12 KARAKTERISTIKAT E NJË PROFESIONISTI TË SUKSESSHËM SHITJE
A ju pëlqejnë shitjet dhe doni të bëheni një shitës më i mirë? Të bëhesh një shitës me përvojë dhe i suksesshëm nuk ndodh brenda natës. Por ka shumë mënyra për të përmirësuar aftësitë tuaja të shitjes, pavarësisht nëse nuk keni eksperiencë 10 vjeçare.
Pavarësisht nëse jeni duke shitur produkte të teknologjisë më të lartë gjatë një takimi të tensionuar, një shërbim të përditshëm përmes telefonit, ose një produkt shtëpiak në tregun e një fermeri vendas, të keni karakteristikat e duhura për të shitur me sukses produktin tuaj është çelësi.
Këtu janë 12 karakteristika të suksesshme të shitjeve:
Kuptoni produktin dhe përfitimet e tij.
Nëse nuk dini shumë për produktin që jeni duke shitur, ka shumë mundësi që kjo të bjerë në sy. Për të mos e vënë veten në siklet kur duhet të shisni një artikull, sigurohuni që të dini pothuajse gjithçka për të. Duhet të dini si përdoret, pse dëshironi ta përdorni dhe parashikoni pyetje shtesë që klienti potencial mund të bëjë gjatë prezantimit tuaj. Natyrisht që nëse jeni të apasionuar pas produktit kjo do t’ju ndihmojë shumë që të shisni. Dhe një histori rreth asaj se si ju, anëtarët e familjes apo blerësit tuaj e përdorin produktin, do ta bëjë prezantimin më shumë personal.
Njihni klientët para se t’i takoni ata.
Para së gjithash, kush është auditori i produktit tuaj? Shumë produkte nuk janë për të gjithë, e kjo mund të lidhet me moshën, gjininë ose vendndodhjen. Ju duhet të kuptoni se kush do të përfitonte nga ky produkt dhe filloni atje. Tjetra, nëse po synoni të shisni një produkt në një kompani të caktuar, sigurohuni që të merrni informacion të plotë për kompaninë me të cilën doni të punoni. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni dhe argumentoni pse kompania duhet ta blejë këtë produkt. Ata edhe mund të befasohen nga hulumtimi juaj, por nëse nuk dini asgjë rreth tyre, ka shumë gjasa që mund t’ju refuzojnë.
Mbani parasysh interesat më të mira të klientit tuaj.
Pasi të keni kuptuar klientin tuaj, kuptoni shumë mirë se cilat janë nevojat e tij. Kjo do t'ju ndihmojë të lidhni një nevojë me produktin ose shërbimin që jeni duke shitur. Nëse po përpiqeni t'i shisni dikujt diçka dhe ai nuk percepton përfitim prej saj, me siguri duhet ta kaloni kohën diku tjetër, me dikë që në të vërtetë do të përfitonte nga gjithçka që po përpiqeni të shisni. Sepse edhe nëse i flisni për produktin, a është vërtet etike t’i shisni atyre një artikull që nuk do ta përdornin?
Mos u bëni shumë nxitës.
Zakonshisht, nëse ka një ankesë të në lidhje me shitësit, është se disa prej tyre janë më shumë se sa duhet, të zellshëm. Edhe pse paga juaj mund të varet nga një shitje, kjo nuk do të thotë që ju duhet të jeni tepër agresiv. Në varësi të trajnimit të kompanisë suaj, mund të ketë një pikë ku duhet të tërhiqeni, nëse klienti potencial nuk tregon interes. Dhe nëse ata vërtet nuk janë të interesuar e po fillojnë të shfaqin mërzi ose zemërim, është koha për ta mbyllur bisedën. Është shumë mirë nëse do të dini të lexoni gjuhën e trupit dhe tonin e zërit të njerëzve me të cilët po flisni.
Ndërtoni besimin.
Një pjesë e madhe e lidhjes me një klient ose klient potencial është ndërtimi i besimit me ta, veçanërisht nëse është një marrëdhënie profesionale e vazhdueshme ose një produkt i shtrenjtë. Besimi është diçka që mund të kërkojë kohë për t’u ndërtuar, veçanërisht kur dikush do të investojë paratë e tij në atë që shisni, kështu që mos e nxitoni procesin. Nëse tregoni durim dhe ndërtoni besimin, potencialisht mund të arrini shumë më shumë. Nëse nxitoni dhe raporti nuk krijohet, ka shumë gjasa që do të humbni, e jo vetëm atë shitje.
Jini miqësorë.
