business

Trajner për orientim në karierë

  • star Publikuar: 17-05-2024
  • star Skadon: 21-05-2024

Ky konkurs ka skaduar

Kategoritë Arsim&Edukim
Numri i pozitave 1
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 1060

TERMI I REFERENCËS SË PUNËS PËR TRAJNER

Ofertim për ekspertizë – Trajner për ofrimin e trajnimit me temën "Rritja e vetëdijes, motivimit dhe orientimit në karrierë për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian".

Prishtinë,2024

Informacion i përgjithshëm:

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” (Voice of Roma, Ashkali and Egyptians) me selinë e saj aktuale në Prishtinë, është një organizatë jofitimprurëse që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dhe mbështetjen e vazhdueshme drejt integrimit të tyre në shoqërinë Kosovare përmes avokimit për të drejtat e tyre, përmirësimit të kushteve të banimit, hapjen e vendeve të reja të punës, organizimin e trajnimeve të ndryshme etj.

1.Kontesti i ndërhyrjes:

Kosova është një vend me një sërë sfidash dhe pengesash në fushën e arsimit, veçanërisht për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Këto komunitete ballafaqohen me kufizime të shumta që u pengojnë qasjen në arsim dhe mundësinë për zhvillim personal dhe profesional. Në këtë kontekst, organizata joqeveritare "Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve" ka ngritur një program për të ofruar mbështetje të nevojshme për studentët e këtyre komuniteteve në Kosovë.

Qëllimi i programit është të krijojë një model të qëndrueshëm të përkrahjes për studentët e komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian në të gjitha fazat e tyre të karrierës universitare. Nga regjistrimi në universitet deri në përfundimin e studimeve, programi synon të ofrojë një gamë të gjerë të shërbimeve si mentorim, tutorim, dhe ndihmë akademike dhe jo-akademike. Kjo është një nismë që synon të rrisë pjesëmarrjen, përparimin dhe diplomimin e studentëve të këtyre komuniteteve në arsimin e lartë, duke kontribuar në përmirësimin e mundësive për të punësuarit e tyre në të ardhmen.

Në këtë kontekst, programi shërben si një mjet për të përballuar sfidat dhe për të ngritur cilësinë e arsimit për studentët rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, duke i dhënë atyre një platformë për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe profesional.

Numri i studentëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë është tejet i vogël në krahasim me popullsinë totale studentore në vend. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë (MASHT), në vitin akademik 2023/2024, nga një total prej 20,664 studentëve që u regjistruan në të gjitha universitetet publike dhe kolegjet private në vend, vetëm 41 prej tyre ishin nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Ky numër i vogël reflekton sfidat dhe pengesat që përballon ky grup në qasjen në arsimin e lartë. Një pjesë e konsiderueshme e studentëve nga këto komunitete nuk arrijnë të përfundojnë studimet e tyre universitare për shkaqe të ndryshme. Ndër këto shkaqe mund të përmenden sfidat ekonomike, sociale, diskriminimi, mungesa e orientimit të duhur në karrierë dhe mungesa e motivimit për të vazhduar studimet.

Për të adresuar këto sfida dhe për të nxitur pjesëmarrjen dhe suksesin e studentëve nga këto komunitete në arsimin e lartë, janë nevojë për nisma dhe programe të specializuara. Përmes aktiviteteve të ndryshme synohet të ngritët motivimi dhe vetëbesimi i tyre për të vazhduar dhe përfunduar studimet universitare. Kjo përfshinë edhe sesione të këshillimit, informacion mbi fushat e punës, hartimin e planeve të karrierës, punësim praktik, zhvillimin e aftësive dhe mbështetjen për të përballuar sfidat në karrierë. Kjo ndihmon studentët të identifikojnë dhe të arrin synimet e tyre profesionale në mënyrë të qëndrueshme.

Në këtë mënyrë, synohet të krijojnë kushte të përshtatshme dhe të mbështetura për studentët nga këto komunitete, duke i inkurajuar ata të kenë një perceptim pozitiv për studimet dhe të ndihen të motivuar për të përballuar sfidat dhe për të arritur sukses në rrugën e tyre të arsimit universitar.

  • QËLLIMI SPECIFIK

Me qëllim të rritjes dhe mbështetjes së studentëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” ka nisur programin “Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”.

Ky program ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për 100 studentë përmes ofrimit të mbështetjes në tutorim, mentorim, orientim në karrierë, mbështetjes përmes pajisjeve teknologjike, ofrim të punës praktike etj. si dhe mbështetje në mënyrë indirekte për të gjithë studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përmes formave të ndryshme.

