business

Tutor për ofrimin e orëve shtesë për studentët

  • star Publikuar: 20-05-2025
  • star Skadon: 31-05-2025
Kategoritë Arsim&Edukim
Vendi i punës Prishtinë
Shikime 112

TERMI I REFERENCËS SË PUNËS PËR TUTOR

Ofertim për tutorim – Tutor për ofrimin e orëve shtesë për studentët.

Prishtinë,2025

INFORMACION I PËRGJITHSHËM

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” me selinë e saj në Prishtinë është një organizatë jofitimprurëse që synon përmirësimin e kushteve të jetesë së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare përmes avokimit, përmirësimit të kushteve të banimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe organizimit të trajnimeve të ndryshme.

KONTEKSTI I NDËRHYRJES

Studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me sfida të mëdha në arsimin e tyre, sidomos në nivelin universitar. Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre arrin të regjistrohen dhe të diplomojnë në universitetet publike dhe private të vendit. Vlerësohet se më pak se 7% e nxënësve nga këto komunitete vazhdojnë studimet në nivelin universitar, ndërsa normat e diplomimit janë edhe më të ulëta për shkak të vështirësive sociale, ekonomike dhe akademike që hasin gjatë rrugëtimit të tyre arsimor. Kushtet socio-ekonomike të vështira shpesh i detyrojnë studentët të ndërpresin studimet për shkak të mungesës së burimeve financiare, ndërsa mungesa e mbështetjes akademike dhe diskriminimi ndikojnë negativisht në motivimin dhe besimin e tyre. Për më tepër, mungesa e aftësive për përgatitje efektive për provime rrit rrezikun për dështim dhe braktisje të studimeve.

Programi “Mbështetje akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” nga organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” është krijuar për t’i ndihmuar këta studentë, duke ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse akademike dhe profesionale. Qëllimi i programit është që studentët rom, ashkali dhe egjiptianë të përfundojnë me sukses arsimin e tyre të lartë, të ndërtojnë aftësi të rëndësishme për karrierë dhe të kenë akses në mundësi punësimi që përputhen me kualifikimet e tyre. Ky program ofron mbështetje për më shumë se 100 studentë, përfshin mentorim, përgatitje për provime, mbështetje me pajisje teknologjike, trajnime për shkathtësi të buta, si dhe mbështetje motivuese dhe psikologjike që ndihmon në rritjen e vetëbesimit dhe qëndrueshmërisë së studentëve.

Një komponent i rëndësishëm i këtij programi është tutorimi, i cili ofron mbështetje të synuar për studentët që hasin vështirësi akademike, veçanërisht ata që nuk kanë kaluar provimet. Përmes tutorimit, studentët fuqizohen për të përforcuar njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të kaluar me sukses provimet pas ri-regjistrimit, duke rritur mundësinë për vazhdimësi dhe diplomim.

Ky model ndërhyrjeje pritet të sjellë përmirësime të dukshme në rezultatet akademike, në mbajtjen e studentëve në universitet dhe në përgatitjen e tyre për tregun e punës, duke kontribuar në avancimin social dhe ekonomik të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Për këtë arsye, jemi në kërkim të tutorëve të kualifikuar dhe të përkushtuar, të cilët do të ofrojnë mbështetje akademike të drejtpërdrejtë dhe të personalizuar për studentët e këtyre komuniteteve, duke ndihmuar kështu në rritjen e suksesit dhe përfundimit të studimeve të tyre universitare.

QËLLIMI SPECIFIK

Në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në përballimin e sfidave akademike dhe për të rritur suksesin e tyre në arsimin universitar, programi “Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” të zbatuar nga organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” synon të ofrojë shërbime të tutorimit për studentët përfitues të programit, duke iu ofruar mundësin e orëve plotësuese. Kjo mbështetje është e dizajnuar për të ndihmuar studentët të përforcojnë njohuritë në lëndët ku kanë vështirësi, të zhvillojnë metoda efektive të studimit dhe të përgatiten në mënyrë të mirë për provimet universitare.