Së bashku me të mos qenit ngulmues dhe t'i jepni kohë besimit për t’u ndërtuar, një profesionist i suksesshëm i shitjeve duhet të jetë gjithashtu miqësor. Miqësia mund t’ju shpërblejë më shumë, veçanërisht nëse po përpiqeni të krijoni besimin me dikë, për shitjet e tanishme dhe të ardhshme. Fillojeni bisedën sa më thjesht, ose duke prezantuar veten. Sigurohuni që të bëni pyetje në vend që të hidheni direkt në prezantimin tuaj.
Fitoni përvojë në shitje.
Shitja nuk është diçka ku shumica e njerëzve mund të hyjnë menjëherë dhe automatikisht të jenë të suksesshëm. Suksesi në shitje kërkon përvojë. Në fund të fundit, shitja kërkon guxim, vendosmëri dhe durim. Për të fituar përvojë në shitje, mund të filloni me një praktikë shitjesh ose në një pozicion shitje në nivelin fillestar. Këto mundësi vijnë zakonisht me trajnime praktike, të cila janë të rëndësishme nëse doni një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
Gjithmonë mbani gati prezantimin e “ashensorit”.
Si shitës, shanset janë që gjithmonë të jeni në kërkim të klientit të ri. Asnjëherë nuk e dini kur do të takoni dikë, që mund të jetë i interesuar për të blerë produktin ose shërbimin tuaj. Për shkak të kësaj, është e rëndësishme të përgatisni një prezantim disi të rastësishëm, “si në ashensor” për produktin tuaj. Nëse hasni me dikë, që kërkon një ofrues të ri shërbimi dhe ndodh që këtë ta ofroni ju, natyrisht që mund të krijoni një bisedë dhe të tërhiqni interesin e tij. Pavarësisht nëse jeni duke biseduar në radhë në dyqanin e lagjes, apo gjatë një ndeshje futbolli, ose gjendeni rastësisht në një ashensor me ta, ju duhet të jeni gati.
Merrni informacion mbi parimet e shitjes.
Nëse dëshironi të krijoni një karrierë të suksesshme në shitje, keni nevojë për përvojë dhe edukim cilësor për të arritur atje. Ka shumë programe trajnimi mbi shitjet në internet, së bashku me çertifikatat përkatëse. (Nëse jeni njohës i mirë i gjuhës, ato janë një burim i pashtershëm informacioni. Në të kundërt, ju mund të lexoni libra dhe artikuj mbi shitjet, ose mund të merrni pjesë në trajnime në klasë, me trajnerë të spikatur të fushës. Çfarëdo që të bëni, asnjëra prej tyre nuk e përjashton tjetrën, përkundrazi, vetëm i plotësojnë njohuritë tuaja dhe do të jenë të dobishme për karrierën tuaj në shitje ).
Vendosni objektiva profesionale.
Pavarësisht nëse jeni punonjës i shitjeve për një kompani të madhe ose për biznesin tuaj, është jetike të vendosni objektiva mbi shitjen. Kjo do t'ju mbajë të fokusuar rreth sasive të produkteve ose shërbimeve që ju nevojitet për të shitur. Vendosja e objektivave apo qëllimeve gjithashtu do t'ju ndihmojë të qëndroni në rrugën e duhur dhe të fokusuar në qëllimin tuaj përfundimtar.
Kujdes me paraqitjen.
Pavarësisht se çfarë shisni, është gjithmonë mirë të dukeni profesionistë. Në varësi të produktit dhe vendit ku do të bëni prezantimin, sigurohuni që veshja juaj t’ju paraqesë si një njeri biznesi e jo si një person i zakonshëm. Sigurohuni që gjithçka që vishni të jetë e pastër, e hekurosur dhe nuk tërheq vëmendjen. Ju nuk duhet domosdoshmërisht të vishni një kostum ose veshje zyrtare, përveç nëse jeni duke shkuar në një takim me bordin, për një prezantim zyrtar.
Jini gjithmonë një hap përpara.
Të jesh një profesionist i suksesshëm shitje do të thotë që duhet të jesh i shpejtë dhe të jesh një hap përpara kompanisë ose personit me të cilin po afrohesh. Kjo do të thotë që ju duhet të jeni gjithmonë të përgatitur, të keni mjetet gati, e nëse mundeni të keni gati edhe ndonjë “thirrje për veprim”. A e dhatë të gjithë informacionin tuaj? A keni të gjithë informacionin mbi ta? A keni ndonjë plan për të vazhduar më tej? Mendoni përgjigjet e këtyre pyetjeve, përpara prezantimit tuaj.