business

Drejtor Menaxhues i FKEE-së - Grada DM

  • star Publikuar: 13-11-2025
  • star Skadon: 27-11-2025
Kategoritë Të tjera
Vendi i punës Prishtinë
Numri i pozitave 1

Bordi i Drejtorëve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë - FKEE, mbështetur në nenin 28 (1 (1.1, 1.12)) dhe në nenin 31 (1, 2, 3) të Ligjit Nr. 06/L-079 për Efiçiencë të Energjisë, në nenin 13 (1 (1.1, 1.13)), në nenin 17 dhe në nenin 18 (2, 3) të Rregullores për Organizimin e Brendshëm të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, në nenin 10 dhe në nenin 11 të Rregullores për Rekrutimin, Menaxhimin dhe Kompensimin e Personelit të FKEE-së, si dhe në vendimin e Bordit të Drejtorëve të datës 12.11.2025 për plotësimin e pozitës Drejtor Menaxhues i FKEE-së - Grada DM, shpall:

K O N K U R S P U B L I K

Titulli i pozitës: Drejtor Menaxhues i FKEE-së – Grada DM

Numri i referencës: 03/2025/FKEE

Vendndodhja e pozitës: FKEE – Zyra Qendrore në Prishtinë

Lloji i kontratës: Kontratë pune me orar të plotë me mandat 3-vjeçar, me mundësi të riemërimit

Kohëzgjatja e konkursit: 13.11.2025 – 27.11.2025

Përmbledhje e përgjithshme: Fondi i Kosovës për Efiçiencës së Energjisë (FKEE) është entitet i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm i themeluar sipas Ligjit Nr. 06/L -079 për Efiçiencë të Energjisë. Ky fond është themeluar për t’i mundësuar Qeverisë së Republikës së Kosovës të arrijë objektivat politike të saj për efiçiencën e energjisë përmes promovimit, mbështetjes dhe zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë si dhe tërheqjes dhe menaxhimit të burimeve financiare për të financuar dhe zbatuar projektet e

investimeve në fushën e efiçiencës së energjisë në mënyrë të qëndrueshme.

Organet e këtij Fondi janë Bordi i Drejtorëve dhe Drejtori Menaxhues. Detyrat e Drejtorit Menaxhues të FKEE-së janë përcaktuar në Nenin 31 të Ligjit Nr. 06/L-079 për Eficiencën e Energjisë, si dhe në dispozita të tjera përkatëse. Drejtori Menaxhues emërohet nga Bordi i Drejtorëve (BD) i FKEE-së për një mandat tre (3) vjeçar, me mundësi riemërimi. Drejtori Menaxhues i FKEE-së raporton drejtpërdrejt te Bordi i Drejtorëve i FKEE-së. Pas marrjes së detyrës, Drejtori Menaxhues bëhet gjithashtu anëtar me të drejtë vote i Bordit të Drejtorëve të FKEE-së.

Shënim:

*Emërtimet në këtë konkurs janë neutrale sa i përket gjinisë.

Detyrat dhe përgjegjësitë:

  • Është zyrtari kryesor ekzekutiv i FKEE-së;
  • Përfaqëson dhe menaxhon punët e FKEE-së dhe zbaton vendimet e politikave të Bordit te Drejtorëve;
  • Ofron rekomandime për Bordin e Drejtorëve në lidhje me përmirësimin e operacioneve të FKEE-së, pajtueshmërinë me LEE dhe legjislacionin tjetër në fuqi;
  • Siguron përgatitjen në kohë dhe i propozon BD-së për miratim:

o politikën e investimeve dhe planin tre (3) vjeçar të zhvillimit te punës,
o planet vjetore për vitin e ardhshëm (buxheti vjetor, plani prokurimit dhe financiar) duke përfshirë nivelin e tarifave dhe ngarkesave që do të aplikohen;
o raportin vjetor dhe pasqyrat vjetore financiare për vitin e kaluar;

  • Paraqet para Bordit të Drejtorëve të gjitha rregulloret, udhëzimet, vendimet dhe çështjet tjera që janë në kompetencën e Bordit për aprovim.
  • Ofron rekomandime në lidhje me emërimin e auditorit të jashtëm të FKEE-së bazuar në rregulloret e brendshme të FKEE-së;
  • Është përgjegjës për punësimin e personelit në përputhje me LEE-në dhe Rregulloret e FKEE-së që kanë të bëjnë me procedurën dhe kriteret e punësimit të personelit të FKEE-së;
  • Bën monitorimin e ecurisë së aktiviteteve të FKEE-së, përgatit raporte tre mujore të progresit për Bordin e Drejtorëve duke demonstruar qartë nivelin e arritjes së treguesve të performancës, arsyet për devijime të mundshme negative nga synimet e planifikuara, si dhe propozon veprime zbutëse të duhura në përputhje të plotë me dispozitat e LEE-së dhe Rregulloret e Brendshme të FKEE-së;
  • Miraton projektet, përkohësisht dhe përfundimisht të cilat duhet të jenë në pajtim me kriteret e përshtatshmërisë dhe kushtet e tjera të ftesave për shprehjen e interesit dhe/ose Thirrjet për Propozime të FKEE-së të aprovuara paraprakisht nga Bordi i Drejtorëve;
  • I raporton Bordit të Drejtorëve duke u bazuar në dispozitat e LEE-së, Rregulloret e Brendshme dhe sipas kërkesës së Bordit të Drejtorëve;
  • Është anëtar i Bordit të Drejtorëve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë;
  • Kryen aktivitete dhe detyra të tjera në pajtim me LEE-në, Rregulloret e Brendshme të FKEE-së, dhe kërkesat e përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve të FKEE-së.

Kualifikimi, përvoja e punës dhe aftësitë:

Kandidati për t’u kualifikuar për pozitën Drejtor Menaxhues i FKEE-së duhet t’i përmbush kushtetsi në vijim:

  • Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës ose rezident i Republikës së Kosovës;
  • Të ketë diplomë universitare të njohur (të vlefshme) sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës në fushën e inxhinierisë, ekonomisë, financave, administrim biznesi ose fusha të ngjashme;
  • Të ketë së paku dhjetë (10) vite përvojë pune profesionale, ku së paku pesë (5) vite pune në pozita drejtuese në financa dhe/ose menaxhim;
  • Të mos jetë i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për një vepër penale për të cilën dënimi maksimal tejkalon gjashtë (6) muaj burgim dhe dënimi nuk është i kushtëzuar;
  • Të mos jetë zyrtar i zgjedhur, i emëruar politik ose person që ka mbajtur një pozitë udhëheqëse në ndonjë parti politike në çdo kohë gjatë njëzetekatër (24) muajve të fundit;
  • Të njohë njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës (njohuri e avancuar në gjuhën shqipe dhe njohuri bazë në serbisht, ose anasjelltas, është e preferueshme) dhe njohuri e shkëlqyeshme e gjuhës angleze;
  • Të ketë integritet të lartë moral, aftësi të larta komunikuese dhe vendimmarrëse;
  • Të ketë njohuri të programeve kompjuterike relevante të Microsoft Office;
  • Përvoja e mëparshme në sektorin bankar ose financiar ose në sektorin e energjisë është e dëshirueshme;
  • Të ketë aftësi të larta në menaxhim, organizim, përcaktim të objektivave dhe planifikim;
  • Të ketë njohuri të mira për mbikëqyrje efektive të punës profesionale të kryer nga vartësit;
  • Të ketë një qasje fleksibile ndaj organizimit dhe mbikëqyrjes së punës, duke përfshirë zgjidhjen e situatave problematike në FKEE;
  • Të ketë aftësi të mira për t'i dhënë përparësi detyrave të rëndësishme dhe aftësi për të punuar nën presion;
  • Të ketë aftësi për të ndërtuar marrëdhënie pune të shkëlqyera ndërpersonale dhe për të menaxhuar të tjerët;

INFORMATA LIDHUR ME PROCEDURAT E KONKURRIMIT

Procedurat e rekrutimit dhe kompensimit FKEE i bazon në rregulloret e brendshme të cilat mund t’i gjeni në linkun ne vazhdim: https://fkee-rks.net/ligje-dhe-rregullore/ dhe ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë të interesuarit duke mirëpritur aplikacionet nga të gjitha komunitetet. Po ashtu, FKEE siguron që procedurat e përzgjedhjes janë të hapura, ofron konkurrencë jo-diskriminuese, objektive dhe transparente, duke u bazuar në një grup kualifikimesh dhe aftësish.

Aplikimit duhet t’i bashkëngjiten dokumentet përcjellëse si në vijim:

  • Kopja e pasaportës ose letërnjoftimit valid (që dëshmon shtetësinë e aplikuesit);
  • Biografia (CV) (duhet të përmbajë sqarime të detajuara lidhur me përvojën e aplikuesit);
  • Dëshmitë për kualifikimet universitare dhe profesionale (diplomat universitare të lëshuara nga institucionet e akredituara në Kosovë apo diplomat e fituara jashtë vendit duhet të nostrifikuara nga MAShTI);
  • Dëshmitë e përvojës së punës; (Dëshmimi i përvojës së punës bëhet nëpërmjet kontratave apo vërtetimeve të punës të lëshuara nga punëdhënësit apo pasqyrës së kontributeve pensionale – Trusti);
  • Letër motivuese që shpjegon se si përvoja e punës e aplikuesit lidhet me pozitën për të cilën ka aplikuar, si dhe vizionin e aplikuesit për punën e FKEE-së gjatë mandatit për të cilin po aplikon. (Letrat motivuese që janë të përgjithshme dhe që nuk e elaborojnë lidhshmërinë midis përvojës së punës së aplikuesit dhe pozitës për të cilën aplikuesi ka aplikuar, nuk do të merren në konsideratë);
  • Certifikata që dëshmon se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale (Certifikata merret nga gjykata kompetente apo në eKosova dhe duhet të jetë jo më e vjetër se sa data e publikimit të konkursit);
  • Deklaratë nën betim sipas formatit të bashkangjitur në konkurs (deklaratë e nënshkruar nga kandidati që konfirmon se, sipas gjykimit të tij/saj, ai/ajo përmbush të gjitha kriteret e këtij konkursi).
  • Dy letra referuese (Lëshohen nga punëdhënësit/mbikëqyrësit paraprakë dhe/ose aktualë);
  • Dokumente të tjera mbështetëse (të lidhura me kushtet dhe kriteret të cilat krijojnë përparësi në aplikim).

Kohëzgjatja e punës dhe kompensimi:

  • Kohëzgjatja e kontratës së punës për pozitën Drejtor Menaxhues i FKEE-së është për një mandat 3 (tre) vjeçar, me mundësi të vazhdimit/riemërimit nga Bordi i FKEE-së, sipas kushteve të përcaktuara në kornizën ligjore me të cilën operon FKEE;
  • Drejtori Menaxhues merr kompensim/pagë, e cila përcaktohet nga Bordi i Drejtorëve të FKEE-së, në përputhje me rregulloren e brendshme (koeficienti i pagës për Drejtorin Menaxhues përcaktohet në intervalin 27.5–35, ndërsa vlera aktuale e koeficientit është 109€, e cila mund të ndryshohet nga Bordi i Drejtorëve).

Dorëzimi i aplikacioneve:

-Dokumentet e aplikimit mund të përgatiten në cilëndo nga tre (3) gjuhët: shqip, serbisht ose anglisht.

-Dokumentacioni dorëzohet në mënyrë elektronike (i skanuar) në e-mail adresën [email protected] duke e shënuar qartë në titullin e emailit emrin e pozitës për të cilën po aplikoni.

-Plotësimi i saktë i aplikimit është nën përgjegjësinë e aplikuesit. Megjithatë, për të mos e përjashtuar aplikuesin për shkak të mungesës së dokumentacionit, FKEE ka të drejtën të verifikojë paraprakisht aplikimet para dorëzimit të tyre tek Komisioni Vlerësues. Në rast të identifikimit të ndonjë mangësie në aplikim, FKEE i rekomandon aplikuesit të kompletojë dokumentacionin, gjë që mund të bëhet deri në ditën para përfundimit të konkursit. Ky mekanizëm zbatohet veçanërisht për aplikimet e pranuara deri më 26.11.2025.

-Afati i konkurrimit është nga data 13.11.2025 deri më datë 27.11.2025.

-Dokumentacioni i dërguar pas datës së fundit për aplikim nuk do të pranohet.

-FKEE rezervon të drejtën të anulojë ose pezullojë këtë konkurs, në varësi të çështjeve paraprake ose të lidhura që mund të jenë relevante për këtë konkurs.

Për informata shtesë, ju lutemi kërkoni sqarim në email adresën [email protected] .