PSE DISA NJERËZ DËSHTOJNË DHE DISA TË TJERË KANË SUKSES
Sapo kemi hyrë në Vitin e Ri 2023 dhe atmosfera e festës e ka shtuar entusiazmin. Me shpresën për një vit të suksesshëm, ndoshta po mendoni se si dhe ku do ju gjejë fundi i vitit, dhe sa dëshira apo ëndrra të mëdha do realizoni. Ashtu si ju, edhe shumë të tjerë dëshirojnë të kenë më shumë sesa kanë sot ose të jenë më mirë sesa janë sot, por pak punojnë për të bërë ndryshimin. Kjo, sepse ata dështojnë të vendosin objektiva, ose dështojnë të bëjnë një plan, ose dështojnë të punojnë sipas planit. I madhi Jim Rohn, autori i shkrimit këtu, na mëson se çfarë duhet të bëjmë që të jemi të suksesshëm në arritjen e objektivave tona.
Po sikur t'i shndërronim ëndrrat tona në plane dhe planet tona në aktivitete të kujdesshme që do të çonin drejt arritjes së objektivave tona?
Nëse dëshirojmë me gjithë zemër të përparojmë, atëherë jemi të detyruar të gjejmë çdo mjet të mundshëm për të zbatuar gjithçka që dimë dhe ndiejmë. Ne duhet të gjejmë mënyra për të demonstruar nga jashtë të gjithë vlerën që kemi brenda vetes. Përndryshe, ato do të mbeten të pavlerësuara dhe talentet tona të papaguara.
Arsyeja pse disa njerëz dështojnë dhe disa të tjerë kanë sukses mund të jetë befasuese. Madje ndonjëherë mund të duket e padrejtë. Ne të gjithë njohim njerëz që kanë një arsim të mirë, qëndrimin e duhur dhe dëshirën e sinqertë për të bërë diçka. Ata janë prindër të mirë, punonjës të ndershëm dhe miq besnikë. Pavarësisht njohurive, ndjenjave dhe dëshirave të tyre, ata vazhdojnë të bëjnë jetë të dëshpëruar dhe të qetë. Ata bëjnë shumë dhe në këmbim të saj marrim shumë pak.
Pastaj ka nga ata që gjithmonë duket se marrin shumë, pavarësisht se meritojnë shumë më pak. Këta individë nuk kanë as arsimin e duhur dhe as vlerësim për veten dhe për të tjerët, dhe shpesh janë të pandershëm dhe joetikë. E vetmja gjë që duket se kanë të përbashkët me njerëzit e mirë, por dhe kjo e sforcuar, është dëshira e sinqertë për të përparuar. Megjithë mungesën e virtyteve, njohurive dhe vlerësimit, këta njerëz shpesh duket se dalin në krye.
Pse disa njerëz të mirë duket se kanë shumë pak, ndërsa të pandershmit duket se kanë shumë? Pse ndodh që tregtarët e drogës, anëtarët e bandave apo elementët kriminalë në shoqërinë tonë të udhëtojnë me Rolls-Royces, ndërsa shumë të tjerë me vështirësi arrijnë të kryejnë pagesat pavarësisht përpjekjeve të shumta? Nëse dëshira jonë për të pasur sukses është po aq e fortë sa e tyre, duke patur dhe virtytet si vlera të shtuara të përsosjes filozofike dhe sofistikimit emocional, pse nuk arrijmë të kemi sukses si ata?
Përgjigja mund të jetë se ne nuk punojmë për arritjen e qëllimeve tona, ndërsa ata punojnë. Ne nuk shfaqim dhe përdorim gjithë potencialin tonë. Ata e bëjnë. Ne nuk qëndrojmë deri natën vonë duke zhvilluar plane të reja për të arritur ëndrrat tona dhe nuk punojmë shumë ditë për ditë për t'i bërë ato ëndrra realitet. Ata e bëjnë. Ne nuk mësojmë gjithçka që mundemi për industrinë tonë dhe tregjet tona. Ata e bëjnë. Ne nuk bëjmë çdo përpjekje për të kapur burimet e duhura të ndikimit, për t'u shoqëruar me ata njerëz që mund të na ndihmojnë për të arritur qëllimet tona. Ata e bëjnë. Teksa ne ëndërrojmë me premtimin për një të ardhme më të mirë, ata po bëjnë diçka për të. Sigurisht, ata mund të jenë duke bërë gjëra të gabuara, por ata veprojnë vazhdimisht me një intensitet dhe me një nivel angazhimi që do të na turpëronte shumë prej nesh.
E keqja nxiton gjithmonë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e së mirës. E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, dhe për fat të keq, kjo është ajo që shumë njerëz të mirë zgjedhin të bëjnë. Është mungesa jonë e veprimtarisë intensive dhe të disiplinuar, që ka lejuar që e keqja të lulëzojë dhe njerëzit e mirë të lëkunden. Nëse jeta duket e padrejtë ndonjëherë, nuk duhet të fajësojmë askënd, përveç vetes tonë.
Imagjinoni sa ndryshe do të ishte bota jonë nëse do të merrnim tani një zotim për të vënë në veprim gjithçka, veten, vendin dhe ato që kemi aktualisht.
Po sikur të gjithë t’i japim 100 për qind punës, familjeve dhe komuniteteve tona? Po sikur, duke filluar që tani, të fillonim të lexonim libra, të ndreqnim gabimet me disiplina që na shërbejnë dhe të shoqërohemi me njerëz që kanë ide stimuluese? Po sikur, duke filluar që tani, t'i shndërronim ëndrrat tona në plane dhe planet tona në aktivitete të rafinuara që do të çonin drejt arritjes së qëllimeve tona? Çfarë ndryshimi të jashtëzakonshëm mund të bëjmë! Do ta degdisnim të keqen në arrati dhe e mira do të nxitonte të rimerrte vendin e saj të ligjshëm. Çfarë jete mund të ndajmë atëherë me familjet tona - një jetë të mbushur me sfida, emocione dhe arritje. Dhe çfarë trashëgimie mund t’i lëmë brezit të ardhshëm - një pasuri virtyti, integriteti dhe thelbi me të cilën do të ndërtojmë një botë krejt të re, dhe të gjitha këto, sepse do kujdesemi mjaftueshëm për të bërë diçka me jetën tonë, duke vënë në punë aftësitë dhe talentet tona.