Job

GJYKATA KOMERCIALE FUNKSIONI DHE KOMPETENCAT

GjykataKomerciale është gjykatë e shkallës së parë dhe të dytë, e themeluar me Ligjin për Gjykatën Komerciale, dhe është kompetente për gjykimin e kontesteve tregtare dhe konfliktet administrative.

Gjykata Komerciale gjykon çështjet brenda kompetencës së saj në Dhomat e Shkallës së Parë dhe në Dhomat e Shkallës së Dytë. Vendimet e shkallës së parë janë të barasvlershme me vendimet e Gjykatës Themelore, ndërsa vendimet e dhomës së dytë janë të barasvlershme me vendimet e Gjykatës së Apelit.

Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale përbëhen nga katër (4) departamente të ndara, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike, Departamentin Fiskal, Departamentin për Çështje Administrative dhe Departamentin e Përgjithshëm.

Dhomat e Shkallës së Parë shqyrtojnë dhe gjykojnë rastet nga gjyqtari individual, ndërsa Dhomat e Shkallës së Dytë shqyrtojnë dhe gjykojnë rastet në kolegje të përbëra prej tre (3) gjyqtarëve.

Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar, dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë:

1.Kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, si dhe kontestet ndërmjet personave juridikë publikë dhe privat, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare dhe çështje tjera mes tyre;

2.Të gjitha mjetet juridike, siç përcaktohet me ligjin e aplikueshëm për procedurën përmbarimore, për çështje brenda kompetencës të kësaj gjykate;

3.Njohjen dhe lejimin e zbatimit të vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar;

4.Kontestet gjyqësore që rrjedhin nga Ligji në fuqi për Shoqëritë Tregtare;

5.Riorganizimi, falimentimi dhe shuarja e shoqërive tregtare;

6.Kontestet në lidhje me pengimin e posedimit në mes të shoqërive tregtare;

7.Kontestet në mes shoqërive tregtare lidhur me të drejtat sendore, siç është e paraparë me Ligjin për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare;

8.Kontestet që lidhen me shkeljen e konkurrencës, keqpërdorimit ose monopolit dhe pozitës dominuese në treg, si dhe marrëveshjet monopole duke përfshirë vlerësimin e paligjshmërisë;

9.Mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnët industriale, sekretet tregtare dhe format e tjera të pronësisë industriale, siç parashihet nga legjislacioni përkatës;

10.Kontestet ndërmjet kompanive të aviacionit që i nënshtrohen Ligjit për Aviacionin, duke përjashtuar kontestet në lidhje me të drejtat e pasagjerëve;

11.Kontestet administrative të iniciuara nga shoqëritë tregtare kundër vendimeve përfundimtare të Administratës Tatimore, Autoriteteve Doganore, Ministrisë së Financave dhe çdo organi tjetër publik përgjegjës për vendosjen e tatimeve ose detyrimeve të tjera shtetërore;

12.Kontestet administrative të iniciuara nga shoqëritë tregtare kundër vendimeve përfundimtare në procedurë administrative;

13.Çështje të tjera siç mund të parashikohen me ligj.

Vendimet e gjykatës hartohen në formë të shkruar, në përputhje me ligjin dhe këto vendime janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridik.

Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditëve nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Gjykata Komerciale ka kryetarin i cili është përgjegjës për administrimin ditor të gjykatës, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Kryetari i Gjykatës Komerciale organizon dhe bashkërendon funksionimin e Gjykatës Komerciale; mbikëqyrë veprimtaritë financiare të Gjykatës Komerciale dhe ndërmerr veprime të cekura me rregullat, procedurat apo urdhëresat e nxjerra nga KGJK, ndërkohë në mungesë të kryetarit, funksionin e ushtron nënkryetari i gjykatës.