Thirrje e hapur për të rinjtë përfitues të projektit YEEP II në Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë
Në kuadër të projektit “Fuqizimi dhe Aftësimi i të Rinjve përmes Mundësive të Reja – YEEP II”, i cili zbatohet nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, dhe financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe SOS Children’s Villages Worldwide (CVW), është hapur afati për aplikim për grante në fushën e ndërmarrësisë.
Këto grante synojnë të mbështesin të rinjtë përfitues të projektit që të zhvillojnë dhe të themelojnë biznese të reja (start-up).
Qëllimi i grantit është të mbështesë të rinjtë përfitues të projektit YEEP II, të cilët kanë përfunduar trajnimin “Shkathësitë bazë jetësore” dhe “Ndërmarrësia”, që të bëjnë realitet idetë e tyre përmes mbështetjes financiare deri në 4,000 euro.
Kjo mbështetje ka për qëllim të:
- Nxisin vetëpunësimin dhe zhvillimin e bizneseve të vogla nga të rinjtë përfitues të projektit;
- Lehtësojnë kalimin nga ideja në praktikë, përmes përkrahjes teknike dhe financiare;
- Promovojnë ndërmarrësinë rinore dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Kush mund të aplikojë
Aplikimi është i hapur vetëm për të rinjtë përfitues të projektit YEEP II, të cilët plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Të jenë përfitues aktivë të projektit YEEP II, dhe të kenë nënshkruar dokumentin “Marrëveshja me të Riun (Youth Agreement)”;
- Të kenë përfunduar me sukses modulet e trajnimit: “Shkathtësitë bazë jetësore” dhe ”Ndërmarrësia” (të kenë certifikata nga projekti YEEP II për këto dy module);
- Të kenë një ide konkrete dhe të qëndrueshme të biznesit;
- Të jenë të gatshëm të paraqesin planin e biznesit para Komisionit të Vlerësimit të Granteve;
Dokumentet e nevojshme për aplikim
Të rinjtë aplikues duhet të dorëzojnë paketën e plotë të dokumentacionit në mënyrë elektronike (përmes emailit) e cila përfshin:
- Kopjen e dokumentit “Marrëveshja me të Riun (Youth Agreement)”, që vërteton se aplikuesi është përfitues i projektit YEEP II;
- Certifikata e përfundimit të trajnimeve:
a) “Shkathtësitë bazë jetësore”
b) “Ndërmarësia”,
të lëshuara nga projekti YEEP II, që konfirmon pjesëmarrjen dhe përfundimin me sukses të dy moduleve;
3. Formulari Zyrtar i Planit të Biznesit, i plotësuar dhe nënshkruar nga aplikuesi, së bashku me dokumentacionin mbështetës financiar, që përfshin:
- Planin e investimeve;
- Pasqyrën e fitimeve dhe humbjeve;
- Qarkullimin e parasë (Cash Flow);
- Bilancin financiar (Balance Sheet).
Shënim: Të gjitha këto forma mund të shkarkohen nga linqet e mëposhtëme:
Dokument 1, Dokument 2, Dokument 3, Dokument 4 dhe Dokument 5
Dokumentet e pakompletuara me rastin e aplikimit, nuk do të merren në shqyrtim.
Afati i aplikimit
- Data e fundi per aplikim është 2 Dhjetor 2025, ora 24:00. Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati kohor, nuk do të merren parasysh.
- Të rinjtë kanë në dispozicion 4 (katër) javë për përgatitjen e plotë të planit të biznesit dhe dokumenteve financiare.
- Prezantimi i planeve
Mënyra e dorëzimit të aplikimeve
Dokumentacioni I kompletuar duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike përmes emailit në adresën: [email protected]
Në subjektin e emailit, aplikuesit duhet të shkruajnë:
“Aplikim për Grant – YEEP II – [Emri dhe Mbiemri i aplikuesit]”
Procesi pas aplikimit
Pas përfundimit të afatit të aplikimit:
- Të gjithë aplikuesit me dokumente të kompletuara do të prezentojnë idetë e tyre përpara Komisionit Vlerësues.
2. Vlerësimi dhe përzgjedhja e planeve më të mira të biznesit
Çdo aplikim vlerësohet sipas kritereve të poshtëshënuara:
- Prezantimi i idesë: 15%
- Rekomandimet me shkrim: 5%
- Plani i biznesit: 80%
- 10 planet me më shumë pikë përzgjidhen për financim.
3. Njoftimi
Bëhet njoftimi zyrtar i të gjithë kandidatëve të përzgjedhur që kanë plotësuar kriteret. Pas njoftimit, brenda 10 ditëve kandidati i përzgjedhur duhet të bëjë regjistrimin e biznesit në ARBK.
Kontrata me kandidatin e përzgjedhur nënshkruhet pas regjistrimit të biznesit në ARBK (me dëshmi të kopjes së certifikatës së regjistrimit të biznesit).
SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë inkurajon të gjithë të rinjtë përfitues të certifikuar të projektit YEEP II në Prishtinë, Peje, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovice që kanë ide inovative dhe dëshirë për të zhvilluar biznesin e tyre të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi.