzimet pas afatit nuk do të shqyrtohen.

14. Kontakti

Emri: Alketa Bala
Pozita: Zyrtare për komunikim
Email: [email protected]