business

Trajner për ofrimin e trajnimeve “ Aftësitë për kërkim pune dhe përgatitje për intervistë”

  • star Publikuar: 28-05-2025
  • star Skadon: 08-06-2025
Kategoritë Arsim&Edukim
Vendi i punës Prishtinë

TERMI I REFERENCËS SË PUNËS PËR TRAJNER

Ofertim për ekspertizë – Trajner për ofrimin e trajnimeve “ Aftësitë për kërkim pune dhe përgatitje për intervistë”Prishtinë,2025

INFORMACIONI I PËRGJITHSHËM

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” me seli në Prishtinë është një organizatë jofitimprurëse që synon përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare përmes avokimit, përmirësimit të kushteve të banimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe organizimit të trajnimeve të ndryshme.

KONTEKSTI I NDËRHYRJES

Në Kosovë, studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përballen me një sërë sfidash në arsim, të cilat janë të theksuara për shkak të kushteve socio-ekonomike, diskriminimit, mungesës së orientimit profesional dhe mbështetjes akademike. Krahasuar me numrin total të studentëve në vend, ata përbëjnë një përqindje të vogël dhe rrallë vazhdojnë studimet në nivel universitar.

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” ka krijuar programin “Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” për të rritur pjesëmarrjen dhe përmirësuar suksesin e këtyre studentëve në arsimin e lartë. Programi ofron mbështetje akademike dhe jo-akademike, me synimin për të përmirësuar aftësitë personale, profesionale dhe të punësueshmërisë së studentëve.

QËLLIMI SPECIFIK

Përtej sfidave akademike, një nga pengesat më të mëdha me të cilat përballen studentët nga këto komunitete është mungesa e përgatitjes për të hyrë në tregun e punës. Mungesa e njohurive për hartimin e CV-së, shkrimin e letrës motivuese, kërkimin aktiv për punë dhe përgatitjen për intervistë janë faktorë që ndikojnë negativisht në punësimin e tyre pas diplomimit.

Trajnimi me temë "Aftësitë për kërkim pune dhe përgatitje për intervistë" synon t’i pajisë studentët me njohuri dhe aftësi praktike që lidhen me procesin e kërkimit të një pune dhe suksesin në intervistat punësimi. Ky trajnim do të ndihmojë studentët të zhvillojnë një profil profesional të mirëstrukturuar, të prezantojnë veten me besim dhe të kuptojnë më mirë kërkesat e tregut të punës.

AUDIENCA DHE PËRDORIMI

Trajnimi do të jete i dizajnuar për studentët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët janë përfitues të programit “Mbështetje plotësuese përstudime akademike për studentet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”.

Përdorimi:
Studentët përfitues do të jenë në gjendje të:

  • Hartojnë një CV profesionale dhe të përshtatur sipas pozicioneve të synuara.
  • Shkruajnë letra motivuese që reflektojnë vlerat, interesat dhe aftësitë e tyre.
  • Përdorin platformat për kërkim pune dhe të përgatiten në mënyrë efektive për intervista pune.
  • Prezantojnë veten në mënyrë profesionale dhe me vetëbesim në ambiente formale punësimi.

METODOLOGJIA DHE PROCESI

Trajnimi do të organizohet në kater sesionet nga një ditë për secilën, duke përfshirë tema të fokusuara dhe aktivitete praktike. Qasja do të jetë interaktive dhe e orientuar drejt praktikës, duke përfshirë:

  • Ushtrime për hartimin e CV-së dhe letrës motivuese;
  • Simulim intervistash (mock intervieës);
  • Përdorimi i platformave online për aplikim në punë;
  • Raste studimore dhe punë në grupe.

Procesi i angazhimit të trajnerit përfshin:

  1. Rekrutimi i trajnerëve – Shpallja publike dhe përzgjedhja e kandidatëve me përvojë në zhvillimin e trajnimeve për kërkim pune.
  2. Seleksionimi dhe intervistimi – Vlerësimi sipas përvojës, njohurive dhe aftësive për të punuar me studentë.
  3. Kontraktimi dhe koordinimi – Përgatitja e materialeve të trajnimit në koordinim me organizatën.
  4. Dorëzimi i trajnimeve – Ofrimi i sesioneve interaktive dhe praktike që angazhojnë studentët në mënyrë aktive.

PRODUKTET E TRAJNIMIT

Pas përfundimit të trajnimit, studentët pritet të jenë në gjendje të:

  • Hartojnë CV dhe letra motivuese të strukturuara dhe të personalizuara;
  • Prezantojnë veten në mënyrë të sigurt dhe profesionale gjatë intervistave;
  • Kuptojnë mënyrat efektive për kërkim pune në tregun lokal dhe më gjerë;
  • Rrisin vetëbesimin për përballjen me proceset e rekrutimit.

Nën-produktet e trajnimit përfshijnë:

  • Krijimi i metodologjisë së trajnimit
  • Organizimi i trajnimeve interaktive me studentët
  • Raportet e trajnimeve – për çdo sesion, për të dokumentuar përmbajtjen, pjesëmarrjen dhe efektet e trajnimit.
  • Materialet e trajnimit – manuale, prezantime dhe shembuj praktikë që u shpërndahen studentëve për përdorim të mëvonshëm.

PLANI DHE BUXHETI

OJQ-ja mbulon 120 euro për ditë për trajnerët, me angazhim maksimal prej 5 ditësh.

Ofertuesit duhet të dorëzojnë planin e punës dhe buxhetin për temën “Aftësitë për kërkim pune dhe përgatitje për intervistë”. Vlerësimi do të bazohet në përputhje me çmimet e tregut dhe cilësinë e ofertës së dorëzuar.

KRITERET E PËRZGJEDHJES

  • Diplomë universitare në fushë përkatëse;
  • Përvoj pune në Burime Njerëzore (Human Resources Management)
  • Minimum 3 vjet përvojë në ofrimin e trajnimeve;
  • Përvojë specifike në trajnime që lidhen me kërkimin e punës dhe përgatitjen për intervistë;
  • Preferohet përvojë pune me studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian;
  • Aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe ndërpersonale;
  • Aftësi për zhvillimin e sesioneve interaktive dhe motivuese;
  • Aftësi për të përmbushur afatet kohore dhe detyrat e përcaktuara.

DOKUMENTACIONI I KËRKUAR / KUSHTET PËR APLIKIM

Të interesuarit që përmbushin kriteret duhet të dërgojnë:

  • CV;
  • Diplomë universitare
  • Ofertë me buxhet të detajuar dhe plan pune për temën e trajnimit.

Dokumentet duhet të dërgohen në adresën elektronike: [email protected]

MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT

Aplikimet pranohen në formë të shkresës zyrtare përmes email-it në adresën: [email protected]

Afati i fundit për aplikim është data 08/06/2025.
Ju lutemi specifikoni në subjektin e email-it: "Ofertë për trajnim – Aftësitë për kërkim pune dhe përgatitje për intervistë."

Aplikimet e dërguara pas këtij afati nuk do të merren në shqyrtim.