Komponenti i tutorimit ka për qëllim të ofrojë asistencë të drejtpërdrejtë akademike për studentët, duke u fokusuar veçanërisht te ata që nuk kanë kaluar me sukses provimet në përpjekjet e tyre të para. Përmes kësaj mbështetjeje, synohet të rritet vetëbesimi dhe qëndrueshmëria e studentëve në procesin arsimor, të zvogëlohet niveli i braktisjes së studimeve dhe të përmirësohet performanca akademike në mënyrë të qëndrueshme.

Në këtë kontekst, jemi në kërkim të tutorëve të kualifikuar dhe të përkushtuar, profesorë ose asistentë universitarë në fushat përkatëse, të cilët do të ofrojnë mbështetje akademike të personalizuar për studentët tanë. Tutorët do të luajnë një rol thelbësor në përgatitjen e studentëve për provime dhe në përforcimin e njohurive të tyre gjatë procesit të studimeve, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e objektivave të programit dhe në avancimin e arsimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Kandidatët idealë duhet të zotërojnë njohuri të thelluara në lëndën përkatëse, aftësi të mira pedagogjike dhe një qasje gjithëpërfshirëse e ndjeshme ndaj sfidave që përjetojnë studentët nga këto komunitete. Përvoja në mësimdhënie dhe gatishmëria për të punuar në mënyrë bashkëpunuese me studentët do të vlerësohen veçanërisht.

Për këtë arsye, kërkojmë tutorë për lëndët në vijim;

  • Lënda Matematikë, nga Fakulteti i Biznesit– orët e tutorimit do të mbahen në Pejë.
  • Lënda Psikologji, nga Fakulteti i Psikologjisë – orët e tutorimit do të mbahen në Prizren.
  • Lënda Edukimi gjatë gjithë jetës, nga Fakulteti i Edukimit- orët e tutorimit do të mbahen në Prizren.
  • Lënda Lidershipi dhe Negociatat, nga Fakulteti Biznesit dhe Menagjmentit- orët e tutorimit do të mbahen në Shtime, Ferizaj ose Prishtinë.
  • Lënda Gjuhë Angleze- nga Fakulteti Biznesit dhe Menagjmentit dhe Fakulteti i Arkitektures Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit- orët e tutorimit do të mbahen në Shtime, Ferizaj ose Prishtinë.
  • Lënda Shkrim Akademik nga Fakulteti i Menaxhimit të Turizmit, Hotelierisë dhe Mjedisit- orët e tutorimit do të mbahen në Pejë ose Istog.
  • Lënda Matematikë, nga Fakulteti i Edukimit- orët e tutorimit do të mbahen në Prishtinë.
  • Lënda Kontabiliteti Financiarë, nga Fakulteti Ekonomikë- orët e tutorimit do të mbahen në Prizren ose Prishtinë.
  • Lënda Konstruksionet e Drurit, nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës- orët e tutorimt do të mbahen në Prishtinë ose Rahovec.
  • Lënda Konstruksionet e Betonit, nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës- orët e tutorimt do të mbahen në Prishtinë ose Rahovec.
  • Lënda Statika e Konstruksioneve, nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës- orët e tutorimt do të mbahen në Prishtinë ose Rahovec.
  • Lënda Konsteuksionet e Çelikut , nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës- orët e tutorimt do të mbahen në Prishtinë ose Rahovec.
  • Lënda Metedologjia e Kërkimeve shkencore- (Këta tutor do të mbajnë orë shtesë me studentët absolvent për metedologjin e shkrimit të temës së diplomës) orët e tutorimit do të mbahen në Prishtinë, Prizren, Rahovecë, Pejë.
  • Lënda Kimia Analitike, nga Fakulteti i Mjeksisë-orët e tutorimit do të mbahen në Prishtinë.
  • Lënda E drejta Evropiane, nga Fakulteti Administrat Publike- orët e tutorimit do të mbahen në Prizren ose Prishtinë.

Sqarim: Tutorët mund të jenë profesor/asistentë nga fakultete të ndryshme, dhe përmendja e fakulteteve më lartëcekur ka për qëllim vetëm identifikimin e fushës së lëndës që mbulohet, e jo kufizimin e përzgjedhjes së tutorëve sipas përkatësisë së fakulteteve.

Për çdo student ofrohen 5 orë tutorimi, me pagesë 20 euro për orë akademike. Tutorët e angazhuar do të jenë përgjegjës për ofrimin e mësimdhënies individuale, bazuar në nevojat e studentëve dhe orët e planifikuara të mbështetjes, duke ndihmuar studentët të arrijnë përgatitje të duhur për të kaluar provimet përkatëse. Tutorimi do të realizohet me cilësi të lartë dhe në përputhje me standardet akademike.

AUDIENCA DHE PËRDORIMI

Përfitues të drejtpërdrejtë të këtij angazhimi janë studentët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të përfshirë në programin “Mbështetje plotësuese për studime akademike për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”.

METODOLOGJIA DHE PROCESI

Metodologjia dhe procesi i angazhimit të tutorëve do të përfshijë disa hapa kryesorë për të siguruar tutor të përshtatshëm dhe një proces të qëndrueshëm të mësimit. Këtu janë disa nga hapat e metodologjisë dhe procesit të angazhimit të tutorëve:

  • Rekrutimi i tutorëve: Procesi i rekrutimit fillon me shpalljen e pozitës dhe identifikimin e kandidatëve të mundshëm. Kandidatët e mundshëm për të realizuar orët e tutorimit mund të jenë profesor ose asistent universitarë
  • Seleksionimi dhe intervistimi: Pas pranimit të aplikacioneve, tutorët do të përzgjidhen bazuar në kriteret e përcaktuara për pozicionin, përfshirë përvojën si profesor ose asistent universitar, njohuritë teknike dhe aftësitë e komunikimit. Procesi i intervistës do të ndihmojë në vlerësimin e përputhshmërisë së kandidatëve, duke përfshirë edhe shmangien e konfliktit të interesit, ku tutorët nuk do të jenë të njëjtë me profesorët që vlerësojnë studentët në provim, si dhe do të vlerësohen aftësitë dhe përvoja e tyre për të siguruar që janë të përshtatshëm për rolin e tutorit.
  • Kontrata dhe takimi fillestar: Pas përzgjedhjes së tutorëve të përshtatshëm, do të hartohet një kontratë e punës që përcakton detyrat, obligimet dhe kushtet e punës së tyre. Dokumentet e para, duke përfshirë të dhënat e disponushme, i’u jepen tutorëve që do të përzgjidhet.
  • Zhvillimi i materialeve të tutorimit: Tutori do të përgatisin një plan të punës duke u bazuar në nevojat e studentit dhe materialet e nevojshme për të arritur objektivat e përcaktuara.
  • Zhvillimi dhe dorëzimi i raportit: Tutorët do të zhvillojnë dhe dorëzojnë raporte bazuar në materiale të përgatitura, duke siguruar një përvojë të mësimit efektive për studentin.

PLANI DHE BUXHETI

Tutori do të paguhet 20 euro për orë akademike dhe do të ofrojë deri në pesë orë tutorim për një student në lëndën përkatëse.

KRITERET E PERZGJEDHJES

  • Të ketë diplomë universitare në fushën përkatëse
  • Të jetë profesor ose asistent në fushën përkatëse
  • Të ketë aftësi të mira komunikimi dhe motivimi për studentët
  • Të ketë përvojë në metodologjinë bashkëkohore të edukimit
  • Të ketë shkathtësi të shkrimit të raporteve

Këto kritere do të përdoren për të vlerësuar aplikacionet dhe për të zgjedhur më të përshtatshëm për ofrimin e trajnimit.

8. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR /KUSHTET PËR APLIKIM

Të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe t'i dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në e-mail adresën [email protected]

  • CV;
  • Diplomë Universitare
  • Dëshmi të angazhimit si profesor ose asistentë

9. MËNYRA E APLIKIMIT:

Aplikimi duhet të dorëzohet në email adresën e organizatës [email protected] , duke përfshirë dokumentacionin e nevojshëm dhe CV-në.

Afati i fundit për aplikim është deri më datë 31 /05/2025

Ju lutemi specifikoni titullin e shpalljes në subjekt!

Çdo ofertë që dërgohet pas afatit të përcaktuar më lartë nuk do të merret parasysh