Meqenëse vetëbesimi i ulët, mungesa e motivimit të studentëve si dhe orientimi në karrierë vazhdojnë të mbesin një ndër faktorët që po ndikojnë në numrin jo të kënaqshëm të atyre që regjistrojnë, vazhdojnë studimet dhe përfundojnë ato, ne do të realizojmë aktivitete të ndryshme me qëllim të rritjes së motivimit, vetëbesimit dhe orientimit në karrierë të studentëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Për të arritur këto qëllime, organizata synon të realizojë një sesion trajnimi të specializuar me fokus në rritjen e motivimit, vetëbesimit dhe orientimit në karrierë të studentëve të këtyre komuniteteve. Kjo përfshin strategji dhe teknika për të ndihmuar studentët të zhvillojnë një perceptim pozitiv për veten dhe për të ndihmuar ata të përballen me sfidat në rrugën e tyre të arsimit me më shumë vetëbesim, përkushtim dhe vizion për të ardhmen e tyre të suksesshme.

Qëllimi i këtij sesioni trajnimi është të ofrojë një përvojë të personalizuar dhe të motivueshme për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke synuar të rrisë vetëbesimin dhe motivimin e tyre për të vazhduar dhe përfunduar studimet universitare dhe një vizion për të arritur një karrierë të bujshme dhe të sukseshmë në të ardhmen e tyre.

Tema e trajnimit: "Rritja e vetëdijes, motivimit dhe orientimit në karrierë për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian".

Objektivat e trajnimit:

  • Identifikimi dhe adresimi i pengesave dhe sfidave që pengojnë vetëbesimin, motivimin dhe orientimin në karrierë të studentëve.
  • Ofrimi i udhëzimeve të studentëve për të identifikuar dhe për të kuptuar më mirë shkathtësitë, interesat dhe synimet e tyre profesionale.
  • Ofrimi i udhëzimeve dhe burimeve për të shpjeguar fushat e mundshme të karrierës dhe mundësitë për zhvillim të tyre në to.
  • Zhvillimi i një kuptimi të thellë për rëndësinë e arsimit dhe të ndikimit që ka në zhvillimin personal dhe profesional të studentëve.
  • Ofrimi i strategjive dhe teknikave konkrete për të rritur vetëdijen, vetëbesimin, motivimin dhe orientimin në karrierë të studentëve.
  • Inkurajimi i përkushtimit dhe disiplinës në studime dhe në planifikimin e karrierës, duke i nxitur ata të përfshihen aktivisht në procesin e mësimit/studimit dhe të krijojnë qëllime të qarta për të ardhmen e tyre.

Me këtë rast, planifikohet organizimi i trajnimit 2 (Dy) ditorë me 50 studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

2. AUDIENCA DHE PËRDORIMI

Audienca për këtë trajnim përfshin 50 studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët aktualisht janë në studime në Kosovë.

3. METODOLOGJIA DHE PROCESI

Trajnimet përdorin një qasje interaktive dhe praktike për 50 studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Trajneri duhet të ofrojë paraprakisht metodologji të ndara për orientimin në karrierë dhe për ngritjen e motivimit dhe vetëbesimit të studentëve. Për orientimin në karrierë, trajneri do të përdorë teknika dhe udhëzime për të ndihmuar studentët të identifikojnë shkathtësitë, interesat dhe synimet e tyre profesionale, duke ofruar udhëzime për hartimin e planeve të karrierës dhe për gjetjen e mundësive punësimi. Ndërkohë, për ngritjen e motivimit dhe vetëbesimit, trajneri do të përdorë strategji për të adresuar sfidat dhe për të ofruar këshilla për të përmbushur synimet dhe për të përballojnë pengesat në rrugën drejt suksesit akademik.

Gjithashtu, ai do të koordinojë me zyrtarët e organizatës për të siguruar që trajnimi të përmbushë nevojat dhe synimet e studentëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në mënyrë efektive.

Metodologjia dhe procesi i angazhimit të trajnerit për këtë trajnim mund të përfshijë disa hapa kryesorë për të siguruar një trajner të përshtatshëm dhe një proces të qëndrueshëm të mësimit. Këtu janë disa nga hapat e metodologjisë dhe procesit të angazhimit të trajnerit:

  • Rekrutimi i trajnerit: Procesi i rekrutimit fillon me shpalljen e pozitës dhe identifikimin e kandidatëve të mundshëm. Kandidatët e mundshëm mund të jenë individë me përvojë të mëparshme si trajnerë, psikolog, këshilltarët e karrierës, pedagogë, ose specialistë të fushës së arsimit dhe zhvillimit të kapaciteteve.
  • Seleksionimi dhe intervistimi: Pas marrjes së aplikacioneve, trajneri i përzgjedhur do të selektohet duke u bazuar në kriteret e përcaktuara për pozitën, si përvoja, njohuritë teknike dhe aftësitë e komunikimit. Një proces interviste do të ndihmojë në vlerësimin e aftësive dhe përvojës së kandidatëve për të siguruar që ata janë të përshtatshëm për pozitën e trajnerit.
  • Kontrata dhe takimi fillestar: Pas përzgjedhjes së trajnerit të përshtatshëm, do të hartohet një kontratë e punës që përcakton detyrat, obligimet dhe kushtet e punës së tyre. Dokumentet e para, duke përfshirë të dhënat e disponueshme, i jepen trajnerit që do të përzgjidhet.
  • Zhvillimi i materialeve të trajnimit: Trajneri do të përgatisë metodologjinë e trajnimit dhe materialet e nevojshme për të arritur objektivat e përcaktuara. Kjo përfshin prezantimet, studimet e rasteve, dhe ushtrime praktike për rritjen e vetëdijes dhe motivimit për sukses akademik, si dhe për orientimin në karrierë. Trajneri gjithashtu do të koordinojë me zyrtarët e organizatës për të siguruar përputhje dhe efektivitet të materialeve trajnuese për audiencën specifike.
  • Zhvillimi dhe dorëzimi i trajnimit: Trajneri do të zhvillojë dhe dorëzojë trajnimin bazuar në materiale të përgatitura, duke siguruar një përvojë të mësimit efektive për pjesëmarrësit. Gjatë këtij procesi, trajneri do të inkurajojë pjesëmarrësit të angazhohen aktivisht dhe të ndajnë përvojat e tyre për të pasur një trajnim sa më të suksesshëm.

5. PRODUKTI

Produkti i këtij trajnimi është një grup prej 50 studentësh i cili do të ketë një kuptim më të thellë për rëndësinë e arsimit dhe impaktin që ka në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Ata do të jenë të pajisur me njohuri dhe aftësi për të përshtatur shkathtësitë e tyre akademike dhe profesionale në mënyrë të qëndrueshme. Përveç kësaj, ata do të zhvillojnë aftësi për të ndjekur një plan të qartë karriere, duke identifikuar synimet e tyre profesionale dhe duke marrë hapat e nevojshëm për t'i arritur ato. Trajnimi do të ndihmojë studentët të përballen me sfidat në rrugën e tyre të arsimit dhe karrierës me më shumë vetëbesim dhe përkushtim, duke i bërë ata të gatshëm për të përballuar sfidat dhe për të arritur sukses në të ardhmen e tyre.

6. PLANI DHE BUXHETI

Ofertuesi është i lirë të propozojë numrin e ditëve që i nevojiten për përgatitjen e trajnimit, ofrimin e trajnimit 2 ditorë dhe raportit përfundimtar të trajnimit.

7. KRITERET E PERZGJEDHJES

  • Diplomë universitare në fushat përkatëse për këtë pozitë;
  • Ekspertizë në fushën e trajnimeve për orientimin në karrierë, rritjes së vetëdijes dhe motivimit për sukses akademik.
  • Përvojë pune minimum 5 vjet në ofrimin e trajnimeve;
  • Preferohet përvojë në trajnime të ngjajshme me studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian
  • Aftësi të shkëlqyeshme të komunikimit dhe ndër-personale;
  • Aftësi për t’i përmbushur afatet kohore;

Këto kritere do të përdoren për të vlerësuar aplikacionet dhe për të zgjedhur më të përshtatshëm për ofrimin e trajnimit.

8. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR /KUSHTET PËR APLIKIM

Të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe t'i dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në e-mail adresën [email protected]

  • CV;
  • Referencat e mëparshme;
  • Certifikatat dhe diplomat e universiteti dhe Certifikata përkatëse të trajnimeve dhe specializimeve;
  • Oferta që detajon buxhetin dhe planin e punës për angazhimin

9. MËNYRA E APLIKIMIT:

Aplikimi duhet të dorëzohet në formë të shkresës zyrtare në adresën e organizatës [email protected] , duke përfshirë dokumentacionin e nevojshëm si CV-në, referencat e mëparshme, certifikatat dhe diplomën e universitetit, certifikatat përkatëse të trajnimeve dhe specializimeve si dhe oferta që detajon buxhetin dhe planin e punës për angazhimin.

Marrja në shqyrtim dhe vlerësimi i aplikimeve do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në specifikimet e ofertës dhe kushtet për aplikim.

Afati i fundit për aplikim është deri më datë 21 Maj 2024

Ju lutemi specifikoni titullin e shpalljes në subjekt!

Çdo ofertë që dërgohet pas afatit të përcaktuar më lartë nuk do të merret parasysh.